​5.6 milionë euro të nevojshme për realizimin e tre skenarëve për mbajtjen e mësimit

Aktuale

​5.6 milionë euro të nevojshme për realizimin e tre skenarëve për mbajtjen e mësimit

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 16:18
Ilustrim

Mbi pesë milionë euro është kosto e nevojshme për mbajtjen e mësimit në tre skenarët më 1 shtator.

Skenarët parashikojnë kthimin në shkolla duke respektuar masat, mësimi i kombinuar në shkolla dhe online, si dhe mësimi online përmes platformës e-mësimi.

Megjithatë, skenari më i pëlqyer i Ministrisë së Arsimit është ai i mësimit të kombinuar duke respektuar të gjitha rekomandimet, teksa bordi këshill-dhënës ka rekomanduar që parashkollorët dhe nxënësit e klasave 1 deri 5 të vazhdojnë mësimin nëpër shkolla.

Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Ramë Likaj gjatë raportimit në Komisionin për Arsim lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Ai ka kërkuar mbështetje për buxhet, meqë sipas tij gjatë këtij viti ka pasur shkurtim prej 11 milionë euro.

Likaj: Shpresoj që do të gjenden modalitetet që të sigurohet shuma minimale

“Shuma e shkurtimeve buxhetore në të gjitha kategoritë akademike duke filluar nga mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transfere dhe shpenzime kapitale janë: 11,563 milionë janë shkurtim, mallra dhe shërbime janë shkurtime prej 1,8 milion, te shpenzimet komunale janë 337, 889 euro, subvencione dhe transfere 1, 9 milion, shpenzime kapitale 7,75 milionë euro... Ne besojmë që e kemi ndarë një buxhet, komunat e kanë një buxhet, donatorët na kanë premtuar një buxhet por e kemi edhe përkrahjen edhe nga qeveria. Shpresoj që do të gjenden modalitetet që shumën minimale me u sigurua”, ka thënë Likaj.

Likaj para anëtarëve të komisionit të mërkurën tha se janë mbledhur 1,1 milion euro donacione, për mjetet mbrojtëse nga donatorët.

Likaj: 1,1 milion euro janë siguruar nga donatorët

“Janë të gatshëm për bashkëpunim dhe një pjesë e kemi grumbulluar, deri tash ne kemi grumbulluar 1,1 milionë euro prej tyre. Përpos pajisjeve higjienike dhe masave të tjera që na kanë ndihmuar. Për shembull, trupat amerikane na kanë prurë pajisje mbrojtëse për nxënësit për testin e maturës. Testi i maturës do të mbahet më datën 29 gusht dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet. Pjesa dërmuese e donatorëve janë të gatshëm të na ndihmojnë edhe në aspektin e teknologjisë dhe mjete mbrojtëse”, tha Likaj.

I pyetur nga anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi se sa do të jetë kosto për të mbuluar këtë mënyrë të mësimit, këshilltarja e ministrit Diellza Kukaj tha se kostoja totale është 5,6 milionë euro.

Kukaj: Kosto totale e nevojshme është 5,6 milionë euro

"E kemi buxhetin 5,6 milionë, i cili është i nevojshëm, tani do ta ndajmë në sektor se kush do të jetë pjesëmarrës në financimin e saj. Atëherë gjithsej kosto e “E-mësimit”, apo mësimit në distancë është 2,7 milionë. Ku kjo është e ndarë ndërmjet donatorëve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Jashtë kësaj kemi edhe pajisjet, të cilat i kemi siguruar prej donatorëve në shumë 1,7 milion euro. Në kuadër të pajisjeve për donatorë dhe për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë të përfshirë fëmijët, të cilët nuk kanë pasur pajisje. Sa i përket trajtimit të institucioneve dhe masat higjienike të cilat duhet të ndërmerren, ne kemi bërë një vlerësim se sa do të jetë kostoja totale për sigurimin e kushteve elementare dhe kushteve të përgjithshme për mbajtjen e higjienës dhe sigurimin e shëndetit, është 2,5 milionë shuma për komunat në përgjithësi të cilat do të merren me masat mbrojtëse”, tha Kukaj.

Sa i përket shkurtimit të buxhetit për vitin 2020, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka pati kritika, meqë sipas tij do të paraqesë problem për realizimin e tri skenarëve të parapara për mbajtjen e mësimit.

Uka: Po më duket e pakuptimtë që qeveria të bëjë shkurtim të buxhetit

"Shkurtimi i buxhetit të arsimit për 11,7 milionë euro do të paraqesë problem substancial për realizimin e asaj që në një mënyrë ju e konsideroni si strategji për daljen nga situata. Mua po më duket e pakuptimtë që qeveria të bëjë shkurtim të buxhet dhe njëkohësisht të kërkohet buxhet shtesë. Unë e kuptoj cilat janë dinamikat e COVID-19, por nuk mund të ankohet qeveria që nuk e ka parashikuar se si do të jetë situata. Ne në asnjë moment nuk kemi parë ulje të numrit të rasteve, pasi kemi pasur përkeqësim të situatës”, tha Uka.

Ndërsa, anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha se do të jetë vështirë që të fillojë mësimi në shkolla e fakultete derisa higjiena në këto objekte vazhdon të jetë sfidë për vendin.

Hoxha: Për mua brengë është se si do të organizohet mësimi në shkolla

"Për mua brengë është se si do të organizohet shkolla sepse COVID-i ka shpërfaqë edhe një gjë tjetër, atë që e kemi pasur problem gjithmonë, atë të numrit të madh të nxënësve në klasë. Kjo pandemi si duket na ka kthyer edhe te normat e reja teknike, të organizimit hapësinor në shkolla dhe cilësi më e madhe e shkollave në kuptimin e përgjithshëm dhe dizajnin e tyre. Do të na kthej po ashtu edhe te higjiena bazë, tek idetë që duhen masat e sigurisë dhe shëndetit të ruhen përmes pajisjeve shtesë. Por, higjiena bazë, kot ne mundohemi t’i mësojmë fëmijët për t’i larë duart kur edhe sot në shkolla e tmerrshme higjiena”, ka thënë Hoxha.

Në Komisionin Arsim për Arsim, Sejdi Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të mos mbahet testi i maturës, i paraparë për 29 gusht, duke thënë se duhet të ndiqen praktikat e vendeve të tjera, për të parë suksesin e nxënësve gjatë viteve të shkollimit. Ndër tjera, ministri Likaj ka bërë të ditur se janë rreth 14 mijë pajisje teknike për fëmijët me nevoja të veçanta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat