“Presidenti” nxit përçarje në koalicionin qeverisës, këto dy parti në ‘luftë’ për postin - Bota Sot
“Presidenti” nxit përçarje në koalicionin qeverisës, këto dy parti në ‘luftë’ për postin

Aktuale

“Presidenti” nxit përçarje në koalicionin qeverisës, këto dy parti në ‘luftë’ për postin

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 17:37
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Krahas situatës së rëndë me pandeminë COVID-19, Kosova po përballet me paqartësi dhe diskutime rreth koalicionit qeverisës. Teksa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur kritike ndaj kryeministrit Avdullah Hoti, partneri tjetër i koalicionit Nisma Socialdemokrate po kërkon nga partia e Ramush Haradinajt t’i besojë shefit të ekzekutivit.

Me gjithë mosbesimin e shprehur dhe kritikat e ashpra e të hapura të Haradinajt për mënyrën sesi Hoti po e menaxhon dialogun me Serbinë, për dallim nga shefi i tij në parti, zv. kryeministri Besnik Tahiri thotë se marrëdhëniet mes AAK-së e LDK-së janë të mira.

“Raporti ne mes LDK-së dhe AAK-së, si dy parti të qendrës së djathtë nuk është çështje, ne nuk kemi asnjë problem, ne e kemi shumicën parlamentare, programet dhe qëllimet, qëndrimet, që i vendosim në raport me tema nacionale si dialogu i bëjmë në formën e një partneri, e partneri i mirë është që ta thotë mendimin me shkrim dhe ballafaqon me të në mënyrë që me ndihmua. Pra ne nuk kemi çka me relaksua as me ashpërsua, kemi marrëdhënie pune të shkëlqyeshme të cilat besoj që do t’i kultivojmë për shkak se ky koalicion kur është ndërtua me bazën e një synimi afatgjatë, dashtë Zoti të jetë kështu, nëse jo vazhdojmë tutje”, tha zv. kryeministri Tahiri.

Ndërkohë, dy partnerët e LDK-së, AAK e Nisma janë shprehur në favor të zgjerimit të koalicionit me Partinë Demokratike, për shkak të dialogut dhe zhvillimeve me Gjykatën Speciale.

Ndonëse ka zyrtarë të PDK-së që haptas mbështesin këtë ide, zëdhënësi i kësaj partie Avni Bytyçi, tha se kjo temë nuk është diskutuar në organet e partisë.

“Në PDK nuk është diskutuar kjo çështje në asnjë nivel të partisë. Jemi parti opozitare, e deri tani nuk ka ndonjë arsye që kjo të ndryshoj”, tha Bytyçi.

Derisa situata duket e paqartë, analisti politik, njëherësh drejtor i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj, tha për Euronews Albania, se fakti që PDK nuk mbështet mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje, dëshmon që e njëjta është në negociata për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

“Mendoj që nëse Partia Demokratike njëmend dëshiron të mbetet në opozitë, atëherë do i ishte bashkuar iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosjes për mocionin e mosbesimit, të ngritur në Kuvend. Kështu që, fakti që Partia Demokratike nuk po i bashkohet kësaj iniciative, në një mënyrë tregon që Partia Demokratike është duke negociuar për t’u bërë pjesë e Qeverisë aktuale”, tha Demhasaj.

Sipas tij, mospajtimet rreth postit të presidentit janë burim i telasheve brenda koalicionit dhe hezitimit të PDK-së për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

“Ajo çka unë mendoj që është problemi kryesor se pse nuk po ndodhë kjo, ose të paktën nuk po bëhet publik negocimi mes LDK-së dhe PDK-së për t’u bashkuar në Qeverinë Hoti, është çështja e presidentit. Kemi kërkesa të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë, dhe kemi parë ditëve të fundit edhe kërcënime ndaj Qeverisë Hoti, pikërisht sepse AAK tashmë po e kërkon me ngulm pozitën e presidentit. E në anën tjetër, kërkesa e njëjtë vjen edhe nga Partia Demokratike, e cila po duket se nuk pranon të hyjë një qeveri ku është LDK, AAK, Nisma, nëse Partisë Demokratike nuk i takon pozita e presidentit”, thekson ai.

Sipas Demhasajt, presidenti aktual Hashim Thaçi do të mund të dorëhiqej edhe pa konfirmim të aktakuzës nga Gjykata Speciale, nëse do të kishte marrëveshje mes partive që pasardhësi në pozitën e presidentit të jetë njeri i besuar i tij.

“Unë mendoj që presidenti aktual Hashim Thaçi do kishte japë dorëheqje më herët, vetëm kjo është çështja, pra tek presidentit i ri. Dhe tashmë mendoj se presidenti Thaçi nuk do japë dorëheqje derisa nuk merren vesh partitë politike për pozitën e presidentit, se kush ka me qenë presidenti i ardhshëm pas Thaçit, atëherë me gjasë mund të japë dorëheqje. Por, nëse konfirmohet aktakuza, atëherë mund të japë dorëheqje edhe nëse partitë politike nuk janë marrë vesh. Por, nuk është se krejt çështja lidhet me Gjykatën Speciale, por më tepër lidhet me atë se kush ka me qenë president i ri. Unë mendoj se tendenca është që në presidencë me u vendosë dikush që është më lehtë i kontrollueshëm dhe menaxhueshëm nga vetë presidenti aktual Thaçi”, shtoi Demhasaj.

Së fundmi, lidhur me postin e presidentit zëvendëskryeministri Tahiri ka përmendur si opsion emrin e liderin të partisë së tij, Ramush Haradinaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat