Deputeti i PDK-së tregon për ballafaqimin e tij të vështirë me koronavirusin, përshkruan dhimbjet që ndjeu

Aktuale

Deputeti i PDK-së tregon për ballafaqimin e tij të vështirë me koronavirusin, përshkruan dhimbjet që ndjeu

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 22:42
Abelard Tahiri

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur për luftën e tij me koronavirusin.

Ai ka thënë se ballafaqimi i tij me Covid-19 ka qenë i vështirë.

“S’e kam kaluar lehtë virusin, më besoni që ky virus vret”, ka deklaruar Tahiri në media.

Tahiri ka thënë se ethet kanë qenë ndër simptomat e para që i ka pasur.

“Ditën isha në parlament, në mbrëmje pata ethe”, është shprehur ai.

“Në Parlament ne deputetët ankohemi se klimën e lëshojmë shumë. Bëhet ftohtë kohë pas kohe. U ankuam se po teprohet. Mendova se jam ftohur gjatë ditës”, ka treguar Tahiri.

“Të nesërmen e kam pirë një Parol, dhe kam fjetur më lehtë. Në mëngjes jam zgjuar me kokëdhimbje, me telashe”, ka rrëfyer ai.

Tahiri ka thënë se para se t’i vinte rezultati se ishte pozitiv me Covid-19, simptomat vetëm kishin filluar t’i shpeshtoheshin.

“Ndjeja nevojën të rrija i shtrirë”, ka treguar Tahiri, i cili ka rrëfyer se temperatura i ka shkuar deri në 40.1 gradë.

“Koronavirusi filloi të ma godasë sistemin imunitar. Ndihesha çdo herë e më keq”, ka thënë deputeti i PDK’së.

Tahiri ka thënë se ka pasur edhe “dhimbje në shpinë”. Pastaj, “filloi të më lëshohej në mushkëri. Ndjeja një lloj gërryerje”, ka treguar ai.

Tahiri ka bërë të ditur se gruaja e tij ishte gjithashtu e prekur nga Covid-19, ndërsa betejën me Covid-19 e ka pasur edhe më të vështirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat