​Votohet Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covdi 19

Aktuale

​Votohet Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covdi 19

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 07:18

(E plotësuar) -  Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në lexim të dytë Ligjin parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Pas pesë muajsh kur është propozuar, ky ligj morri shumicën e votave nga të zgjedhurit e popullit.

Me anë të këtij ligji pritet t’i mundësohet aspekti ligjor në marrjen e vendimeve për menaxhim të pandemisë Covid 19.

LVV mbështet projektligjin për pandeminë

Lëvizja Vetëvendosje përkrahë projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Sipas tyre, ky projektligj ndihmon në luftimin dhe parandalimin e kësaj pandemie, e ani pse sipas tyre nuk është më i miri, kjo parti do e mbështesë këtë projektligj.

Në emër të grupit parlamentar, deputeti Fitim Uka tha se gjithë iniciuesit e këtij projektligji mund të lehtësojnë punën e të gjithë profesionistëve shëndetësorë, policisë dhe Inspektoratit Policor me votimin e këtij projektligji.

Uka: Ky projektligj është ndihmesë e jashtëzakonshme

“Edhe pse me shumë vonesë, për arsyeje tashmë të njohura edhe për qytetarët, vjen në Kuvend projektligji që e ndihmon luftimin dhe parandalimin e COVID-19 në Kosovë. Mbase për shkak edhe kohës shumë të shkurtër që kemi pasur në dispozicion, ky nuk është projektligji më i mirë që mund të kishim, por është një avancim i infrastrukturës ligjore. Dhe një ndihmesë e jashtëzakonshme për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që ballafaqohen direkt me pandeminë. Tashmë me anë të këtij projektligji që presim të votohet ne si deputetë e kemi mundësinë që të përmbushim një obligim tonin institucional, por i mbetet qeverisë që luftën në raport me pandeminë ta marrë seriozisht”, ka deklaruar Uka.

Sipas tij, marrë parasysh shifrat e të prekurve dhe të vdekurve me koronavirus dhe kapacitet e institucioneve shëndetësore, meritohet vëmendje më e madhe dhe adresim i mirëfilltë.

Haxhiu kërkon nga deputetët që ta votojnë Projektligjin për luftimin e COVID-19

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se Projektligji për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, do të ndihmojë në luftimin e kësaj pandemie.

Haxhiu në seancën e Kuvendit ka deklaruar se është bërë një punë shumë e mirë nga Komisioni për Shëndetësi në plotësimin e këtij Projektligji.

“Prej kur është iniciuar si Projektligj është bëtë shumë politik me këtë ligj, dhe po të mos ndryshohej atëherë siç ishte propozuar do të rregullonte vetëm kufizimin e lëvizjes, mirëpo tani rregullohen edhe aspektet tjera. Është një Projektligj i kompletuar që do të shërbej në luftimin e pandemisë”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka shtuar se ka propozuar në emër të PDK rritjen e pagave për personelin shëndetësorë, Policinë e Kosovës dhe inspektorët.

Haxhiu kërkoi nga deputetët që ta mbështesin këtë Projektligj dhe i njëjti të votohet me amendamentet e propozuara.

Reshitaj për projektligjin për pandeminë: Është i kompletuar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë në lexim të dytë projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj tha se ky projektligj është i kompletuar me një fushë veprimtari të gjerë dhe specifikuar.

Reshitaj: Sot kemi një projektligj të formësuar dhe kompletuar

“Projektligji i propozuar është përgjigje ndaj Gjykatës Kushtetuese me të cilën është kërkuar krijimi i bazës ligjore për kufizimin dhe lirimin e të drejtave të njeriut në luftën kundrejt COVID-19. Megjithatë deputetët e kanë parë të nevojshme që në këtë projektligj të fusin edhe mekanizmat tjerë që do të luftonin në luftën e COVID-19... sot kemi një projektligj të formësuar dhe kompletuar, tani kemi bërë një ligj që ka fushëveprim të gjerë të specifikuar veç e veç për çdo çështje që lidhet me betejën kundër pandemisë COVID 19”, tha ajo.

Ajo mes tjerash i renditi të gjitha sferat që do të hyjnë në kuadër të këtij projektligji.

Reshitaj: Ky projektligj parasheh këto masa

“Filluar nga preambula, qëllimi, përkufizimet kemi shtuar kapituj të veçantë, masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtje nga pandemia. Parandalimin dhe menaxhimin e kontrollit të infeksionit. Njoftimin dhe raportimin e rasteve me covid 19. Testimin, diagnozën dhe trajtimin, përgjegjësitë dhe koordinimin e institucioneve gjatë pandemisë. Bashkëpunimin në nivel komunal, vaksinimin dhe procesin e vaksinimit, shkëmbimin e të dhënave dhe masat e sigurisë. Gjithashtu kemi shtuar kapitull të veçantë për kompensimin shtesë të atyre që përballen drejtpërdrejtë me pandeminë. Angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor si dhe masat ndëshkimore për ata që nuk zbatojnë masat”, tha ajo.

Seanca plenare është duke vazhduar ku gjitha grupet parlamentare pritet të japin qëndrimin e tyre rreth këtij projektligji.

Haradinaj kritikon qeverinë për vonesën e krijimit të Komisionit për të burgosurit politikë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se buxheti për të burgosurit politik ekziston por ende nuk është krijuar Komisioni, derisa ka pyetur kabinetin qeveritar se kur do të kryhet ky obligim moral e kushtetues.

Haradinaj i është drejtuar zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Tahiri me pyetjen se kur do të kryhet ky proces.

“Buxheti për të burgosurit politik ekziston ndërsa ende nuk është krijuar Komisioni, ndërsa ju pyes juve z. zëvendëskryeministër se kur të burgosurit politik kanë do t’i fitojnë të drejtat e detyre kushtetuese”, ka thënë Haradinaj.

'Nxehet' debati në Kuvend, deputeti përmend të 'fortit' e Prishtinës që kanë kazino ilegale në Karaçevë

Krahas hyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë, deputetët në seancën e sotme plenare kanë ngritur shqetësimin për kazinotë e shumta në këtë fshat. Kjo u konsiderua si ilegale edhe nga vet qeveria, derisa deputetët opozitar thonë se banorët atje iu kanë thënë se këto kazino i kanë “të fortit” e Prishtinës.

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci tha se ato kazino nuk kanë mundësi t’i hapin banorët në ato zona.

Bajqinovci: Banorët e Karaçevës na kanë treguar se të fortit e Prishtinës i kanë hapur kazinotë atje

“Banorët e Karaçevës na kanë treguar se të fortit e Prishtinës i kanë hapur kazinotë atje. Nuk kanë mundësi me i hap karaçevasit aty, apo nga Kamenica”, tha ai.

Operimin e tyre e cilësoi si ilegal edhe vet zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri.

Tahiri: Ky është një operim ilegal

“Sa i përket kazinove tash ministrja më tha se ky është një operim ilegal që shteti e ka detyrë me i mbyllë”, tha ai.

Ndërkaq, kritika ndaj qeverisë për hyrjen e xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës paraqiti, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai tha se vet qeveria ka pasur qëndrime të ndryshme për këtë çështje dhe kërkoi qëndrim zyrtar nga vartësi i kryeministrit Hoti.

Krasniqi: Kemi një paqartësi shumë të theksuar të ndërhyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë.

“E kemi një paqartësi shumë të theksuar të ndërhyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë. Kemi deklarime të ndryshme prej qeverisë së njëjtë. Derisa kryeministri Hoti thotë se në rregull faleminderit KFOR-it. I keni respektuar patrullimin të sinkronizuar. Ministrja e Jashtme thotë se nuk ka qenë patrullim i sinkronizuar. Bile ajo thotë se kjo është shkelje e sovranitetit siç po thonë edhe ne që e demanton kryeministrin e vet. Problemi ditor tashmë është diskrepanca dhe dallimet që i ka qeveria dhe partnerët e koalicionit”, tha ai.

E sipas zëvendëskryeministrit, Tahiri informatat zyrtare i kanë se ky ka qenë patrullim i sinkronizuar.

Tahiri: Informatat zyrtare i kemi se ky ka qenë patrullim i sinkronizuar

“Informatat që i kemi zyrtare prej KFOR-it se ky ka qenë patrullim i sinkronizuar i përbashkët, ky ka qenë informata që e kam marrë unë prej kryeministrit”, tha ai.

Seanca e Kuvendit, Qeverisë Hoti i kërkohet përgjegjësi për hyrjen e xhandarmerisë serbe në Kosovë

Hyrja e xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës është bërë temë diskutimi në seancën e sotme plenare. Derisa në LDK e paraqitnin këtë si çështje teknike që ndodh që 20 vite, tri parti të tjera parlamentare e konsideruan këtë si shkelje të sovranitetit të vendit dhe rrezik për destabilizim.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi akuzoi kryeministrin, Avdullah Hoti për mos ndërmarrjen e asnjë veprimi pas këtij incidenti, që sipas tij është më i rëndi që nga viti 2012.

Abrashi: Më 7 gusht Kushtetuta u bë copë-copë dhe u shkel rëndë në mes të ditës

“Kushtetuta në të cilën thirrej me plotë gojë Avdullah Hoti me 7 gusht bë copë-copë dhe u shkel rëndë në mes të ditës. Hyrja e personave të uniformuar është një nga incidentet më të rënda që nga viti 2012, ky është një provokim i hapur, cenim integritetit, cenim i sovranitetit shtetëror dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare... ky incident më shumë se incident i sigurisë është diplomatik dhe duhet të shihet në këtë rrafsh në raport me dialogun. Por kjo qeveri nuk bëri asnjë hap as në rrafshin e sigurisë, e aq më pak diplomatik” tha ai.

E ashpër në reagimin e saj ishte edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha këto provokime të Serbisë paraqesin rrezik për Kosovën.

Musliu: Qeveria e ka neglizhuar këtë provokim

“PDK-ja është thellësisht e shqetësuar nga shkelja flagrante të sovranitetit territorial të Kosovës nga xhandarmeria serbe e cila jo rrallëherë po synon të shkaktojë konflikt që askush nuk do të dëshironte. Hyrja e xhandarmerisë serbe në atë zonë dhe kontrollet që i bëjnë janë kërcënim direkt për qytetarët e Karaçevës veçanti dhe Kosovës në përgjithësi. PDK-ja më shqetësues e sheh faktin se qeveria dhe institucionet nuk e kanë prishur komoditetin e tij, e kanë neglizhuar dhe kaluar në heshtje këtë provokim”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha kërkoi që ky incident mos të relativizohet nga askush, derisa kritikoi ministrat që mbulojnë sektorin e sigurisë për mos raportim para kuvendit.

Berisha: Incidenti ndërkufitar me Serbinë nuk bënë të relativizohet nga askush

“Incidenti ndërkufitar me Serbinë nuk bënë të relativizohet nga askush. Qofshin nga ata që janë në qeveri apo opozitë. Pavarësisht se kush është në detyrë...nëse i kanë marrë detyrat këta persona atëherë të përballen me përgjegjësi. Ndonjëherë duhet dhënë përgjegjësi besa shpesh sidomos njerëzit që i kemi zgjedhur për këto detyra”, u shpreh ai.

Por, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi këtë e konsideron si teknike që veprohet tash e 20 vite.

Gashi: Patrullimi i përbashkët është çështje teknike

“Kjo hyrje është bërë në bashkëpunim dhe patrullim me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Kjo përsëritet se 20 vite sepse edhe forcat e NATO-s kalojnë në anën tjetër, pra është çështje teknike...e dina që është problem një pjesë e kufirit të Kosovës, ky është problem por ejani të zgjidhim. Jo të ndërtojmë kauza dhe akuza të paqena me qëllim se të fitojmë opinionin publik përkohësisht por besoni që nuk e fitoni”, tha ai.

Kollçaku kërkon nga Qeveria të jap përgjegjësi për testimin e qytetarëve në laboratoret private

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollaçaku, ka kërkuar nga qeveria që të jap përgjegjësi dhe të mbulojë të gjitha trajtimet e qytetarëve që shkak i simptomave dhe udhëzimeve të mjekëve detyrohet të bëjnë testimin për COVID-19.

Kjo pasi që siç tha ajo, jo të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë ekonomike që të testohen me COVID-19 në laboratorët privatë.

“Parandalimi, menaxhimi dhe kontrolli i infeksionit me COVID-19 në territorin e Kosovës është i detyrueshëm pa asnjë lloj diskriminimi si dhe menaxhimi, kontrollimi ofrohet falas për qytetarët. E nëse fokusohemi te testimet, të gjitha janë kryer në IKSHK me kapacitetet të kufizuara dhe shteti ka menduar që të licencoj laboratorët kjo nënkupton se të gjithë pacientët që kanë testime duhet të trajtohen falas, e nëse këto ofrohen falas në institucione publike si ka menduar qeveria për njerëzit që kanë simptoma e shkojnë të testohen në institucione private. Ndërsa shumica prej tyre janë buzë ekzistencës e që nuk mund ta mbulojnë edhe trajtimi që nuk ofrohet komplet as në institucione publike. Prandaj, kërkojmë përgjegjësi shtetit që ta mbulojë atë që pjesë që të gjithë qytetarët që me indikacione epidiomelogjike dhe udhëzime të bëhet falas”, tha ajo në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Seanca e Kuvendit, deputetët zgjedhin edhe një anëtar të bordit të RTK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur Albinot Malokun si anëtarin e pestë të bordit të RTK-së. Ky i fundit gjatë votimit mori besimin më të madh të deputetëve se kandidatja tjetër, Arlinda Azemi.

Zgjedhjen e tij si anëtar të bordit e konstatoi kryesuesi i seancës, Kujtim Shala, ai po ashtu i renditi dhe katër anëtarët e tjerë që e plotësojnë shumicën shqiptare.

Ndërsa, konkursi për dy anëtarët e komuniteteve jo shumicë konkursi është kthyer në pikën zero.

Shala: Këta janë anëtarë e zgjedhur të bordit të RTK-së

“Konstatojë se anëtarë të bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve shumicë shqiptare janë zgjedhur Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku dhe Petrit Musollin dhe Albinot Maloku”

Anëtarët e bordit të RTK-së kanë mandat trevjeçar

Vazhdon seanca për emërimin edhe një anëtari të bordit të RTK-së

Ka nisur vazhdimi i seancës së djeshme ku pritet të emërohet edhe një anëtar i Bordit të RTK-së. Të zgjedhurit e popullit do të votojnë për Albinot Malokun ose Arlinda Azemin për të kompletuar pesë anëtarët e bordit të shumicës shqiptare.

Deputetët dje zgjeodhën, Ilir Bytyçin, Fadil MIftarin, Bajram Mjeku dhe Petrit Musollin anëtarë të bordit të RTK-së.

Ky proces u kritikua nga deputetja, Mimoza Kusari-Lila për shkak të mos përmbushjes së kritereve për barazi gjinore.

Ndërkaq, nga radhët e komuniteteve jo shumicë procesi për dy anëtarë u rikthye në pikën zero për shkak se kandidatët nuk morën votat e nevojshme.

Anëtarët e bordit të RTK-së kanë mandat trevjeçar.

Pas kësaj pike, do të fillojë një seancë e re ku pritet të shqyrtohet projektligji për rimëkëmbje ekonomike dhe ai për pandeminë.

Kuvendi shqyrton projektligjin për pandeminë Covid-19 dhe për rimëkëmbjen ekonomike

Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për të shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19.

Po ashtu në këtë seancë që pritet të fillojë në ora 11:00, deputetët pritet të formojnë Komisionin Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Ky është rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës,

4. Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat