Edhe LDK-ja del kundër vendimit të Hotit për rrugën Deçan-Plavë

Aktuale

Edhe LDK-ja del kundër vendimit të Hotit për rrugën Deçan-Plavë

Më: 18 gusht 2020 Në ora: 20:24
Rruga Deçan-Plavë

Punimet në rrugën Deçan-Plavë janë duke vazhduar, përkundër që kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar pezullimin e tyre. Madje, kundër këtij vendimi, është edhe dega e partisë së tij në këtë komunë, që thotë se manastiri nuk duhet të jetë pengesë për këtë.

Përkundër që niveli qendror ka vendosur që punimet të pezullohen në rrugën Deçan-Plavë, kështu nuk po vepron niveli lokal.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj nuk i ka ndalur punimet në rrugën Deçan-Plavë, pavarësisht kërkesës që ka bërë kryeministri Hoti.

I pari i Deçanit ka thënë se punimet po vazhdojnë dhe se gjatë ditës së nesërme pritet të ketë kontakt me Qeverinë lidhur me këtë rrugë.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër. Punimet duhet të vazhdojnë. Interesi nuk është të dëmtohet rruga por e kundërta, t’i shtohet vlera me këtë rrugë”, deklaroi Ramosaj për Rtv Dukagjini.

Pro ndërtimit të kësaj rruge, është edhe partia e Avdullah Hotit, dega në Deçan.

Albert Kurtulaj, zëdhënës i LDK-së për këtë komunë, ka thënë se Manastiri nuk duhet të dal pengesë për këtë.

“LDK dega në Deçan e ka bindjen e plotë dhe sigurinë se asfaltimi i kësaj rruge do të ndodh. Asfaltimi i rrugës Deçan-Plavë duhet të ndodh në koordinim mes komunës dhe institucioneve qendrore, gjegjësisht Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Albert Kurtulaj.

Banorët, këtë rrugë vazhdojnë ta shohin si arterie jetike për zhvillimin e kësaj pjese.

“Këta kanë pretendime politike pasi rruga nuk ka të bëjë fare me zonën e mbrojtur. Ata synojnë që të uzurpojnë tërë këtë sipërfaqe ashtu siç kanë vepruar me pronat e ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, ka deklaruar Adem Lushaj.

Edhe gjatë të martës, ishte këshilltari për media i zyrës së Kryeministrit, Xhavit Beqiri, që tha se vendimi nuk ka ndryshuar.

“Kryetari i Komunës së Deçanit, duhet ta di vendimin e kryeministrit Hoti. Këtij vendimi nuk i hiqet asnjë presje. Ne qëndrojmë prapa njoftimit që kemi lëshuar”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat