Çka mund të ‘dalë’ nga dialogu i 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë?

Aktuale

Çka mund të ‘dalë’ nga dialogu i 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë?

Më: 19 gusht 2020 Në ora: 08:50
Shtëpia e Bardhë

Takimi i planifikuar të mbahet më 2 shtator në Uashington, i pari i udhëhequr drejtpërdrejtë nga SHBA-të, në nivel liderësh institucionalë, e ka gjetur Kosovën në mes ‘hutisë’ brenda koalicionit qeverisës por edhe paqartësisë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se çfarë mund të pritet nga takimi mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësojnë njohësitë e çështjeve politike.

Arber Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) ka thënë se ky takim e ka gjetur Kosovën mes dy hutive e paqartësive, pasi sipas tij, brenda për brenda koalicionit qeverisë nuk ka qartësi dhe bashkërendim sa i përket qasjes së dialogut, ndërsa në anën tjetër nuk ka qartësi edhe nga BE-ja dhe SHBA-të se çka saktësisht mund të pritet nga ky takim.

Fetahu po ashtu tha se këto takime nuk janë të qarta nëse po bashkërendohen nga SHBA-të dhe BE-ja.

“Takimi i planifikuar më 2 shtator në DC e gjen Kosovën mes dy hutive apo paqartësive: Hutisë së brendshme dhe asaj të jashtme. Brenda për brenda koalicionit nuk ekziston qartësi dhe bashkërendim sa i përket qasjes në dialog, parimeve dhe qëllimeve finale e nuk diskutohet fare konsensusi i brendshëm i spektrit politik. Në anën tjetër, nuk ka qartësi nga BE dhe SHBA se çka mund të pritet konkretisht nga dialogu, dhe nëse vërtet po rrëshqasim në dialog teknik. Pos tjerash, nuk është e qartë nëse këto takime po bashkërendohen nga SHBA dhe BE”, ka thënë Fetahu.

Ai u shpreh se për shkak të rrjedhës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e vështirë të predikohen pritjet dhe përfundimet nga këto takime.

Fetahu tha tutje se mund të ketë diskutim të temave më të gjera, duke tentuar të matet pulsi i dy delegacioneve rreth një marrëveshje.

“Për shkak të rrjedhës së fundit të dialogut është vështirë të predikohen pritjet dhe përfundimet nga këto takime. Gjithsesi, mund të thuhet se SHBA po dëshiron të vazhdoj tutje me dialog pas dështimit të takimit të parë. Ndonëse, pas rrethanave të reja mund të ketë një diskutim më të gjerë të temave duke përfshirë ekonominë, por mund të tentohet të matet pulsi tek dy delegacionet rreth një marrëveshje të mundshme në të ardhmen. Edhe pse, duhet të jemi të rezervuar në caktim të afateve kohore si dhe pritjeve”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa, Eugen Cakolli ditë më parë tha se Kosova dhe Serbia pritet që më 2 shtator të fillojnë një proces të dialogut, i pari i udhëhequr drejtpërdrejtë nga SHBA-të, në nivel liderësh institucionalë.

“Meqë situata politike mbetet përgjithësisht e njëjtë sikur në atë kohë, insistimi i administratës Trump për mbajtjen e takimit, tregon për vendosmërinë amerikane për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes vendeve, me fokus në dimensionin ekonomik”, tha ai.

Cakolli tha më tej se marrë parasysh intensitetin dhe dinamikën e shtuar të zhvillimeve në SHBA për shkak të zgjedhjeve presidenciale atje, beson që mundësia e arritjes së një marrëveshje në këtë takim, apo takimet tjera pasuese, janë më se reale.

Duke folur për zhvillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel dhe për bisedimet në Washington, ai tha këto procese janë komplementare me njëra tjetrën, meqenëse trajtojnë aspekte të ndryshme të marrëveshjes përfundimtare.

“Sidoqoftë, përkundër mundësisë për arritjen e marrëveshjes për çështje ekonomike nën ndërmjetësimin amerikan, një dinamikë e njëjtë nuk konsideroj që mund të zhvillohet edhe në kuadër të procesit të dialogut politik, mbase edhe për shkak të ndjeshmërisë më të madhe të temave që do të trajtohen”, tha më tej Cakolli.

Por, sipas tij, nëse vazhdohet me angazhim të veçantë nga Gjermania dhe Franca, edhe procesi i lehtësuar nga BE do të jetë më konkludues se ai që ishte zhvilluar që nga viti 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat