Profesori Bytyçi për marrëveshjen në Maqedoni: Rama hidhet përpjetë si aktor i kësaj historie jo historike!

Aktuale

Profesori Bytyçi për marrëveshjen në Maqedoni: Rama hidhet përpjetë si aktor i kësaj historie jo historike!

Nga: G.B Më: 19 gusht 2020 Në ora: 11:34
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Profesori universitar, Enver Bytyçi, ka reaguar për marrëveshjen e djeshme në Maqedoni, derisa e sheh si hap pozitiv atë, sa i përket avancimit të konceptit se në krye të ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut mund të jetë gjithashtu një shqiptar, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se njëqind ditët në krye të ekzekutivit të këtij vendi të një shqiptari nuk thonë asgjë për përmbajtjen e qeverisjes, edhe sikur ky shqiptari kryeministër të zbresë prej qielli.

Më tej, profesori ka thënë se një akt i tillë simbolik nuk mund të konsiderohet historik, por si të tillë e pranojnë Rama dhe Ahmeti dhe mjerimi është se Rama hidhet përpjetë si aktor i kësaj historie.

Postimi i tij i plotë:

Për nxehje: - 100 ditë kryeministër! Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev shpallën koalicionin midis LSMD-së dhe BDI-së me 61 deputetë së bashku dhe njoftuan si kompromis "historik" faktin që në 100 ditët e fundit të shthurjes së shtetit, për shkak të zgjedhjeve, Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar!

Unë e konsideroj një hap pozitiv këtë marrëveshje sa i përket avancimit të konceptit se në krye të ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut mund të jetë gjithashtu një shqiptar. Por kjo është thjesht simbolika e kësaj marrëveshjeje. Njëqind ditët në krye të ekzekutivit të këtij vendi të një shqiptari nuk thonë asgjë për përmbajtjen e qeverisjes, edhe sikur ky shqiptari kryeministër të zbresë prej qielli.

A mund të konsiderohen simbolikat si akte "historike?! Sigurisht që jo. Megjithatë ideologjia, propaganda, përceptimi, metoda dhe mjeti politik i së majtës së Edi Ramës dhe Ali Ahmetit e pranojnë si historike edhe një akt të tillë simbolik! Mjerimi nuk vjen nga ajo marrëveshje që synon mashtrimin e shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimin e një imazhi të rremë për Ali Ahmetin. Mjerimi i gjithë kësaj maskarade merr dimensione të çuditshme, kur kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, hidhet përpjetë si aktor i kësaj historie jo historike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat