Ahmeti thotë se në Prishtinë ka trend të rritjes së rasteve me COVID-19 dhe fataliteteve

Aktuale

Ahmeti thotë se në Prishtinë ka trend të rritjes së rasteve me COVID-19 dhe fataliteteve

Më: 19 gusht 2020 Në ora: 14:13
Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se nga të dhënat e Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, ka rritje të rasteve me COVID-19 dhe fatalitet.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti njofton se prej marsit deri sot janë 3724 raste me koronavirus prej të cilave 1480 raste janë ende aktive. 

“Po vazhdon trendi i rritjes së rasteve e reja me #covid19 dhe fataliteteve si pasojë dhe kjo është thirrje për më shumë kujdes e disciplinë mes nesh! Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 3724 raste me #covid19 prej të cilave 1480 raste janë ende aktive. Kemi 2209 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 35 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, shkruan Ahmeti.

Mbajtja e maskës, thotë kryetari i Prishtinës, dezinfektimi i duarve dhe respektimi i distancës fizike mbeten tri rregullat kryesore dhe masat mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë.

“Të gjithë, pa përjashtim, e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm”, përfundon Ahmeti.

Sipas tabelave të publikuara nga Ahmeti, grupmoshat më të prekura me COVID-19 dhe të vdekur janë prej moshës 25-44.

Nga kjo, prej grupmoshave që kanë vdekur më së shumti në Prishtinë janë nga 25-34.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat