Aksioni i policisë, zbulohen 13 fëmijë të trafikuar në dy shtëpi në Prishtinë

Aktuale

Aksioni i policisë, zbulohen 13 fëmijë të trafikuar në dy shtëpi në Prishtinë

Më: 19 gusht 2020 Në ora: 14:52
Ilustrim

Policia e Kosovës ka kontrolluar dy shtëpi në Prishtinë, ku dyshohej se mund të kishte viktima potenciale të trafikimit me qënie njerëzore. Në këto dy lokacione, policia ka gjetur 26 persona, prej të cilëve 13 fëmij.

Policia ka njoftuar se fëmijët e gjetur kanë pasur lidhje familjare dhe vinin nga Shqipëria.

“Policia e Kosovës, gjegjësisht: Sektori Qendror për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, të përkrahur nga zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale-Prishtinë, më 18.08.2020, me urdhër të gjykatës kanë kontrolluar dy lokacioneve (shtëpi) në Prishtinë, me qëllim të verifikimit të informacioneve se në ato shtëpi qëndrojnë disa shtetas të huaj, të cilët mund të ishin viktima potenciale të trafikimit me qenie njerëzore. Policia, në ato dy lokacione ka hasur në 26 (njëzet e gjashtë) persona, prej tyre 13 fëmijë, të cilët ishin kryesisht në lidhje familjare dhe vinin nga Shqipëria”, njofton policia.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se në mesin e këtyre personave është hasur një 21-vjeçar nga Shqipëria i cili po bashkëjetonte me një 13-vjeçare nga Greqia.

“Në mesin e këtyre personave është hasur edhe i dyshuari M.S. (viti i lindje 1999) shtetas i Shqipërisë, i cili ishte duke bashkëjetuar me një shtetase të Greqisë të moshës 13 vjeçare. Policia në konsultim me prokuroren e rastit ka iniciuar veprën penale ‘bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet’. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa viktimës i është ofruar strehim dhe trajtim sipas Proceduarve Standarde Vepruese të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore. Po ashtu, përmes ILEC-ut është njoftuar zyra greke në Prishtinë për shtetasen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Kurse, 24 (njëzet e katër) persona të tjerë të hasur në ato dy lokacione, janë trajtuar nga zyrtarë policorë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj. Të njëjtit, përmes PKK Vërmicë, janë kthyer në Shqipëri”, thekson njoftimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat