Shtesat për mjekët që u morën me pacientët me Covid-19, kritikohet Ministria e Shëndetësisë

Aktuale

Shtesat për mjekët që u morën me pacientët me Covid-19, kritikohet Ministria e Shëndetësisë

Më: 19 gusht 2020 Në ora: 20:34
Foto ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë para shtesë për dy muaj atyre që janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19, po shihet si vendim i cili çon në shkëputjen e zinxhirit të stafit shëndetësor.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se këto shtesa do t’i marrin vetëm profesionistët nga IKSHPK-ja, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Departamenti i Shëndetësisë në Burgje, SHSKUK-ja dhe spitalet e përgjithshme si njësi të saj, si dhe QKMF-të në komuna.

Procesin e kategorizimit MSH-ja ua ka deleguar drejtorëve dhe menaxherëve të spitaleve e qendrave mjekësore në vend.

“Nga vendimi e shihni se shtesa ju takon mjekëve, infermierëve dhe teknikëve, të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me COVID-19. Vendimi është i qartë, ndërsa sipas tij, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht. Institucionet janë duke i përgatitur dhe dorëzuar këto lista në MSH, në mënyrë që ato pastaj t’i përcillen MF-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Një selektim të tillë e ka kritikuar edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, të cilët kanë njoftuar se për këtë vendim të ekzekutivit janë ankuar edhe tek Avokati i Popullit, i cili tashmë e ka pranuar këtë ankesë.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, ka kritikuar ekzekutivin se po e degradon situatën e shtesave për mantelbardhët.

“Shëndetësia është një zinxhir, i cili nuk mund të ndahet, çdo shkëputje do të thotë dështim. Me COVID i kemi mbi 1100 punëtorë shëndetësorë, duke filluar nga pastrues, infermierë e mjekë, dhe unë nuk po e di se kush po e merr guximin me bo këtë ndarje. Si federatë ne në vazhdimësi kemi reaguar që të mos e bëjnë një ndarje të tillë, sepse është e padrejtë dhe një shkelje e të drejtave të njeriut. Po ashtu, kemi apeluar tek Asociacioni i Komunave që të ndërmarrin masa në lidhje me këtë dhe mos të bëjnë diferencime të tilla”, ka thënë Syla.

Syla ka thënë se po ushtrohet presion te menaxherët e spitaleve që t’i dorëzojnë listat e përgjysmuara për ndarjen e këtyre mjeteve.

“Ne kemi apeluar tek ta që të mos i bëjnë këto lista, sepse dikur dikush do të përgjigjet edhe penalisht. Çdo protestë që po zhvillohet është e arsyetuar, dhe me këtë rast bëjë apel tek menaxherët që të mos shantazhojnë dhe mos të bëjnë presion, grevë nuk do të ketë për shkak të situatës me pandeminë. Parimi është ky, ose t’i japin të gjithëve ose askujt”, ka thënë ai.

Në shenjë pakënaqësie se nuk janë përfshirë në këtë listë të shtesave, ditëve të fundit mantelbardhët kanë protestuar në Prishtinë dhe Lipjan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat