Haradinaj-Stublla: Nuk ka kërkesë për vizitën e Vuqiçit në Kosovë

Aktuale

Haradinaj-Stublla: Nuk ka kërkesë për vizitën e Vuqiçit në Kosovë

Më: 26 gusht 2020 Në ora: 14:49
Meliza Haradinaj-Stublla

Gjatë ditës është raportuar se të enjten, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuqiçi do të shkoj tek Liqeni Ujmanit.

Por në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë kanë thënë se në zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ai nuk ka bërë kërkesë për të vizituar Kosovën.

Megjithëse, ministrja e MPJD, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se edhe sikur të kishte kërkesë për lejimin e vizitës së Vuçiçit në Kosovës, ajo do të konsiderohej provokuese dhe kundërproduktive dhe si e tillë e parealizueshme.

“Gjithsesi, në javën kritike kur Kosova bën përpjekje për të ndërtuar unitetin politik e institucional për takimin trilateral me Serbinë në Washington, nën lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, vizitat potenciale do të konsideroheshin si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtar kanë ndërmarrë”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Tutje në një komunikatë për media nga kjo ministri thuhet se bazuar në marrëveshjen për vizitat zyrtare e arritur në Dialogun e Brukselit më 14 nëntor 2014, zyrtarët serbë janë të detyruar që të bëjnë kërkesat me shkrim rreth vizitave të tyre në Republikën e Kosovës.

“Kërkesa duhet parashtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Zyra jonë Ndërlidhëse në Serbi, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pika 2/a e marrëveshjes e saktëson se për grupin e parë të zyrtarëve (që përbëhet nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, kryetari i kuvendit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes) kërkesa duhet të bëhet të paktën 72 orë përpara”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Haradinaj Stublla duke potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar si palë konstruktive në avancimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, ka kujtuar se Kosova dhe resurset e saj natyrore janë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, prandaj nuk do të bëhen asnjëherë plato e defilimeve provokuese për të tentuar avancimin e interesave që i përkasin shekullit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat