MSh: 500 mijë persona do të vaksinohen kundër gripit sezonal

Aktuale

MSh: 500 mijë persona do të vaksinohen kundër gripit sezonal

Më: 29 gusht 2020 Në ora: 21:38
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë tashmë ka bërë porosinë e parë për furnizim me vaksinat kundër gripit sezonal.

Aktualisht këtu mund të shihet vetëm ndonjë fëmijë që është vaksinuar. Por së shpejti, në repartin e Vaksinimit në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, pritet të vaksinohen edhe pacientë të moshave tjera.

Bëhet fjalë për procesin e vaksinimit kundër gripit sezonal.

Në një përgjigje për T7, drejtori i QKMF-së, Rrezart Halili, ka thënë se presin që në tetor të fillojë vaksinimi kundër gripit, ndryshe nga viti i kaluar kur ka pasur vonesa për këtë proces.

E në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për shkak të situatës me Covid-19, janë përkujdesur që të porosisin vaksinat më herët.

Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri, pohon se tashmë porosia e parë është bërë përmes UNICEF-it, e së shpejti pritet që ky institucion të blejë edhe sasi tjetër të vaksinave.

Sipas Hotit, është e rëndësishme që kategoritë e ndjeshme të vaksinohen kundër gripit, që të mos vështirësohet gjendja e tyre shëndetësore edhe në rast se këta persona preken me Covid-19.

Është Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ai që ruan vaksinat kundër gripit në kushtet e nevojshme dhe pastaj në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë bën furnizimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në gjithë territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat