Kurti: Nuk presim dobi as drejtësi nga delegacioni që e la Kosovën në mjerim për të vrapuar pas Vuçiqit

Aktuale

Kurti: Nuk presim dobi as drejtësi nga delegacioni që e la Kosovën në mjerim për të vrapuar pas Vuçiqit

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 15:37
Albin Kurti

(E plotësuar) - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nga delegacioni i Republikës së Kosovës i cili tashmë ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet as drejtësi e as dobi, pasi e kanë lënë vendin në mjerim në kohën e pandemisë.

Kurti gjatë konferencës për medie tha se ky delegacion, të cilin ai e quajti enorm, nuk ka legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën.

“Nuk ka udhëheqje e marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve. Ne nuk presim as dobi e as drejtësi nga një delegacion që e la Kosovën si mos më keq në kohën e pandemisë e në mjerim, për vrapuar pas Vuçiqit për njohje të Zajednicës. Delegacioni nga Kosova siç e kemi parë është i çorientuar, paralelisht deklarojnë katër gjëra të ndryshme, në mos edhe kontradiktore”, tha Kurti.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike, pa qenë edhe politike, duke theksuar se negociatat do të mbahen në prezencën e këshilltarit për siguri, e jo të një këshilltari për ekonomi.

“U tha që marrëveshja do të jetë vetëm ekonomike. Mirëpo, nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike që nuk është edhe politike. Që nga statusi i palëve që nënshkruajnë marrëveshjen, te përmbajtja e marrëveshjeve, karakteri politik është i pashmangshëm. Këto negociata që janë paralajmëruar do të mbahen në prezencë të këshilltarit për siguri e jo në prezencë të këshilltarëve për ekonomi. Për këto negociata nuk ka transparencë, nuk dihen agjenda e formati, nuk dihet përmbajtja e qëllimi”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, pala kosovare nuk ka legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as përgatitje për këto negociata.

“Delegacioni nga Kosova nuk ka platformë të diskutuar e të aprovuar në Kuvendin e Republikës. Këta të delegacionit nuk ke as sesi i quan tradhtar në të ardhmen. Zotëri Hoti, përkatësisht kryeministri Koti mund t’i tradhtojë vetëm ata 25 mijë votues të tij. Delegacioni nga Kosova i përbërë nga politikan e gazetar, duke i shpallur ndërmjetësit dashuri të njëanshme dhe besim apsolut, ja uli vetes pozicionin para fillimit të bisedimeve. Emisari Grenell tash konsideron që palën kosovare e ka, ndërsa duhet të ja shuaj pakënaqësinë e ankesat e kërkesat veç  palës serbe”, tha kreu i LVV-së.

Kurti u shpreh se “Edhe mbledhjet e kryesisë të partive politike, kanë rend dite që dihen përpara, se lëre më marrëveshjet ndërkombëtare. Delegacioni shkoi tri ditë para se të ishte takimi. Ky është një turizëm qeveritar. Delegacioni është enorm dhe shumëfish më i madh sesa ai i Serbisë”. 

***

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka hedhur kritika të mëdha ndaj delegacionit Kosovar që do të marr pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Kurti delegacionin Kosovar e ka quajtur pa legjitimitet e të papërgatitur duke shtuar se negociatat e vërteta në Shtëpinë e Bardhë janë duke u zhvilluar mes ShBA’së dhe Serbisë pa Kosovën.

“Pala kosovare nuk ka legjitimitet e as përgatitje, kurse nuk ka transparencë, nuk dihet agjenda e formati. Ky është një turizëm qeveritar me para të shtetit dhe të popullit. Delegacioni është enorm për nga numri I pjesëmarrësve dhe shumëfish më I madh se ai serb. Negociatat e vërteta janë ndërmjet ShBA’së dhe Serbisë dhe delegacioni Kosovar është ndërmjetësuesi, gjithsesi i panevojshëm”, ka thënë Kurti.

Ai poashtu është shprehur se marrëveshje me Serbinë nuk mund të ketë pa fituesin e zgjedhjeve.

“Nuk ka marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve, Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje tjera të pa implementueshme  Jemi të bindur se as qytetarët nuk presin gjë prej tyre”, u shpreh Kurti.

Kurti sërish ka sulmuar Emisarin Special Richard Grenell pasi ky i fundit tha se të gjitha temat janë të hapura për diskutim në takim.

“Emisari Grenell konsideron se palën kosovare e ka, ndërkaq duhet t’ia shuaj paknaqësitë palës serbe. Gjithashtu është shumë I dëshmëm deklarimi që tha se jemi të hapur që të shtrohet para nesh secila temë Temat përcaktohen paraprakisht sepse duhet dakordim paraprak për to”, tha Kurti.

***

Vetëvendosje do të mbajë një konferencë për media para nisjes së takimeve në Uashington mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra për media e këtij subjekti, shkruan lajmi.net.

Konferenca do të mbahet në orën 16:00.

Ndërkaq, nuk dihet se cila do të jetë tema për të cilën do të flitet në këtë konferencë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat