Heronjtë e Kosovës, policët e rënë në detyrë dekorohen nga presidenti Thaçi

Aktuale

Heronjtë e Kosovës, policët e rënë në detyrë dekorohen nga presidenti Thaçi

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 13:03
Heronjtë e Kosovës, policët e rënë në detyrë dekorohen nga presidenti Thaçi

Në 21-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shpallur heronj të gjithë policët e rënë në detyrë.

Këtë vendim të kreut të shtetit e bëri të ditur Këshilltari i presidentit për siguri, Bashkim Smakaj, në ceremoninë e 21-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Smakaj: Thaçi me dekret presidencial i ka shpallur heronj të gjithë policët e rënë në detyrë

“Me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore me dekret presidencial të gjithë policët e rënë në krye të detyrës i ka shpallur heronj të Kosovës në shenjë nderimi dhe sakrificës në shërbim të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu tha se Policia e Kosovës pas 21 vitesh është ngritur në një institucion që është shembull për profesionalizëm dhe integritet jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Në këtë ceremoni Veliu i kujtoi edhe 21 policët që kanë humbur jetën derisa ishin në krye të detyrës, për çka tha se secili nga këta policë është kujtesë për rreziqet me të cilat ballafaqohen.

Veliu: Të promovojmë një vizion të një policie moderne dhe kredibile

“Ne i shikojmë me respekt dhe mirënjohje dhe e kuptojmë borxhin e madh që u kemi atyre. Respekti, integriteti, profesionalizmi dhe përkrahja për shtetin ligjor i bënë ata përfaqësues të asaj që është thelbësisht e mirë në shoqërinë tonë... Le të bashkohemi për të shërbyer, për ta bërë shtetin tonë më të ndritshëm, më të sigurt dhe më shpresëdhënës për të gjithë qytetarët e saj. Besoj se tani është koha të shkojmë një hap përpara, të shkojmë përtej, dhe të fillojmë të promovojmë një vizion të ri e ky vizion është një polici moderne, kredibile të ndërtuar mbi parimet e policimit demokratik por edhe partner i besueshëm për qytetarët e Kosovës, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë. Republika e Kosovës nuk është tashmë vetëm konsumuese e sigurisë por është faktor stabiliteti dhe kontribuues në iniciativa rajonale të sigurisë”, theksoi Veliu.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, rrugëtimin e PK-së e ka konsideruar si një histori suksesi në arenën ndërkombëtare. Qalaj shprehu përkushtimin e këtij institucioni për të qenë gjithmonë në shërbim të ofrimit të sigurisë për qytetarët e Kosovës.

Drejtori i Policisë së Kosovës u zotua se pjesëtarët e Policisë së Kosovës do t’i sjellin kriminelët para drejtësisë. Ai ka thënë se edhe sot pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të angazhuar në luftën kundër pandemisë.

Qalaj: Kriminelët do i sjell para drejtësisë

“Rrugëtimi për këto 21 vite nuk ka qenë i lehtë, ka pasur sfida të vazhdueshme, ndërtimi i një organizate policore kredibile dhe profesionale ka qenë dhe është vazhdim i misionit dhe mision i vazhdueshëm për ne... Kriminelët normalisht që nuk zgjedhin rrugë, ata atakojnë policët e patrullat që kujdesën për qytetarët në lagje, fshatra, qytet, në komunikacion. Policët që zhvillojnë hetimet dhe policët që tentojnë që sovranitetin e vendit ta shtrijnë në çdo qoshe të këtij vendi, dhe kriminelët atë detyrë kanë, por policia ka për detyrë që këta kriminelë t’i sjellë para drejtësisë dhe do ta bëjë, është duke e bërë, dhe do e bëjë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Kreu i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu tha se të jesh polic nuk është e lehtë pasi që detyra e tij është të mbrojë shoqërinë dhe të zbatojë ligjin.

Braathu: Nuk është një profesion i lehtë të jesh zyrtar policor

“Nuk është një profesion i lehtë të jesh zyrtar policor, është një profesion i vështirë, është një profesion që ta teston integritetin deri në palcë dhe është një profesion që të vë në rrezik, sepse jo të gjithë qytetarët janë të mirë, të respektueshëm dhe i detyrohen ligjit, në çdo vend ka të tillë, dhe roli i zyrtarit policor është të na mbrojë, të mbrojë shoqërinë, ndonjëherë mund të themi vija e hollë blu midis kaosit, anarkisë dhe rendit për të zbatuar ligjin. Është një profesion fisnik, madje do të shkoja më tej dhe do të thosha se është një thirrje fisnike, një thirrje që përfshin të gjithë familjen, për të mirën e familjes në të vërtetë por edhe për të mirën e shoqërisë”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më herët i ka shpallur heronj dy policët e rënë në detyrë, Izet Demaj dhe Enver Zymberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat