Haradinaj-Stublla: Njohja e Kosovës nga Izraeli, hap historik në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës

Aktuale

Haradinaj-Stublla: Njohja e Kosovës nga Izraeli, hap historik në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 23:23
Meliza Haradinaj-Stublla

Njohja e Kosovës nga Izraeli është hap historik në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë të ri, si dhe avancimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë drejtime.

Kështu është shprehur në Washington Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kosovës Meliza Haradinaj Stublla pas njoftimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për njohjen e Kosovës.

“Miqësia historike që kemi pasur me Izraelin, si dy popuj liridashës, lindi nga Besa e dhënë, kur hebrenjtë e persekutuar gjatë luftës së dytë botërore, gjetën shtëpinë e tyre mes shqiptarësh, shtëpi që është e Zotit dhe e mikut”.

Kryediplomatja e Kosovës tha se me ndërmjetësimin e SHBA-ve, veçanërisht presidentit Donald Trump, por edhe me lidhjen e fortë ndër dekada midis dy popujve e shteteve, njohja reciproke Kosovë – Izrael u kapitalizua me gurthemelin mbi të cilin do ndërtohen e forcohen marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Mezi pres të hapim Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, tha Haradinaj-Stublla duke e falënderuar edhe njëherë Izraelin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe SHBA-të për ndihmën e dhënë Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat