Hoti e Vuçiq me deklaratë të përbashkët, ja për çfarë zotohen

Aktuale

Hoti e Vuçiq me deklaratë të përbashkët, ja për çfarë zotohen

Më: 7 shtator 2020 Në ora: 11:02
Hoti, Borrell dhe Vuçiq

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, janë zotuar të dyfishojnë përpjekjet e tyre në dialogun e ndihmuar nga BE-ja.

Në një deklaratë të përbashkët në emër të tyre të lëshuar nga BE-ja para takimit në Bruksel sot, është thënë se të dy palët e kanë prioritetin më të lartë integrimin në BE dhe të vazhdohet dialogu.

“Në rastin e vazhdimit të dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, presidenti Aleksander Vuçiq dhe kryeministri Avdullah Hoti, ia kanë konfirmuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri/zëvendës-presidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, se e kanë prioritetin më të lartë integrimin në BE dhe të vazhdohet puna në dialogun e ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, që është element kyç i rrugëve të tyre në BE. Po ashtu u zotuan të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtim të mëtejshëm në BE në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse. Në këtë drejtim, dokumentet e firmosura në Washington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me dialog që kanë marrë dy palët, do të mund të ofrojnë një kontribut të dobishëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e postuar nga BE-ja.

***

Në Bruksel po zhvillohen sot (7 shtator) takimet në nivelin e lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga i cili Bashkimi Evropian pret edhe rezultate konkrete.

Tashmë ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Një takim bilateral me zyrtarët e BE-së më pas do e zhvillojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh, më saktësisht takimi i Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat