U shpall fajtore për raportim të rremë të pasurisë, Gjykata e Apelit merr vendim për rastin e ministres Haradinaj-Stublla

Aktuale

U shpall fajtore për raportim të rremë të pasurisë, Gjykata e Apelit merr vendim për rastin e ministres Haradinaj-Stublla

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 11:19
Meliza Haradinaj-Stublla

Gjykata e Apelit ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin e ministres së Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila një vit më parë ishte shpallur fajtore për raportim të rremë të pasurisë.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në komunikatën për media.

Gjykata e Apelit thekson se Gjykata Themelore, e kishte shpallur fajtore të akuzuarën, rreth një vit më parë, për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”. Për këtë ajo ishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht, në afatin e verifikimit prej 1 viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1,000 eurove.

Gjykata e Apelit thekson se ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat