Berisha: Rreth 722 fëmijë të infektuar me coronavirus në Kosovë, aktualisht 35 janë të hospitalizuar

Aktuale

Berisha: Rreth 722 fëmijë të infektuar me coronavirus në Kosovë, aktualisht 35 janë të hospitalizuar

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 16:31
Merita Berisha

Drejtoresha e Departamentit të Mjekësisë Sociale në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Merita Berisha gjatë intervistë ka folur edhe për numrin e fëmijëve në Kosovë, të prekur me coronavirus.

Berisha tha se deri më tani nga të dhënat e grumbulluara janë rreth 722 fëmijë të prekur me COVID-19.

Sipas saj, aktualisht të hospitalizuar me COVID-19 janë 35 fëmijë, ndërsa një ka përfunduar me fatalitet.

“Duhet të kujdesemi që të përfillim të gjitha kriteret me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe parandalimin e infeksionit. Kemi pas raste dhe të fëmijëve me infeksione që kanë rezultuar pozitiv. Deri më tani nga të dhënat e grumbulluara i kemi rreth 722 fëmijë, ndërsa të hospitalizuar i kemi 35 fëmijë dhe ata varësisht nga grup moshat. Një numër më i madh i tyre është në grup moshën prej 0 deri pesë vjeç. Njëkohësisht e kemi pas dhe një rast nga kjo grup moshë që ka përfunduar me fatalitet”, ka thënë Berisha.

E pyetur se a duhet të vijojnë mësimin në shkolla fëmijët me probleme shëndetësorë si astma, diabeti etj, ajo tha: “Edhe për këtë grup të fëmijëve që kanë probleme shëndetësore është e paraparë në Udhëzuesin e hartuar nga MASH. Krejt kjo është individuale sepse varet nga situata epidemiologjike në të cilën është në përgjithësi. Por gjendjen individuale të nxënësit e përcakton mjeku i cili e përcjell dhe e rekomandon si të veprohet më tutje. Ndryshe, Udhëzuesi e liron këtë grup të fëmijëve dhe i mundëson që të ndjek mësimin në mënyrë virtuale”.

E sa i përket qasjes që duhet pasur me fëmijët nga ana e prindërve dhe e mësimdhënësve për situatën pandemike, Berisha tha se duhet pasur kujdes se si diskutohet me fëmijët.

“Me fëmijët duhet të kemi kujdes se si të diskutojmë. Si Institut kemi përgatitur materiale edukativo-shëndetësore, poster e broshura për informata shëndetësorë si për nxënësit dhe mësim dhënësit dhe për gjithë komunitetin. Duhet të jemi shembull ne si shoqëri me respektimin e rregullave, dhe duke i qëndruar afër fëmijëve, duke bashkëbiseduar. Fëmija duhet ta ndjej veten të sigurt”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Në rast se ndonjë nxënës ose mësimdhënës rezulton pozitiv në testin për COVID-19, Berisha sqaroi: “Edhe kjo është e përshkruar qartë në Udhëzuesin e MASH. Nëse kemi një rast të tillë, çdo shkollë obligohet që ta ketë hapësirën ku do të vendoset nxënësi apo mësimdhënësi dhe do të ftohet nëse është fjala për nxënësin do të ftohet prindi, do të kontaktohet qendra kryesore e Mjekësisë Familjare, Drejtoria e kështu me radhë dhe pastaj dhe do të përfillen masat sipas manualit të cilat janë në fuqi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat