Flasin nga Ambasada gjermane rreth zhvillimeve të fundit për dialogun, ja çka thonë për vizat

Aktuale

Flasin nga Ambasada gjermane rreth zhvillimeve të fundit për dialogun, ja çka thonë për vizat

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Gjermania vazhdon të mbetet përkrahësja më e madhe e Kosovës në BE sa i përket liberalizimit të vizave. Ambasada gjermane në Kosovë ka thënë se qëndrimi gjerman për vizat mbetet i pandryshuar dhe liberalizimin e tyre e mbështesin, megjithatë vendimi për heqjen e tyre mbetet tek vendet anëtare të Këshillit të Bashkimi Evropian, e futja e çështjes së vizave në agjendën e Këshillit nuk dihet ende se kur do të bëhet.

Kryeministri Avdullah Hoti dje ka qëndruar për vizitë zyrtare në Bruksel ku është takuar me përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Theksi i takimeve në PE nga Shefi i qeverisë ka qenë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Hoti ka deklaruar dje se Franca dhe Holanda janë shtetet që ende hezitojnë për të qenë pro heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Kryeministri i Kosovës tha për Euronews Albania se pavarësisht se Komisioni Europian ka vite që e mbështet liberalizimin e vizave dhe se janë vetëm vende si Franca apo Holanda që po pengojnë këtë proces. Hoti u shpreh se po punohet me dy vendet në nivel ministror që të binden se kushtet e imigrimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar janë përmbushur dhe po mbeten të tilla.

Ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Express ka vlerësuar kontributin e përfaqësuesve të BE’së në progresin e bërë në dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se momentumi pozitiv i bisedimeve duhet të ruhet në takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në fund të këtij muaji.

“Ne parimisht i përshëndesim të gjitha kontributet për përmirësimin e raporteve dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në veçanti i mbështesim përpjekjet për ndërmjetësim të të Dërguarit të Posaçëm të BE-së, Lajcak. Rishtazi lidhur me këtë ka pasur biseda në mes të ekspertëve dhe takime të Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Hoti me Përfaqësuesin  Lartë Borell dhe me të Dërguarin e Posaçëm Laicak në Bruksel. Ka pasur lajme inkurajuese për progresin e arritur në bisedimet e udhëhequra nga BE në Bruksel. Tani është tejet e rëndësishme që të ruhet momentumi pozitiv për takimet e ardhshme në nivel ekspertësh dhe të nivelit të lartë nga fundi i këtij muaji në Bruksel”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Kurse sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, qëndrimi i Gjermanisë mbetet i pandryshuar dhe shteti më i fuqishëm në BE e mbështet lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen.

“Qëndrimi gjerman sa i përket liberalizimit të vizave mbetet i pandryshuar: Ne e mbështesim liberalizimin e vizave në bazë të përmbushjes së kritereve të vendosura. Vendimi për liberalizimin e vizave është brenda detyrave të shteteve anëtare të Këshillit të Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në përgjigje.

Gjermania nga 1 korriku udhëheqë me Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, institucioni kryesor që vendosë për çështjen e liberalizimit të vizave.

Në presidencën gjashtë mujore ka pritje të mëdha që Gjermania të shtyjë përpara në agjendë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat