Kundërshtoi marrëveshjen e Uashingtonit, Kurti deklarohet për njohjen shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

Aktuale

Kundërshtoi marrëveshjen e Uashingtonit, Kurti deklarohet për njohjen shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 18:37
Kurti, Osmani, Thaçi e Hoti

(E plotësuar) - Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar me një letër popullit të Kosovës me rastin e Vitit të Ri Hebraik.

Ai ka thënë se ia zgjatë dorën e miqësisë popullit të Kosovës dhe se zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Kosovës mund të jenë fillim i një epoke të re.

“Jam optimist se mund të arrijmë aq shumë duke punuar së bashku dhe është shpresa ime e sinqertë se do ta shohim këtë të realizohet. E vlerësoj thellësisht angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit hebraik në Kosovë për të na bërë më afër”, thuhet në letrën e kryeministrit izraelit.

Kundërshtoi marrëveshjen e Uashingtonit, Kurti deklarohet për njohjen shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar pozitive njohjen shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Në një ngjarje të organizuar në nderë të vitit të ri hebraik sot në Prishtinë, lideri i opozitës është shprehur se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë është hap i rëndësishëm në thellimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve.

“Njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës në historinë e miqësisë dhe të respektit ndërmjet popullit shqiptar dhe atij izraelit”, ka thënë Kurti. “E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe e ta ruajmë njerëzinë përball çdo dhune që na kërcënon”.

Në këtë ngjarje, pritet t’i adresohet pjesëmarrësve përmes një video-lidhjeje edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Rreth dy javë më parë, më 4 shtator, Netanyahu konfirmoi njohjen e Kosovës nga Izraeli përmes një bisede telefonike me homologun e tij, Avdullah Hotin. Njohja e Kosovës nga Izraeli u përfshi në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshjen e plotë, e konsideroi të dëmshme Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Thaçi: Njohja nga Izraeli forcon Kosovën si shtet

Presidenti Hashim Thaçi, me rastin e Vitit të Ri Hebraik, deklaroi sot se është nder për Kosovën që kjo festë po shënohet në Kosovë, me lajmin e shumëpritur të njohjes nga shteti i Izraelit.

Gjatë adresimit të tij në një event të organizuar për Vitin e Ri Hebraik, kreu i vendit tonë theksoi se miqësia historike mes dy popujve tanë po forcohet çdo ditë e më tepër dhe se po ndërtohet një urë e veçantë e komunikimit nga i cili do të përfitojnë Kosova dhe Izraeli.

“Shënojmë këtë manifestim madhështore me një moment historik për të dyja vendet. Do të kemi linja ajrore më funksionale, ka karakter të sigurisë, do të jemi në luftim të terrorizmit. Njohja e Izraelit ka një rëndësi strategjike, do të forcojë Kosovën dhe rolin e saj si subjektivitet i fuqishëm ndërkombëtar. Kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpinë e Bardhë", theksoi ai.

Ai theksoi se presidenti Donald Trump me marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë bëri atë që të tjerët për 20 vjet nuk kanë arritur ta bëjnë, në kohën kur të tjerët sipas tij ishin skeptikë me punën e emisarit amerikan për dialogun Richard Grenelli.

Ndërsa, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka uruar popullin izraelit me rastin e Vitit të Ri Hebraik, duke thënë gjatë luftës ishte populli i Izraelit ai i cili hapi rrugën për refugjatët nga Kosova.

"Nuk ka popull që kupton më mire vuajtjet e njëri tjetrit se sa populli i Izraelit dhe ai i Kosovës. Është lajm që edhe politika arriti stadin për të kurorëzuar miqësinë mes dy vendeve. Të festojmë të tashmen dhe të shpresojmë për një të ardhme më të mirë", tha ajo.

Edhe kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti tha se kjo festë është i veçantë, meqë sivjet i paraprin njohjes së Kosovës nga Izraeli.

"Përkujtoj se Republika e Kosovës është demokraci sekulare. Kësaj radhe viti i ri hebraik është i posaçëm. Shënon njohjen Kosovë-Izrael. Ne do të vendosim së shpejti marrëdhëniet tona me miqësore, me shtetin mik", u shpreh ai.

E, ish-kryeministri Albin Kurti theksoi se njohja nga Izraeli është hapi i parë i miqësisë.

"Ne në këtë festë me gjithë zemër urojmë bardhësi për bashkëkombësit tanë hebraikë. Njohja shtetërore do të jetë vetëm hapi i parë i miqësisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mbahet mend ndihma e kosovarëve për hebrenjtë, por edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, populli hebraik hapi dyert për të gjithë refugjatët. Të lidhemi miqësisht me njeri-tjetrin. Kosova ofron zemrën e vet të hapur për përparim të miqësisë, tha Kurti.

Osmani: S’ka dy popuj që i kuptojmë vuajtjet më mirë sesa populli ynë në Kosovë dhe ai në Izrael

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në festën e Vitit të Ri hebraik të komunitetit hebre në Prishtinë.

Ajo në një fjalim drejtuar atyre tha se populli shqiptar dhe ai izraelit e kuptojnë mirë dhimbjen e njëri-tjetrit dhe kërkoi që marrëdhëniet Kosovë-Izrael të kalojnë një fazë tjetër.

“Këtë vit sikurse çdo festë tjetër për popujt anë e kënd botës edhe kjo festë po festohet ndryshe për shkak të pandemisë. Por, pikërisht në frymën e kësaj feste uroj që besimi miqësi, solidariteti dhe optimisti të shndërrohet në udhërrëfyes për të gjithë ne dhe po ashtu të na gjejë të gjithëve ky vit në një stad më të avancuar në marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Izraelit”.

“Historia e dëshmon që për një kohë të gjatë, por në veçanti shtatë dekada më parë gjithë shqiptarët i qëndruan pranë popullit hebraik për t’i shpëtuar ata nga shfarosja. Para 20 vjetësh gjatë luftës në Kosovë kur populli i Kosovës po rrezikohej nga shfarosja, ishte pikërisht Izraeli dhe shtetet tjera që i dolën në krah”.

“S’ka dy popuj që i kuptojmë vuajtjet më mirë e më shumë sesa populli ynë në Kosovë dhe ai në Izrael. Është lajm dhe sihariq i mirë për të kurorëzuar një miqësi të gjatë mes dy popujve”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat