Thaçi e quajti “të rrezikshëm”, Hoti i përgjigjet për takimin e nesërm në Bruksel

Aktuale

Thaçi e quajti “të rrezikshëm”, Hoti i përgjigjet për takimin e nesërm në Bruksel

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 12:54
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Kryeministri Avdullah Hoti, ka dhënë një deklaratë të fuqishme sa i përket koordinimit me përfaqësues të institucioneve tjera për dialogun.

“Nesër nuk do të diskutohet për asociacionin dhe ju po merren me njerëz që nuk kanë informacion. Nesër nuk është një ditë e rrezikshme për Kosovën”, është shprehur Hoti.

Presidenti, Hashim Thaçi, drejtoi një varg kritikash sa i përket procesit që po zhvillohet në Bruksel, duke e cilësuar si “të rrezikshëm”.

Hoti i ikë përgjigjes për pyetjen në lidhje me akuzat për moskoordinim me Presidentin sa i përket negociatave që po zhvillon.

“Sdua të merrem me deklarimet e tyre. Është humbje kohe të merrem me opinione të pa bazuara poshtë e lartë. Kam kompetencat kushtetuese për të udhëhequr me dialogun. Kam ndërtu platformën për dialog dhe i kam informua partitë parlamentare, Kuvendin dhe dy herë presidentin e shtetit. Ku ka koordinim më të mirë se kaq. Besimi në bartësit e institucioneve është dëmtu për vite me radhë. Është dëmtu kredibiliteti tek institucioneve. S’kam hipoteka ndaj askujt, dhe ose ka me përfundu kjo marrëveshje ose unë nuk jam kryeministër”, është shprehur Hoti.

Këto komente ai i ka bërë gjatë një diskutimi me shoqërinë civile në lidhje me negociatat për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Hoti: Nesër në Bruksel nuk diskutohet për Asociacionin

Nesër në takimin në Bruksel mes palës së Kosovës dhe asaj serbe nuk do të diskutohet për Asociacionin, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti, gjatë diskutimit në platformën e organizuar nga organizatat e shoqërisë civile.

Delegacionet e dy vendeve do të takohen nesër në Bruksel në nivel të ekspertëve.

“Nesër në Bruksel diskutohet për çështjen e obligimeve financiare. Të gjitha obligimet financiare në mes të dy shteteve, përfshirë reparacionet e luftës, pensionet. Nesër nuk diskutohet në Bruksel për Asociacionin, nesër nuk është një ditë e rrezikshme për Kosovën.

Nuk jemi duke e hapur këtë marrëveshje, respektojmë një obligim kushtetues që e ka Kosova”, ka thënë Hoti, duke iu kundërpërgjigjur presidentit Hashim Thaçi, që tha se do të jetë me rrezik takimi i radhës në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat