Përfundon rigjykimi ndaj 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion

Aktuale

Përfundon rigjykimi ndaj 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ka përfunduar rigjykimi ndaj 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës që po akuzohen për veprën penale të pjesëmarrjes në grupin kriminal të organizuar lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, po akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010-2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkohen edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohet edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

Në këtë seancë, para deklarimit të palëve lidhur fjalën përfundimtare, trupit gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, mori vendim që të refuzojë propozimet për provat materiale nga ana e mbrojtjes të paraqitura në seancën e kaluar, nga avokati Hasim Loshi për të akuzuarit Mërgim Shala dhe Ibrahim Dobruna për Qemajl Pozhegun.

Gjykatësi Kalludra ka arsyetuar refuzimin e këtyre propozimeve për prova duke thënë se gjykata ka vlerësuar se nuk janë relevante për këtë çështje penale.

Tutje, prokurorja speciale Drita Hajdari ka vazhduar me fjalën përfundimtare duke deklaruar se mbetet në tërësi pranë asaj të dorëzuar me shkrim në gjykimin e mbajtur më 12 prill 2018, mirëpo ka theksuar se kishte bërë një ndryshim të tekstit të dispozitivit nga pika 1 deri në pikën 36 të aktakuzës, ku fjala “inspektorë të ndërtimit përgjegjës për zonën”, është zëvendësuar me “inspektorë të ndërtimit në zonën inspektuese”, ka thënë Hajdari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Hajdari ka shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit janë mbrojtur në atë mënyrë që e kanë bartur përgjegjësinë tek njëri-tjetri, por që sektori i inspekcionit të ndërtimit të Komunës së Prishtinës ishte organizuar ashtu që përgjegjësitë e tyre ishin përcaktuar në mënyrë zingjirore.

“Andaj, këtu nuk mund të bartet përgjegjësia tek njëri apo tjetri por janë përgjegjës të gjithë së bashku siç rezulton nga 36 dosje për ndërtimin e objekteve kryesisht banesore afariste dhe ndërtimeve të tjera, ku qartë shihet se të akuzuarit kënaqeshin me lëshimin e vendimeve, procesverbaleve, përderisa investitorët ndërtonin ato objekte ose ishin në fazën e avancuar të ndërtimit”, ka deklaruar prokurorja Hajdari.

Ajo ka përmendur edhe Ligjin për Ndërtim, duke thënë se sipas këtij ligji, asnjë ndërtim nuk guxon të niset pa lejen e ndërtimit, sepse gjatë ndërtimit, inspektorët e kanë për detyrë mbikëqyrjen e ndërtimit dhe me mos përmbushjen e detyrave të tyre ata e kanë sjellë komunën para aktit të kryer, që ishte edhe qëllimi i tyre, të përfundojnë ato objekte.

“Një kategori e objekteve që janë trajtuar në këtë aktakuzë, janë edhe tejkalime të lejeve të ndërtimit, rasti më dramatik është tek objekti “Hysi Group”, ku edhe siç u vërtetua nga shkresa e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, leja e lëshuar e ndërtimit përfshinë edhe një pjesë të tokës shoqërore, ndërsa tejkalimi i lejes së ndërtimit sipas matjeve së komunës përfshinë një sipërfaqe prej 1 mijë e 296 m2. Kjo nuk guxon të ndodhë në një shtet ligjor ku nuk funksionon inspekcioni i ndërtimit”, ka shtuar në fjalën e saj prokurorja speciale.

Lidhur me pjesën e pasurimit kundërligjor, Hajdari tha se janë dhënë arsyetime të mjaftueshme nga ana e prokurorisë dhe se në një situatë të tillë, konsideron se është vërtetuar në tërësi vepra penale dhe fajësia e tyre, andaj i ka propozuar gjykatës që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Gjithashtu, për pikën 4 të aktakuzës kundër të akuzuarit Pozhegu, prokurorja Hajdari ka deklaruar se edhe kjo pikë është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor për faktin se me krahasim të skicës së prezantuar, me të cilën i akuzuari kishte marr leje për ndërtim dhe skicës së gjetur në inspekcionin e ndërtimit, i njëjti ka shtuar edhe një objekt për të cilin nuk ka pasur leje dhe është e qartë se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Pas prokurores, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komuna e Prishtinës, Arbër Istrefi ka dhënë fjalën përfundimtare të tij, ku ka deklaruar se Komuna e Prishtinë ka pësuar dëm financiar nga fakti se disa nga objektet janë legalizuar ndërkohë në bazë të Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje për vitin 2014 dhe 2018.

Istrefi ka deklaruar se Komuna e Prishtinës do të mund të pësojë dëme financiare edhe në të ardhmen sepse ndërtimet të cilat kanë mbetur të pa legalizuara mund të legalizohen, andaj i njëjti i është bashkangjitur ndjekjes penale duke propozuar që pala e dëmtuar të udhëzohet në kontest civil.

Mbrojtja e të akuzuarve ka mbetur në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar në gjykimin e datës 12 prill 2018, duke kërkuar që të njëjtët të shpallen të pafajshëm, mirëpo ata janë deklaruar se kanë plotësime si dhe janë deklaruar lidhur me fjalën përfundimtare të prokurores Hajdari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi ka deklaruar se gjykata kishte marrë aktgjykim lirues për pikën 1 të aktakuzës dhe se aktgjykimi nuk mund të ndryshohet në dëmin e të akuzuarit sa i përket vlerësimit juridik të veprës ashtu edhe lidhur me sanksionin penal.

“Ju e nderuar gjykatë e dini se ky arrestim i këtyre personave nuk është bërë për t’i ndalur ndërtimet pa leje por me një qëllim tjetër. Arrestimi i të mbrojturit tim është bërë në orët e hershme të mëngjesit, gjithë gazetat e kanë dhënë lajmin se është arrestuar dhëndri i Isa Mustafës, madje pa ja përmendur emrin Ismet Halitit, në kohën e fushatave zgjedhore”, ka shtuar avokati Krasniqi.

“Ju gjykatë, gjatë administrimit të provave e keni parë që këta persona të ulur në bankën e të akuzuarve nuk e kanë pasur fuqinë që t’i kryejnë detyrat e tyre dhe e dini që kur të njëjtët kanë shkuar për të rrënuar një objekt, personi i cili është i lidhur me një parti politike dhe objekti i të cilit është dashur të rrëzohet u’a ka mbyllur policëve derën dhe nuk ka lejuar që ta rrënojnë objektin dhe asnjë veprim i policisë nuk është ndërmarr ndaj tij sepse nuk kanë guxuar”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai në vazhdim ka kundërshtuar deklarimin e përfaqësuesit të të dëmtuarës për legalizimin e një pjese të këtyre ndërtimeve duke thënë se ato nuk janë legalizuar por janë pajisur me lejen e ndërtimit.

Për të akuzuarin Skënder Canolli, avokatja Ibadete Veliqi ka shtuar se ndaj të mbrojturit të saj në asnjë formë nuk është vërtetuar fajësia e tij dhe elementet e veprës penale pasi që paratë dhe vetura e sekuestruar nuk kanë qenë personale të të akuzuarit Canolli.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Blerina Syla, avokati Halit Shaljani i ka propozuar gjykatës që të nxjerrë aktgjykim lirues për të mbrojturën e tij sepse vendimet e njëjta i kishte nxjerrë sipas rregullores dhe se aktakuza ka elemente kundërthënëse.

Avokati Ali Beka për të akuzuarin Vehbi Abdullahu ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim në gjykimin e parë dhe se nuk ka asgjë për të shtuar për procesverbal.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Blerim Ibishi, avokati Sahit Bibaj tha se gjatë këtij gjykimi nuk është provuar asnjë element i veprës penale duke u shprehur që punëdhënësi i të akuzuarit ka pasur kontrata me kompanitë për rrënime të ndërtimeve të kundërligjshme, referent për ekzekutimin dhe se ekzekutimi i rrënimeve është përcjellë edhe nga policia.

Bibaj ka shtuar se i akuzuari Ibishi ka mundur të ketë qenë prezent gjatë rrënimit, por nga asnjë dëshmi nuk është provuar se i akuzuari ka pasur kompetenca ta ekzekutojë aktin për rrënim apo se i njëjti ka përfituar në këtë proces.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Muhadri, avokati Emrush Kastrati në fjalën përfundimtare të tij në seancën e sotme ka deklaruar se gjykata duhet t’i ketë parasysh vërejtjet e Apelit, ku ndër të tjera ka kritikuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Tutje, edhe mbrojtësi i Arbenita Ajetit, avokati Labinot Murati ka kërkuar që e mbrojtura e tij të shpallet e pafajshme duke deklaruar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se Ajeti kishte ndërmarr veprime në kuadër të kompetencave të saj ligjore duke i theksuar edhe dëshmitë e dëshmitarëve.

Hasim Loshi, mbrojtësi i të akuzuarit Mërgim Shala ka shtuar për të njëjtin se banesën të cilën e ka blerë nga pronari dhe për të cilën ekzistojnë provat në shkresat e lëndës e kishte blerë nga të ardhurat nga biznesi që e kishte pasur në atë kohë dhe në bazë të kursimeve.

Seanca ka vazhduar me deklarimin e mbrojtësit të të akuzuarit Granit Cenaj, avokatit Ramë Gashi, i cili ka thënë se në shkresat e lëndës ka prova materiale të cilat hedhin poshtë si të paqëndrueshëm dhe të pabazuar pretendimin e akuzës se Cenaj ka kryer vepër penale duke mos vepruar.

Sipas Gashit, Granit Cenaj ka dalur në vend të ngjarjes, ka përpiluar procesverbale dhe ka nxjerrë vendime edhe me kërkesë për rrënim të objekteve pa leje edhe kërkesa për procedura ligjore.

Më pas, avokati Destan Rukiqi lidhur me të mbrojturën e tij, Drita Rukiqi ka thënë se konsideron se akuza nuk ka dyshim të bazuar dhe i ka propozuar gjykatës të nxjerr aktgjykim lirues për të njëjtën.

Ai ka shtuar se e akuzuara Rukiqi i kishte ndërmarr të gjitha veprimet që i kanë takuar dhe se me veprimet e saj nuk krijohet vepra penale e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar siç pretendon prokuroria.

Lidhur me të akuzuarin Qemajl Pozhegu, avokati Ibrahim Dobruna ka shtuar se janë paraqitur rrethana të reja faktike dhe juridike që lidhen edhe me elementin e dashjes dhe se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë dashjen direkte që ndërlidhet me elementet e veprës penale të supozuar të Pozhegut.

“Aktakuza është kontradiktore me vetveten, me provat e administruara, e veçmas me deklarimet e pjesëmarrësve dhe të dëshmitarëve. Nuk ka prova materiale për të vërtetuar se kush, çka ka falsifikuar, në raport me cilin veprim apo me cilin dokument janë ndërmarr veprimet konkrete, ashtu që prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë rolin e përgjegjësisë individuale të të akuzuarit e veçmas të veprimeve inkriminuese të veprës penale se kush ka qenë hartues i skicës”, ka shtuar në fjalën e tij avokati Dobruna.

Dobruna më pas ka deklaruar se cilësimi juridik i veprës penale është në kundërshtim me pretendimet akuzuese të Prokurorisë Speciale, me arsyetimin se nuk janë përmbushur elementet nga paragrafi 2 i nenit 398 të Kodit Penal sepse me këtë paragraf sipas tij është parashikuar forma e kualifikuar e veprës penale.

Ndryshe, shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do të bëhet më 18 shtator 2020, në ora 13:00.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 prill 2020, ish-shefin e sektorit të inspektoratit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Halitin, e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, Ismet Halitit i ishte konfiskuar edhe veturat dhe para në shumën prej 11 mijë eurosh si dhe pistoleta.

Skënder Canolli, ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skënder Canollit po ashtu i ishte konfiskuar, makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu më dy vjet burgim, Blerim Ibishi me dy vjet, Mergim Shala, me dy vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat