Denoncimi i punëtorit për rrahje nga Ramush dhe Daut Haradinaj, aktivizohet Prokuroria

Aktuale

Denoncimi i punëtorit për rrahje nga Ramush dhe Daut Haradinaj, aktivizohet Prokuroria

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 14:35
Ramush e Daut Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe vëllau i tij, Daut Haradinaj, që është deputet i AAK-së, po raportohet në media se janë të dyshuar për rrahjen e një punëtori të tyre para tre muajsh.

Në media sot u raportua se Daut e Ramush Haradinaj, në polici ishin lajmëruar nga një mjeke kujdestare, e cila kishte pasur në trajtim viktimën.

Siç kanë thënë nga Policia e Kosovës në një përgjigje, rasti në fjalë dyshohet se ka ndodhur më 22 qershor të këtij viti, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.

Fillimisht policia tregon, se rasti ishte iniciuar si “lëndim i lehtë trupor”, teksa nga ana e policisë ishte intervistuar viktima, nga ku më pas ishte njoftuar prokurori.

“Më, 22.06.2020 policia  është njoftuar se në rrugën “Dëshmorit e Kombit” në Prishtinë ka ndodhur rasti  ,, Lëndim i lehtë trupor’’ . Ankuesi në këtë rast, është intervistuar nga ana e policisë, është  njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore- Departamenti i Përgjithshëm i cili ka sugjeruar që rasti të iniciohet për veprën penalë si më lartë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Sidoqoftë, gati një muaj më pas, viktima kishte shkuar në polici, nga ku kishte dhënë deklaratë vullnetare që lënda të mbyllet.

Megjithatë, policia shpjegon, se për këtë rast, janë intervistuar pesë dëshmitarë.

“Në koordinim me prokurorin janë ndërmarrë veprimet si në vijim: Janë intervistuar pesë(5) dëshmitarë. Më 16.07.2020  në polici është vet-paraqitur ankuesi dhe ka dhënë deklaratë vullnetare i cili ka kërkuar që lënda të mbyllet”, thuhet tutje në përgjigje.

“Për te gjitha veprimet hetimore të lartcekura, më 21.07.2020 është konsultuar Prokurori i  Shtetit i cili ka kërkuar që lënda të skanohet dhe t’i dërgohet në adresë elektronike”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Megjithëse viktima kishte kërkuar që rasti të mbyllet, të gjitha shkresat e lëndës tashmë janë në prokurori, dhe më të njëjtat është duke u marrë ky organ ndjekës.

“Më datë 22.07.2020 të gjitha shkresat e lëndës janë skanuar dhe për mesë adresës elektronike janë dërguar  Prokurorit të Shtetit, po ashtu nga Prokurori i Shtetit është kërkuar udhëzim për veprime të mëtutjeshme. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, në bazë të udhëzimeve  të tij, do të veprohet lidhur me rastin”, ka thënë Policia e Kosovës.

Në lidhje me rastin ndërkaq nuk është deklaruar ende as Ramush e as Daut Haradinaj.

Ky i fundit aktualisht mbanë postin e deputetit në AAK, teksa vëllau i tij është kryetar partie, në të kaluarën kryeministër i vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat