​Ministri Krasniqi vizitoi fabrikën “Sharrcem”

Aktuale

​Ministri Krasniqi vizitoi fabrikën “Sharrcem”

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 15:32
Foto nga takimi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, së bashku me inspektorët e tregut ka vizituar sot fabrikën për prodhimin e çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit, ku me drejtues të kësaj fabrike ka biseduar për kushtet e punës, tregun dhe ndikimin e pandemisë në prodhim.

Ministri nga afër e ka parë procesin e prodhimit dhe funksionimin deri në paketim për shitje. Në takim me drejtorin teknik dhe stafin e tij biseduan për mundësitë ligjore për prodhuesit dhe investitorët, ku ministri u ka ofruar mbështetjen që prodhimet e Kosovës të jenë pjesë edhe e tregut ndërkombëtar dhe të jenë konkurrentë sa i përket cilësisë.

Krasniqi ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes me MSA-në janë përgatitur ligje që ua kanë mundësuar bizneseve, që prodhojnë produkte ndërtimore t’i plasojnë edhe në tregun e jashtëm.

“Kemi nxjerrë edhe udhëzimin administrativ, pikërisht për çimenton dhe sot nga afër menaxhmenti i kësaj kompanie na njoftoi se ka filluar së zbatuari dhe po i hap shumë mundësi dhe lehtësira për plasmanin e produktit të tyre në treg”, ka thënë Krasniqi.

Drejtori teknik i “Sharrcemi”, Behar Disha, ka falënderuar ministrin për vizitën dhe e ka informuar për punët dhe funksionimin e fabrikës.

“Sharrcem” aktualisht përmbush më shumë se 50 për qind të tregut të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat