Eskalon debati i Agim Veliut dhe Rexhep Selimit: Unë i mbaj mustaqet, por i pafytyrë si ti nuk jam

Aktuale

Eskalon debati i Agim Veliut dhe Rexhep Selimit: Unë i mbaj mustaqet, por i pafytyrë si ti nuk jam

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 07:27

(E plotësuar) -  ​Veliu tregon se kur do t’i marrin shtesat zyrtarët policorë

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka treguar se zyrtarët e Policisë së Kosovës do t’i marrin paratë shtesë brenda këtij muaji. Ai në interpelancën për rastin e hyrjes së xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës tha se janë dakorduar me Sindikatën e Policisë së Kosovës orët shtesë të papaguara deri më tani të paguhen me pagën e shtatorit.

Veliu: Jemi dakorduar që të paguhen orët shtesë të papaguara

“Ne kemi pas një takim me Sindikatën e Policisë së Kosovës. Jemi dakordua me ta që të paguhen orët shtesë të papaguara deri më tani më pagën e shtatorit. Po ashtu një shumë e mjeteve për të cilën jemi dakorduar do të paguhet me pagën e shtatorit. Ky është dakordimi që kemi bërë më sindikatën e Policisë”, tha ai.

Veliu i është kundërpërgjigjur edhe Ganimete Musliut, e cila tha se pas incidentit në Karaçevë nuk është mbajtur Këshilli i Sigurisë. Veliu tha se përveç se është mbajtur ky takim, është mbajtur edhe një konferencë përmes mjeteve elektronike.

***

Kanë vazhduar përplasjet mes deputetit të VV-së, Rexhep Selimit dhe ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, duke ia përmendur musteqet.

Selimi ka thënë se Albin Kurti nuk e ka shkarkuar Veliun pse ai mban musteqe.

Në një replikë, Agim Veliu i është kundërpërgjigjur atij, duke i thënë edhe “i pafytyrë”.

“Unë i mbaj mustqevet, por i pafytyrë si ti nuk jam”, ka thënë Veliu.

Bekë Berisha i referohet si “Sfeklla” Sveçlës, i reagojnë ashpër deputetët e VV-së

Kuvendi i Kosovës është duke e vazhduar seancën, ku në interpelancë është thirrur ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Gjatë kësaj séance, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka kujtuar se si xhandarmëria serbe kishte hyrë në Karaçevë edhe gjatë kohës sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti.

Berisha e ka pyetur Veliun nëse ka qenë në atë kohë Ministër apo ka qenë duke e zëvendësuar “Xhelal Sfeklla”.

“Unë e kom një pyetje. Në kohën sa ke kryeministër Albin Kurti e kam pa një video pikërisht në Karaçevë , forcat e ushtrisë apo xhandarmërisë, por e kam pa videon që kanë qenë në fshat dhe nuk e ka qelë gojën kërkush. A ke qenë ti ministër në detyrë apo ka qenë duke të zëvendësuar Xhelal Sfeklla”, ka pyetur Berisha.

E meqenëse deputeti i AAK’së nuk ia shqiptoi mirë mbiemrin Sveçlës, nuk mungoi as reagimi i nënkryetares së Kuvendit nga radhët e VV’së, Arbërie Nagavci.

“S’po di a dinë mbiemrin apo të vyen më mësu. Mësoje se je i ri”, i tha Nagavci Berishës.

Arben Gashi-Rexhep Selimit: Ti këndon mirë me çifteli, por kufijtë i kemi të përcaktuar me Kushtetutë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi këndon mirë me çifteli, megjithatë, kufijtë përcaktohen me kushtetutë.

Ai ka thënë se deputetët duhet të kursehen nga deklarimet e tilla në seancë.

“Nesër ne shihemi edhe në rrugë, ato që i themi këtu dihet që a përgjegjësi, jo të mundohemi të ndërtojmë konflikt kur nuk ka arsye, kur ka dy qëndrime të forta mund të konfliktohemi me argumente. Pyetjet e juaja po më duken absurde”, ka thënë Gashi.

“Ku është kufiri i Kosovës, Rexhë ti knon mirë me çifteli po kufijtë i kemi të përcaktuar me kushtetutë. Kushdo qoftë në pushtet, qoftë ai Albin Kurti a Avdullah Hoti kufijtë duhet t’i mbrojë e sigurojë”, ka thënë Gashi.

​PDK: Rasti i Karaçevës do të duhej të diskutohej në Uashington e Bruksel

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë pas hyrjes së trupave të ushtrisë serbe javë më parë në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Sipas kësaj partie, edhe pas këtij provokimi nga Serbia, qeveritarët nuk e kanë prishur komoditetin e tyre. Për çka thonë se do të duhej që ky incident të diskutohej në Bruksel dhe Uashington.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se kjo parti është e shqetësuar me shkeljen flagrante të sovranitetit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Sipas saj, kjo neglizhencë shtetërore, Musliu tha se është rrezik për destabilizim të vendit.

Musliu: Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë në përgjithësi nuk e kanë prishur fare komoditetin e tyre

“PDK edhe më shqetësues e sheh faktin se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë në përgjithësi nuk e kanë prishur fare komoditetin e tyre. Dhe e kanë neglizhuar, e kaluar pothuajse në heshtje këtë provokim të rëndë të Serbisë. Reagimet sporadike sa për sy e faqe të kryeministrit Hoti, ministrit Veliu dhe organeve tjera të sigurisë janë aspak profesionale dhe jo të nivelit se si duhet të reagojmë si shtet. Kemi pritur që kryeministri Hoti këtë çështje do ta ngrisë edhe në Uashington dhe Bruksel, gjë që nuk u pa e nuk u dëgjua. Po të ndodhte e kundërta, Këshillimi i Sigurimit do të mblidhej dhe do të diskutonte për këtë skandal brenda 24 orëve”, ka deklaruar Musliu.

Derisa ka kritikuar qeverinë Hoti, Musliu ka theksuar se kjo ngjarje është menaxhuar në formën më të keqe nga gjithë akterët përgjegjës për sigurinë e vendit. Ajo ka kërkuar nga institucionet që të ofrojë siguri të plotë banorëve të brezit kufitar me Serbinë.

Veliu: I kërkova Kurtit që të kryenim operacion për mbylljen e kazionove në Karaçevë, por nuk lejoi

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka reaguar pasi Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se disa kazino në Karaçevë të Kamenicës janë ndërtuar në kohën e Qeverisë Kurti.

Sipas Rexhajt, deklaratat e Veliut janë të pavërteta, meqenëse në atë kohë ka qenë mbyllje totale dhe qytetarët nuk mund të kenë shkuar në kazino.

"Ministri ilegal, po thotë edhe të pavërteta. Deklarata e juaj që hapja e kazinove në kohën e qeverisë Kurti është për me qeshë. Në atë kohë ka qenë kohë pandemie, dhe aq qenë mbyllje totale. Mos gënjeni kaq hapur, sepse nuk i takon një ministri me gënjy kështu", ka thënë Rexhaj.

Pas këtyre deklaratave, e ka marrë sërish fjalën Veliu, i cili ka treguar se si në muajin shkurt ka kërkuar nga ish-kryeministri Albin Kurti, që të bëhet një operacion për mbylljen e kazinove atje, por që thotë se Kurti nuk kishte dhënë leje.

“Është fakt i vërtetë që gjatë Qeverisë Kurti janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinotë. Në muajin shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëhet operacion që të ndalojmë punën e kazinove, por nuk ka leju. Shko pyete”, ka thënë Veliu duke iu drejtuar Rexhajt.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, duke ia përmendur musteqet.

Selimi ka thënë se Albin Kurti nuk e ka shkarkuar Veliun pse ai mban musteqe.

“A e di se ku i ka kufijtë Kosova?” Selimi nxehet me Veliun në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i ka quajtur skandaloze dhe të papërgjegjshme deklaratat e Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, lidhur me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

“Sot dëgjuam joveç deklarata të papërgjegjshme, por pothuajse secila deklaratë kishte një skandal brenda. Si mund të deklaroni si Ministër i Punëve të Brendshme, se atje qytetarët nuk janë të rrezikuar apo të shqetësuar apo akoma më skandaloze deklarata se situata është e qetë dhe nuk ka reagime të banorëve. Thua se ju problemin kryesor e keni shqetësimin e banorëve e jo futjen e forcave serbe në Kosovë”, ka thënë Selimi.

Selimi e ka pyetur Veliun nëse e di se ku i ka kufijtë Kosova, derisa e ka quajtur atë të paaftë dhe të papërgjegshëm.

 “Me aq sa dëgjuam, a do të thotë që Karaçeva si fshat i Kamenicës është Kosovë apo s’është.Sepse me aq sa pamë Policia nuk shkon. A ka shtet në Karaçevë. A është Karaçeva Kosovë a jo, dhe nëse është pse Policia e Kosovës nuk patrullon atje. A e din ku i ka kufijtë Kosova, meqenëse asnjëherë nuk iu referuat si kufi shtetëror. Herë iu referuat si vijë administrative, herë si vend i kontestuar  e herë si kufi që nuk ekziston?”, ka deklaruar Selimi.

Deputeti i VV’së tutje e ka përmendur edhe shkarkimin e Veliut nga ish-kryeministri Albin Kurti, duke i thënë se është shkarkuar për shkak të paaftësisë.

“Për shkak të paaftësisë është shkarkuar, por tash po del që nuk ka kush e shkarkon. Megjithëse edhe kjo punë ka ilaq. Ta shkarkon shefin, sepse së shpejti edhe ti edhe shefi do të shkarkoheni”, ka thënë ai para deputetëve.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në seancën e sotme të Kuvendit ka deklaruar se kanë pasur disa kërkesa për KFOR’in sa i përket patrullimit të përbashkët me ushtrinë serbe në vijën kufitare.

Veliu ka thënë para deputetëve se kanë kërkuar nga KFOR’i që ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare.

 “Kërkuam që sipas mundësive, ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare, si dhe që mundësisht të koordinohemi paraprakisht për aksione të tilla”, ka thënë ai, duke shtuar se në ditën kur janë filmuar pamjet, shmangia nga vija kufitare kishte ndodhur për shkak të reshurave.

“Gjatë këtyre aksioneve mund të ndodhë edhe shmangja nga vija e kufirit, si atë ditë që kishte pasur të reshura”, ka thënë ai.

“U potencua edhe bërja e gabimeve njerëzore. Shiu kishte krijuar përshtypjen se në atë ditë mashtronte vetëm një ushtri, ajo serbe, kur në fakt të pranishëm ishin edhe KFOR’i. këto patrullime ndodhin një muaj më herët dhe gjatë muajit ndodhin 25 të tilla, dhe një numër përafërsisht i njëjtë me palën kosovare”, shtoi Veliu.

Këshilla e Bekë për Berishës për Agim Veliu: Shkarkoje drejtorin e Përgjithshëm të Policisë

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i ka dhënë disa këshilla ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në seancën e Kuvendit, e cila po vazhdon aktualisht.

Në fjalën e tij, Berisha i ka thënë Veliut, që ta shkarkojë menjëherë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Ai ka thënë se problemi kryesor brenda Policisë së Kosovës, janë personat që udhëheqin me këtë institucion.

Madje, sipas Bekë Berishës, që nga paslufta, drejtorët e Policisë janë vendosur persona servil.

Musliu e ashpër në raportimin e Agim Veliut për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën ku ka raportuar i pari i MPB-së për hyrjen e xhandarëve serbë në Kosovë, ka kritkuar Qeverinë duke akuzuar se për këtë rast nuk është thirrur Këshilli i Sigurisë.

Musliu ka thënë qytetarët e Kosovës, e sidomos atyre në Karaçevë, duhet t’u ofrohet siguria.

“PDK është e shqetësuar për shkeljen e sovranitetit të Kosovës. Hyrja e tyre është kërcënim për qytetarët atje, por edhe për Kosovën. PDK më shqetësuese e sheh se qeveritarët s’e kanë prishur komoditen e tyre karshi Serbisë. Këshilli i Sihgurisë s’është thirrur për këtë rast nga kryeministri. Duhet të sigurohet siguri për qytetarët. Ne ende nuk ke kemi të qartë pozicionin e qeverisë për këtë, pasi është menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme”, ka thënë ajo.

Vetëvendosje kërkon nënstacion të përhershëm të Policisë në Karaçevë

Rreth dy muaj pasi pjesëtarë të uniformuar të Serbisë kanë hyrë në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu është duke raportuar për këtë çështje para Kuvendit të Kosovës.

Në interpelancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, Veliut iu faturuan dështimi i mos mbrojtjes dhe kontrollimit të kufijve dhe integritetit territorial të vendit. Për këtë kërkuan që përmes një rezolute të merren masat e nevojshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit, si dhe vendosjen e një nënstacioni të përhershëm të Policisë së Kosovës në Karaçevë.

Iniciuesja e interpelancës, deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se ndërhyrja e pjesëtarëve serb në territorin e Kosovës është cenim për vendin.

“Hyrja e pjesëtarëve të informuar të Serbisë në atë zonë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin dhe cenimi i integritetit territorial të Kosovës. Patrullimi i tyre në rrugët e fshatit Karaçevë u regjistrua nga banorët e fshatit, u dëshmua nga të pranishmit dhe u konfirmua nga Policia. Por u justifikuar nën hutim duke u mohuar nga qeveria e Kosovës. Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës në vend të kujdesen për rendin dhe ligjin dhe të sigurojnë mbrojte për qytetarët në këtë pjesë ku vazhdojnë të jenë të ngatha dhe papërgjegjshme. Madje të shfaqin mosbesim ndaj banorëve dhe institucioneve të sigurisë. Vet përjashtimi që po bënë qeveria e Kosovës nga përgjegjësitë Kushtetuese dhe ligjore për të kontrolluar kufijtë dhe integritetin territorial dhe mbrojtur qytetarët është e papranueshme dhe dëmton integritetin e Kosovës. Kjo sjellje e papërgjegjshme sikur ajo pjesë nuk është në pjesë e territorit të Kosovës veç sa nxitë ndërhyrjet e Serbisë”, tha ajo.

Ndërkohë edhe paraqiti dy nga pikat e rezolutës së Vetëvendosjes.

“Institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin masat e nevojshme dhe përdorin të gjitha mekanizmat kushtetues për mbrojte të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. Nën dy brenda dy muajve të vendoset një nënstacion i përhershëm i Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës”, tha ajo.

Ajo i kërkoi grupeve tjera parlamentare që të votojnë këtë rezolutë, ndërkohë seanca plenare po vazhdon.

Veliu: KFOR-it i kërkuam që sipas mundësive ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në seancën e sotme të Kuvendit ka deklaruar se kanë pasur disa kërkesa për KFOR’in sa i përket patrullimit të përbashkët me ushtrinë serbe në vijën kufitare.

Veliu ka thënë para deputetëve se kanë kërkuar nga KFOR’i që ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare.

“Kërkuam që sipas mundësive, ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare, si dhe që mundësisht të koordinohemi paraprakisht për aksione të tilla”, ka thënë ai, duke shtuar se në ditën kur janë filmuar pamjet, shmangia nga vija kufitare kishte ndodhur për shkak të reshurave.

“Gjatë këtyre aksioneve mund të ndodhë edhe shmangja nga vija e kufirit, si atë ditë që kishte pasur të reshura”, ka thënë ai.

“U potencua edhe bërja e gabimeve njerëzore. Shiu kishte krijuar përshtypjen se në atë ditë mashtronte vetëm një ushtri, ajo serbe, kur në fakt të pranishëm ishin edhe KFOR’i. këto patrullime ndodhin një muaj më herët dhe gjatë muajit ndodhin 25 të tilla, dhe një numër përafërsisht i njëjtë me palën kosovare”, shtoi Veliu.

Agim Veliu jep detaje para deputetëve për hyrjen e ushtrisë serbe në Karaçevë para deputetëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në seancë të Kuvendit ka raportuar për hyrjen e trupave të ushtrisë serbe në Karaçevë.

Veliu para deputetëve ka deklaruar se këtë çështje e ka trajtuar me urgjencë.

“Gjatë muajit të kaluar kemi qenë dëshmitarë të raportimit rreth rastit të hyrjes së forcave serbe në Kosovë. Duke pas parasysh ndjeshmërinë e rastit, unë si ministër, kam adresuar këtë çështje me urgjencë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme.

Sipas tij, kjo ngjarje ka ndodhur me datë 7 gusht rreth orës 17:30.

“Bazuar në takimet e mia, raportet e organeve të sigurisë, të KFOR’it dhe të dëshmisë së qytetarëve mund të konfirmohet se me datën 7 gusht rreth orës 17:30 janë vërejtur lëvizje të forcave ushtarake në Karacevë”, tha ai.

Veliu ka shtuar se për këtë temë ka folur edhe me KFOR’in e organet e tjera të sigurisë në vend.

“Fillimisht kemi biseduar me policinë, KFOR’in, këshilltari im ka biseduar disa herë vendin e ngjarjes si dhe me kërkesën e kryeministrit kjo çështje është diskutuar me pjesëtarët e sigurisë kombëtare”, ka thënë Veliu.

***

Pas diskutimeve rreth tri orëshe për fillimin e vitit të ri shkollor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:30.

Iniciuesja e interpelancës së ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, Arbërie Nagavci kërkoi bashkëpunim të grupeve parlamentare për të harmonizuar një rezolutë për procesin mësimor.

Pas kësaj pike në rend të ditës janë edhe interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

***

Një orë me vonesë ka filluar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.

Pasi që në mungesë të kuorumit dështoi votimi për rezolutën e LVV’së për dialogun, me rend të ditës është vazhduar me interpelancën e LVV’së për ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.

Megjithatë, edhe në këtë interpelancë nuk ka pasur interesim të deputetëve, të cilët në sallë kanë qenë të paktë në numër.

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu ka kërkuar që të mos ketë vonesa si ajo e sotmja për të nisur seanca.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka thënë se një gjë e tillë po ndodhë pasi që janë pak deputetë në seancë.

Nagavci tha se në sallë momentalisht ndodhen vetëm 45 deputetë.

***

Në Kuvend të Kosovës është duke u mbajtur interpelancë për Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas deklarimit të LVV’së, LDK’së e PDK’së, kryetarja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Vetëvendosje që përsëri ta marrin fjalën.

Këtu ka reaguar deputetja e AAK’së, Teuta Haxhiu që ka thënë se pas PDK’së radhën për deklarim e ka grupi parlamentar i Aleancës.

“Faleminderit kryetare jo vetëm Vetëvendosja është këtu, pas PDK’së radhën e kemi ne”, ka thënë Haxhiu.

“Prandaj duheni me njoftu me kohë”, është përgjigjur kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

“Gjithsesi e nderuar dhe e respektuar”, ka thënë Haxhiu dhe e ka vazhduar fjalimin para deputetëve.

Deputeti i PDK-së thotë se në disa shkolla punëtorët teknik e bëjnë dezinfektimin e objektit vetëm me ujë

Deputeti i PDK’së, Sejdi Hoxha në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur disa pyetje për Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.

Ai ka thënë se nuk është normale që në shkolla matjen e temperaturës për nxënësit ta bëjnë punëtorët teknik.

Sipas tij, një gjë të tillë duhet ta bëjnë punëtorët shëndetësor, njëjtë si ndodh në Kuvend të Kosovës.

“Pse në Kuvend deputetëve po ju bëhet matja e temperaturës nga profesionistët shëndetësor, pse këtë punë edhe në Kuvend nuk po e bëjnë punëtorët teknik, sa është e rëndësishme jeta jonë njëjtë është edhe jeta e fëmijëve, ky është diskriminim”, ka thënë ai.

Hoxha thotë se në disa shkolla ka informacione se dezinfektimi bëhet vetëm me ujë.

“Në të gjitha shkollat dezinfektimin janë duke e bërë punonjësit teknik, kam informacione se në disa shkolla përdoret ujë për dezinfektim e kjo paraqet rrezik të madh”, ka thënë deputeti i PDK’së.

Ministri i Arsimit tregon se si vepron shkolla nëse një mësimdhënës infektohet me COVID-19

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë plenare, në të cilën po mbahet interpelancë e ministrit të Arsimit, Ramë Likaj lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor në kushte pandemie.

Para deputetëve, Likaj tha se janë bërë të gjithë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e kombinuar dhe sipas planit të paraparë për nisjen e mësimit.

Ai tha se janë shpërndarë mbi 500 mijë maska për të gjitha shkollat e Kosovës, teksa shtoi se mësimdhënësit do të testohen në vazhdimësi.

Likaj foli edhe për një situatë të mundshme, nëse një mësimdhënës del pozitiv me COVID-19.

“Nëse një mësimdhënës tregon simptoma, menaxhmenti i shkollës bashkë me DKA-në duhet të gjej një zëvendësim, t’i sigurohet testi dhe në rast të rezultatit pozitiv, të gjejë një zëvendësues”, tha ai.

Likaj po ashtu tha se një orë në javë do t’i kushtohet informacioneve me të reja nga COVID-19.

***

 Kuvendi i Kosovës as në seancën e sotme nuk ka pasur kuorum për të votuar rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Kyreparlamentarja, Vjosa Osmani tha se kjo pikë do të trajnohet në seancën e radhës. Derisa vazhdoi me pikat tjera në rend të ditës.

Rreth 7 orë dje ka zgjatur raportimit të kryeministrit, Avdullah Hoti për dialogun para të zgjedhurve të popullit.

Nagavci: Ministria ta shqyrtojë kërkesën që studentët të lirohen nga pagesat

Edhe sot ka vazhdar seanca plenare në Kuvendin e Kosovës ku është thirrur në interpelancë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë se ministria nuk ka bërë asnjë plan të qarë për fillim vitin e ri akademik.

“Ndonëse është thënë për angazhimin e 1 mijë mësimdhënëseve që do të jenë të gatshëm të punojnë në rast nevoje akoma nuk ka asgjë konkrete dhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve me probleme kronike, me probleme të ndryshe shëndetësore janë të obliguar që në rrethana të mos humbjes së punës dhe përgjegjësive janë të detyruar të rrezikojë në veten dhe të dalin në shkolla. ministria nuk ka një plan të qartë se si do të filloj viti i ri akademik, si do të bëhet aplikimi nëpër fakultetet apo në çfarë forme do të mbahet provimi pranues, apo nuk dot ë bëhet...cili është plani për fillimin e vitit të ri akademik dhe ndonëse nuk ka shumë opsione. Secili është planifikimi i ministrisë, cili është buxheti që është ndarë dhe cilat janë përgatitjet që po bëhen sepse jemi dëshmitarë që ato akoma nuk po bëhen”, tha Nagavci.

Nagavci ka thënë edhe se është shqetësuese që nuk po hapen bibliotekat.

Ajo po ashtu kërkoi nga MASH që të shqyrtojnë kërkesës që studentët të lirohen nga pagesat.

“Shqetësuese është edhe pse nuk po hapen biblioteka. Çfarë kuptimi ka të mbahen të hapura kafiterit. Çështjet tjetër është edhe që ministria duhet të ketë parasysh është edhe shqyrtimi i kërkesave të studentëve nga lirimi nga pagesat dhe tarifave për studime. Cilat planifikimet e ministrisë edhe sa i përket hapjes së konvikteve dhe menzës”, theksoi Nagavci.

Nis seanca, pritet të votohet rezoluta për dialogun

Me një orë vonesë ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Kosovës.

Seanca do të vazhdojë me raportimin e kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ku pritet të votohet edhe një rezolutë.

Më pas vazhdohet me dy interpelanca të tjera të dy ministrave, atij të Arsimit, Ramë Likaj dhe të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Kuvendi edhe sot mban seancë, raportojnë dy ministra

Kuvendi i Kosovës vazhdon edhe sot me seancë plenare.

Do të vazhdojë me raportimin e kryeministrit Hoti Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ku pritet të votohet edhe një rezolutë, për të vazhduar me dy interpelanca të tjera të dy ministrave, atij të Arsimit, Ramë Likaj dhe të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Ky është rendi i ditës.

3. Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

4. Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit,  Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,

5. Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007,

8. Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019,

9. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

10. Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

11. Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat