"Rrjedhja" e dosjeve të Gjykatës Speciale, pa hetim të konfirmuar në Kosovë

Aktuale

"Rrjedhja" e dosjeve të Gjykatës Speciale, pa hetim të konfirmuar në Kosovë

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 09:19
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë. Foto nga arkivi.

Ende nuk dihet se kush është duke dërguar dokumente të pretenduara në zyret qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të cilat po pretendohet se janë konfidenciale dhe të Dhomave Specializuara në Hagë.

Identiteti i personit i cili më 7 dhe 16 shtator ka dërguar në këtë organizatë "me mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh", vazhdon të jetë anonim.

Përmbajtja e këtyre dokumentave të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale.

Institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk konfirmojnë hetime për këtë rast. Policia e Kosovës tha se pyetja për këtë çështje duhet të adresohet ‘tek institucionet përkatëse’, e në Prokurorinë e Shtetit nuk përgjigjen. Koment për këtë çështje nuk dha as Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së konfirmoi se në prani të avokatit Tomë Gashi, u ka dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale ‘dosjet që kanë mbetur’ në zyret e kësaj organizate.

Avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e vendit nuk kanë arsye të hetojnë sjelljen e këtyre dosjeve të pretenduara, pasi ‘rrjedhja e tyre ka ndodhur në Hagë’. Ai tha se në cilësinë e avokatit, ka përfaqësuar organizatën në dorëzimin e këtyre dokumenteve.

“Ata me dokumentacion, identifikim të Gjykatës Speciale, i kanë marrë një pjesë të dokumenteve që kanë mbetur, për shkak se ditën e djeshme kur janë sjell këto dokumente, një pjesë e tyre ka mbetur aty dhe ka mundur të përdoret nga kushdo gjatë konferencës për media", tha Gashi.

Përgjegjësi penale për ata që publikojnë dosjet

Të mërkurën, drejtues të OVL UÇK-së kishin thënë se nuk do të dorëzojnë dokumentet te hetuesit e Hagës pa praninë e Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës. Por, ata ndryshuan qëndrim pas këshillës së avokatit, duke u bazuar në faktin se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar e përcakton si vepër penale, publikimin apo posedimin e dokumenteve të Gjykatës. Dënimi në këto raste është deri në dhjetë vjet burg.

Njëri nga gazetarët në Prishtinë, Zekirja Shabani, tregon se ka marrë një kopje nga dosjet e para të prezantuara në konferencën e OVL UÇK më 7 shtator, dhe më pas ka publikuar disa pjesë që në gjykimin e tij kanë qenë të publikueshme. Porse, më pas, media ku ai punon, është kontaktuar nga Dhomat e Specializuara dhe më pas ai është pajtuar që dosja të dorëzohet në tërësi, e cila, sipas Shabanit, kishte materiale të ndjeshme të Task Forcës Hetuese të udhëhequr nga Clint Williamson në vitet 2014-2015.

“Duke e ditur sensitivitetin e këtyre dokumenteve, vazhdojmë të besojmë që nuk është mirë që ato t’i ketë në dorë asnjë person. Ne kemi pranuar t’i dorëzojmë me procedurë standarde, ku hetuesit na kanë dëshmuar se janë nga Gjykata Speciale”, tha Shabani për Radion Evropa e Lirë.

Juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, fton gazetarët që t’i përmbahen etikës dhe të mos publikojnë dokumente që mund të rrezikojnë jetën e personave që janë të përfshirë në proceset gjyqësore.

“Këto dokumente kanë rënë në më shumë se një dorë, por fakti që nuk janë publikuar dëshmon se të gjithë e dinë përgjegjësinë penale që pason, nëse dokumente të tilla do të publikoheshin. Ajo që është me rëndësi është që këto procedura të Gjykatës të respektohen, nëse për asgjë tjetër, për shkak të drejtave që i gëzojnë personat e hetuar, personat e akuzuar dhe po ashtu që të mbrohen dëshmitarët të cilët janë pjesë e këtyre proceseve”, tha Kusari për Radion Evropa e Lirë.

Njohës të fushës së drejtësisë, ditë më parë për REL kanë shprehur shqetësimin e tyre se rasti me këto dosje të pretenduara, mund të frikësojnë dëshmitarët potencialë në proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokati Tomë Gashi beson se interesi i këtyre veprimeve është që të diskreditohet puna e Gjykatës Speciale. Sipas tij, dokumentet janë sjellë tek OVL UÇK me besimin se kjo organizatë do t’i publikojë ato.

Ndërkohë, mediat në Kosovë raportuan edhe për dorëheqjen e prokurorit Kwai Hong Ip pas ‘rrjedhjes së dosjeve’, por zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennet, i tha Radios Evropa e Lirë se prokurori Hong Ip ishte dorëhequr më herët dhe se tani punon në një institucion tjetër.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar ose hedhur poshtë publikisht. Gjyqtari ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Që nga krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, ekspertët e kanë parë si sfidë të vështirë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një nga arsyet kryesore pse Gjykata Speciale e Kosovës u vendos në Hagë ishte frika nga kërcënimi i dëshmitarëve potencialë “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit, në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare, mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat