Sami Lushtaku hetohet për nxitje të vrasjes së rëndë në tentativë

Aktuale

Sami Lushtaku hetohet për nxitje të vrasjes së rëndë në tentativë

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 16:55
Sami Lushtaku

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nxjerrë aktvendim për nisje të hetimeve ndaj Sami Lushtakut. Ai dyshohet për veprën penale 'nxitje të vrasjes së rëndë në tentativë'. Rasti ka të bëjë me sulmin e armatosur kundër avokatit Gazmend Halilaj.

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tash e dy javë ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Shtetit për veprën penale ‘nxitje të vrasjes së rëndë në tentativë’.

Media ka mësuar se rreth 14 ditë më parë, Bukurije Gjonbalaj, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ka nxjerrë aktvendim për nisje të hetimeve ndaj kryetarit të Degës së PDK-së në Skenderaj.

Rasti ka të bëjë me sulmin e armatosur kundër avokatit Gazmend Halilaj, i cili ka ndodhur më 14 prill të këtij viti para shtëpisë së tij në Drenas.

Atentati për të cilin po hetohet Sami Lushtaku dyshohet të jetë ekzekutuar nga Xhelal Zeqiri dhe Ibrahim Lushtaku, një familjar i afërm i ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt. Të dy këta ishin arrestuar nga Policia e Kosovës më 22 prill .

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, atentatorët e kishin goditur veturën e parkuar në rrugë të avokatit Halilaj – derisa ai ndodhej brenda saj – me veturën e tyre në lëvizje, para se të qëllonin me armë zjarri në drejtim të tij.

Image

Halilaj kishte pësuar lëndime në dorë, ndërkaq të dyshuarit ishin larguar me shpejtësi nga vend-ngjarja. Aty, Policia e Kosovës kishte gjetur gëzhojat e armës me të cilën ishte shtënë në drejtim të avokatit nga Drenasi.

Për sulmin ndaj tij, Halilaj e kishte drejtuar gishtin kah Lushtaku. Në një intervistë, juristi deklaronte se “sulmin e kryen maskat e Samiut”. Ish-liderin e Komunës së Skenderajt e quante “kriminel gjakftohtë”.

“Rastin e kam raportuar publikisht. Janë maskat e Samiut. Është e sigurt. Ata janë njerëz të Sami Lushtakut!”, deklaronte Halilaj në mbrëmjen e sulmit të armatosur ndaj tij.

Atentatit ndaj Halilajt i kishte paraprirë një deklaratë e avokatit për 1.4 milionë franga fondesh të luftës, të cilat sipas tij, i kishte keqpërdorur Sami Lushtaku dhe një telefonatë e tensionuar ndërmjet tyre.

Halilaj pretendonte të jetë kanosur nga Lushtaku përmes një bisede telefonike mbrëmjen e ditës së diel të 11 prillit, disa orë pasi e kishte publikuar shkrimin për fondet milionëshe të luftës. Thoshte se ish-kryetari i Skenderajt ishte nisur atë mbrëmje në drejtim të shtëpisë së tij.

“Miq Sami Lushtaku më kanosi dhe sipas tij u nis në drejtimin timin. O Sami Lushtaku je vetëm një leckë për mu. Hajde”, kishte lajmëruar Halilaj në një postim në Facebook, të cilin ia kishte bashkëngjitur një fotografi që shpafqte numrin telefonik prej të cilit e kishte telefonuar Lushtaku.

Të dhënat e numrit me të cilin Sami Lushtaku e kishte telefonuar Gazmend Halilajn çonin tek Amir Lushtaku, asistenti i ish-kreut të Skenderajt. Por, Amir Lushtaku kishte refuzuar të prononcohej për këtë çështje, i telefonuar ditën e atentatit.

Ndërkaq, Sami Lushtaku, i prononcuar për herë të parë në lidhje me rastin Halilaj më 9 korrik, kishte mohuar çfarëdo lloj përfshirje të tij në sulmin e armatosur kundër avokatit Halilaj.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte cilësuar aksidental rastin e tentim-vrasjes ndaj avokatit nga Drenasi, por e kishte pranuar përfshirjen në rast të kushëririt të tij, Ibrahim Lushtakut.

“Ky djali që shihet, më ka thënë se kemi bo ndeshje me makina dhe ai e ka çuar dorën në revole, sipas atij djalit. Unë Gazmend Halilin nuk e kam pa kurrë në jetën time. Ai ka shkru dhe unë kam folë në telefon me të dhe i kam kërku që të shkon te prokurori dhe ta paraqes dëshminë e tij dhe i kam thënë se unë e kam ndërmend me e paraqit në prokurori. Ai ka fillu që të më thotë se jo hajde po merremi me media, unë i kam thënë nuk jam bash burrë i mediave, por hajde shkojmë në polici”, kishte thënë Lushtaku, në një intervistë për RTV Dukagjinin.

Para nxjerrjes së aktvendimit për nisjen e hetimeve ndaj Sami Lushtakut rreth dy javë më parë, Prokuroria Themelore e Prishtinës deri më tani ka arrestuar dy të dyshuarit për kryerjen e atentatit, Xhelal Zeqirin dhe Ibrahim Lushtakun, të afërmin e Sami Lushtakut.

Ata dyshohen për veprat penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Media ka tentuar të kontaktojë sot me Sami Lushtakun për ta pyetur në lidhje me aktvendimin e Prokurorisë për nisjen e hetimeve ndaj tij, por zyrtari i PDK-së ka qenë i paçasshëm në numrin e tij të telefonit. Gazeta, po ashtu ka nisur pyetje në drejtim të tij, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ende nuk ka marrë përgjigje. /Insajderi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat