Dalin në dritë detaje të reja: Skenar nga Shtabi i Rognerit, ja çfarë kishte ndodhur dy ditë para vrasjes së Ahmet Krasniqit

Aktuale

Dalin në dritë detaje të reja: Skenar nga Shtabi i Rognerit, ja çfarë kishte ndodhur dy ditë para vrasjes së Ahmet Krasniqit

Nga: P.R Më: 18 shtator 2020 Në ora: 19:58
Nexhat Haziri ka treguar detaje nga vrasja e Ministrit Ahmet Krasniqi

Ka qenë intervista e dhënë nga Sali Berisha, ajo e cila ka ri aktualizuar temën e vrasjes së Ministrit të Mbrojtjes, kolonel, Ahmet Krasniqit.

Ish kryeministri Berisha e akuzoi ish shefin e SHISH-it, Fatos Klosin për eliminimin e kolonel Krasniqit. E në mbrojtje të Klosit doli Xhavit Haliti.

E ky debat i hapur së fundi, ka nxitur reagimin e analistit politik, Nexhat Haziri, i cili njëherit është edhe njohës i mirë i zhvillimeve të para dhe pas luftës në Kosovë.

Përmes një postimi, Haziri ka treguar detaje nga vrasja e Ministrit Ahmet Krasniqi, dhe atë se çfarë kishte ndodhur dy ditë para vrasjes së kolonelit.

“Dy ditë para vrasjes së Kol. Ahmet Krasniqit, disa nga oficerët ushtarak të inkuadruar në MMRK, ishin organizuar që të udhëtonin nga Papaj për në Tiranë për ta zhvilluar një takim në të cilin do të shkarkohej Kol. Ahmet Krasniqi nga posti i Ministrit të MMRK-së, një skenar i përgatitur nga Shtabi i Rognerit. Në mesin e oficerëve të manipuluar nga Shtabi i Rognerit ( i ashtuquajturi SHP i UCK-së), më vonë do bëhen figura eminente dhe heronjtë e Betejës së Koshares. Por arritja e kol. Tahir Zemaj në Papaj, e kishte parandaluar një skenar të tillë. Kol. Zemaj ishte krahu i djathtë dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më besnik i Kol. Ahmet Krasniqit”, është shprehur analisti Nexhat Haziri.

Kujtojmë se Xhavit Haliti mbrëmë ishte shprehur se ka komunikuar me Fatos Klosin pesë minuta pas vrasjes së Ahmet Krasniqit.

“Ne kemi komunikuar me Klosin pesë minuta pas lajmit për vrasjen e Ahmet Krasniqit. Kam qenë në darkë me Fatmir Zymberin dhe Shaban Mujën dhe një izraelit kur më thirri ai e më tha se e kanë vra ministrin e Mbrojtjes së Kosovës. U ndala thashë kush është ministri i Mbrojtjes. Por, ai nuk është njeri i tillë. Vetëm me vra dhe me organizuar të vrasë ai s’ka ditë dhe s’ka bërë kurrë. Ne kemi qenë shokë me Ahmet Krasniqin, prandaj edhe më ka informuar Klosi. Krasniqi ka a qenë në një vijë me mua dhe ka pasë kontakte edhe shtabin e UÇK-së. Ai ka treguar gatishmëri që të punojë me ne dhe me u fut në struktura, por s’kemi arritur sepse u vra”, deklaroi mbrëmë Xhavit Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat