“Aksioni në Karaçevë një përgjigje ndaj Albin Kurtit”, analisti: Ja të fortit që u goditën...

Aktuale

“Aksioni në Karaçevë një përgjigje ndaj Albin Kurtit”, analisti: Ja të fortit që u goditën...

Nga: P.R Më: 19 shtator 2020 Në ora: 16:06
Albin Kurti

33 persona të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe 10 zyrtarë policorë janë arrestuar mbrëmë pas një aksioni në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës,

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka sqaruar se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

“Ky operacion, i cili është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës, është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor. Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin, ku për detaje dhe informacione shtesë do të vazhdojmë t’iu mbajmë të informuar pas operacionit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

E aksioni i mundshëm në Karaçevë kishe qenë temë debati në seancën e Kuvendit, ku u përplasen ashpër Ministri i Brendshëm, Agim Veliu dhe deputetët e Vetëvendosjes.

Krejt kjo për shkak që sipas Veliut, aksioni në Karaçevë ishte penguar nga Albin Kurti, gjatë kohës kur ky i fundit ishte kryeministër.

E duke u nisur nga kjo, analisti politik, Nexhat Haziri thotë se aksioni i mbrëmshëm është edhe një përgjigje ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit.

“Natyrisht se nëse shikohen raportet e qeverisë me opozitën, në veçanti LVV-në dhe ish-kryeministrin Kurti i cili në periudhën e qeverisjes së tij nuk kishte lejuar një aksion të tillë edhe pse ishte kërkuar nga ministri i brendshëm z, Veliu, ky aksion mund të shikohet edhe si një përgjigje ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit, dhe ky i fundit është mirë të sqarohet në opinion pse nuk kishte lejuar një intervenim të organeve të rendit në Karaqeve dhe cila ishte arsyja e refuzimit të tij”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, mbrëmë janë goditur të fortit, të cilët janë të lidhur edhe me politikën.

“Aksioni i mbrëmshëm i policisë së Kosovë në Karaçevë, e cila ishte shndërruar në një enklavë të krimit të organizuar, ishte një goditje e të fortëve të cilët padyshim se janë të lidhur edhe me politikën, dhe poashtu dëshmoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e Qeverisë Hoti për ta goditur e luftuar krimin e organizuar kudo që ai paraqitet apo është prezent”, thekson Haziri.

“Krejt përfund aksioni i mbrëmshëm i policisë në Karaçevë krijon një shpresë dhe një siguri te qytetarët se krimi i organizuar nuk do të tolerohet dhe se ai do të goditët me forcën e ligjit, e që poashtu është një mesazh i mirë edhe sa i përket integrimeve euro-atlantike, ku Kosova në aspektin e luftimit të krimit të organizuar, kishte vërejtje të vazhdueshme nga instancat ndërkombëtare dhe njëfarë forme ky fenomen ishte shndërruar në pengesën më të madhe për Kosovën në proceset integruese evropiane, sidomos për procesin e liberalizimit të vizave”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat