​Kërkohet largimi i kufizimit të lëvizjes pasi virusi nuk ka orare

Aktuale

​Kërkohet largimi i kufizimit të lëvizjes pasi virusi nuk ka orare

Më: 20 shtator 2020 Në ora: 15:14
Prishtinë

Qytetarët po vlerësojnë se masa për kufizimin e lëvizjes dhe mbyllja e gastronomisë në orën 22:30 duhet të largohen menjëherë. Sipas tyre, vendosja e këtij kufizimi nuk ka “sens” dhe se përhapja e virusit nuk ka orare të caktuar.

Vendi për mbylljen e lokaleve në orën 22:30, në gjithë territorin e Kosovës, si dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në disa komuna, vazhdon të mbetet në fuqi. Megjithatë, përveç lokaleve, kufizimi i lëvizjes nuk duket që respektohet në Prishtinë. Kp mbrëmë ka dal në sheshet e kryeqytetit ku vëreheshin një numër i qytetarëve duke lëvizur. Lëvizje të mëdha janë parë edhe me automjete.

Ndërkohë, gjatë ditës, qytetari Gëzim Berisha ka konsideruar se kufizimi i lëvizjes shkon vetëm në dëm të shtetit, andaj duhet të lirohet sa më par kjo masë.

Berisha: Me mbyllje veç shteti humb më shumë

“Unë mendoj që kufizimet nuk është mirë me qen se si ken deri në ora 10:30 si ken më vonë nuk qon pesh të madhe. Sa i përket gastronomisë unë mendoj që nuk duhet të mbyllen por vetëm të kufizohet numri i klientëve. Me mbyllje veç shteti humb më shumë”, thotë ai.

Për Arbnor Canën, virusi nuk ka orar të caktuar se kur mund të jetë aktiv e kur jo. Ai thotë se përderisa në kafene lejohet ulja pa maska, ndërsa gjatë ecjes bartja e maskës është obligative, këto masa janë të pakuptimta.

Cana: Mendoj që duhet me u heq për shkak se nuk ka virusi orar të caktuar

“Mendoj që duhet me u heq, për shkak se nuk ka virusi orar të caktuar ose prej orës 11:00 ose prej orës 10:30 virusi është aktiv, për shkak se nëse shikojmë vet masat kufizuese janë të pa kuptimta përderisa në kafene lejohet ulja pa maska, e ecja e qytetarëve me maska. Janë disa masa që duhet të rishikohen”, ka thënë ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe qytetari Asllan Dervishaj.

Dervishaj: Nuk ka “sens” fare më mirë me i heq

“Sipas meje më mirë të largojnë, kjo nuk ka sens fare më mirë me i hek”, thotë ai.

Kurse, qytetari Avdi Zogaj, thotë se situatës me Covid-19, veç se është përmirësuar, andaj dhe masat duhet të lirohen, në mënyrë që qytetarët të vazhdojnë punën.

Zogaj: Mendoj që duhet me u hap deri në 12:00 të natës

“Gjendja është përmirësuar, korona virusi ka nis me u zvogëlu dhe mendoj që duhet me u hap deri në 12:00 të natës, me punu njerëzit, restorantet me u hap se prej këtij buxhetit Kosova shkon para. Andaj e lus Qeverinë të bëj lëshime të punojnë njerëzit sepse ka ra punësia shumë, prandaj duhet me u hap bizneset sa më shumë”,

Ndërsa, Bajram Kastrati, thotë se populli është i vetëdijshëm për situatën e krijuar me pandeminë Covid-19, andaj lirimi i kufizimit do të ishte më i udhës.

Kastrati: Ka qenë e udhës me u hekë, mjaftë më

“ Është dashtë me u largu dhe njerëzit me fillu me jetu. Sot 11 shtatori shkoj vera çka dojm me bo në dimër, a i intereson shtetit për këtë popull...Tekefundit populli janë të vetëdijshëm u mësuan me këtë, din me u rujt. Kështu që ka qenë e udhës me u hekë, mjaftë më”, ka thënë ai.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi orari duhet të kthehet siç ka qenë në mënyrë që qytetarët mos të grumbullohen vetëm në orare të caktuara.

Kllokoqi: Kufizimi i lëvizjes duhet të hiqet

“Thirrjet tona të vazhdueshme kanë qenë që të bëjmë grumbullim në kohë dhe jo grumbullim brenda një kohe të caktuar. Ne mendojmë si shoqata e gastronomëve që orari, duhet të hiqet kufizimi i lëvizjes si për qytetarë, ashtu edhe për bizneset që të mund të shpërndahemi në kohë dhe jo t’u bëjmë grumbull brenda një kohe të caktuar, kështu që ne e shohim që është e drejtë që orari të kthehet siç ka qenë”, ka thënë ai.

Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tregon se një kërkesë për shtyrjen e kohës së kufizimit të lëvizjes nga 22:30 sa është tani në 24:00, e kanë bërë kohë më parë.

Ibrahimi: Më herët kemi kërkuar që kufizimi i lëvizjes të shtyhet deri në orën 24:00

“Para një kohe kur është mbajtur takimi i këshillit të kryetarëve, kërkesa e Asociacionit drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, gjithashtu ka qenë prezent edhe ministri Zemaj, ka qenë që këto masa, sidomos kufizimi i lëvizjes të shtyhet deri në ora 24:00”, tha ai.

Ibrahimi tha se gjatë javës së ardhshme, bashkë me kryetarët e komunave do ta shqyrtojnë situatën dhe do të dalin me rekomandime.

Ibrahimi: Pas vlerësimit do të japim propozimet për masat e reja

“Pothuajse komunat, qendrat kryesore janë duke respektuar masat e kufizimin e lëvizjes dhe shpresoj që gjatë javës së ardhshme ta kemi një vlerësim për situatën në terren pastaj duke parë vlerësimin në terren, atëherë të propozojmë me masat e reja apo liberalizimin e masave sepse kjo krejt po varet nga trendi i numrit të të infektuarve por edhe gjithashtu edhe nga rekomandimet e IKSHP-së“, tha ai, duke shtuar se gjatë javës së kaluar i gjithë përkushtimi i komunave ka qenë te fillimi i procesit mësimor.

Përndryshe, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për pandeminë, Policia e Kosovës, ka shqiptuar afër 20 mijë gjoba për mos mbajtjen e maskës, distancës dhe qarkullim në kohën e kufizimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat