Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi në një postim në Facebook ka kritikuar qeverinë Hoti, ku për të njëjtën thotë se përbëhet prej dy palëve, njëra palë është fosil i sistemit jugosllav e tjetra është mashë e agjendës serbe në Ballkan.
Abazi thotë se kjo qeveri dhe këta njerëz janë rrezik për sigurinë kombëtare dhe ekzistencën e shtetit, transmeton “Bota sot”.
“Krimi dhe gjenocidi Serb nuk mundet me u barazu kurrë me sakrificën sublime për liri dhe pavarësi”, ka shkruar ndër tjera Abazi.
Postimi i tij i plotë:
Trojet janë tkurrur historikisht, resurset janë marrë, muhaxhirevë u janë harru dhimbjet, viktimave të luftës së fundit u është ndalu zëri, patriotet janë vrarë, gazetarët janë eliminu e janë harru, është shitë “dushk për gogla”, dhe kjo ka ndodhur sa herë që kemi pasë njerëz të ligë në krye, e njerëz pa legjitimitet qytetarë.
Krimi dhe gjenocidi Serb nuk mundet me u barazu kurrë me sakrificën sublime për liri dhe pavarësi. Historia e krimit nuk mund të bashkëjetojë në një fjali me historinë e heroizmit dhe kontributit të gjeneratave të kombit tonë.
Kjo qeveri jolegjitime dhe këta njerëz të pakurriz e inferior ndaj Serbisë janë rrezik për sigurinë kombëtare dhe ekzistencën e shtetit. Njëra palë është fosil i sistemit jugosllav e tjetra është mashë e agjendës serbe në Ballkan.