Veliu raporton para kryeministrit për aksionin në Karaçevë, ja çka paralajmëron

Aktuale

Veliu raporton para kryeministrit për aksionin në Karaçevë, ja çka paralajmëron

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 07:05
Agim Veliu

(E plotësuar) - Ka përfunduar mbledhja e Qeverisë së Kosovës. Gjatë kësaj mbledhjeje nuk janë dhënë detaje të reja lidhur me vizitën e delegacionit të SHBA-së në Kosovë.

Ndonëse në njoftimin e djeshëm është paralajmëruar se për detaje të reja do të ketë njoftim të hënën në mëngjes, kjo nuk ka ndodhur gjatë kësaj mbledhje.

Gjatë mbledhjes Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar disa pika të ndryshme. Ndër të tjera, është miratuar pika për ndarjen e 70 mijë eurove për libra për Luginën e Preshevës.

Gjithashtu Qeveria e Kosovë ka miratuar plotësim ndryshimin e projektligjit për Lirinë Fetare.

***

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 70 mijë euro për blerjen e librave në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës bëri të ditur se kanë komunikuar edhe me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe shuma totale për blerjen e librave për nxënësit e Luginës është 140 mijë euro dhe këtë shumë janë pajtuar ta ndajnë në mënyrë të barabartë.

“Këto mjete planifikohen të ndahen nga rezervat shtetërore për mbulimin e kostos për librat e gjuhës shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës”, tha zëvendësministri Krasniqi.

***

Skënder Hyseni do të paguhet sa një zëvendëskryeministër

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për Zyrën e Koordinatorit Shtetëror për dialog me Serbinë.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka thënë se paga e koordinatorit është e njëjtë sa e zëvendëskryeministrit.

Ai ka thënë se ky propozim është rregullim i pagës për koordinatorin dhe zyrën e tij.

“Qëllimi i këtij propozimi është rregullimi i çështjes së pagës për koordinatorin nacional dhe zyrën e tij”.

Kosova edhe me një bashkësi fetare, miratohet ndryshimi i Ligjit

Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim ndryshimin e projektligjit për Lirinë Fetare.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ka thënë se me këtë projektligj synohet të rregullohet statusi i lirive fetare.

Selmanaj ka thënë se me projektligj është shtuar edhe bashkësia e Tarikatëve, që ka 60 mijë anëtarë.

“Me këtë projektligji synohet të rregullohet statusi i lirive fetare. Me ligjin në fuqi janë 5 bashkësi fetare në Kosovë”.

“Me projektligj është shtuar edhe Bashkësia e Tarikatëve të Kosovës që ka 60 mijë anëtarë. Po ashtu rregullohen edhe çështje të pozitës juridike si dhe transparence për bashkësinë fetare”.

Veliu paralajmëron: Aksioni në Karaçevë mund të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim

Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka raportuar rreth aksionit në Karaçevë.

Ministri i Punëve të Brendhsme, Agim Veliu ka njoftuar kabineti qeveritar për operacionin në Karaçevë.

Veliu ka thënë se me përgjegjësi dhe sukses është implimentuar plani i cili është realizuar në tri operacione të njëkohshme.

Ai ka thënë janë arrestuar 37 persona, ku 30 janë ndaluar me vendim të prokurorit.

“Karaçevë zona e kazinove, disa fshatra të Kamenicës dhe në qytet, dhe në Prishtinë, Gjilan, Viti dhe Lipjan. Janë arrestuar 37 persona, ku 30 janë ndaluar me vendim të prokurorit për procedurë të mëtejme. Të 30 të ndaluarve iu është vazhduar masa e ndalimit për 30 ditë, në zonën e Karaçevës janë sekuestruar rreth 220 aparate, 6 shtëpiza kompjuterike, një armë me gaz, një karikator dhe një kombi me kafshë të kontrabanduara. Pas ekzaminimit dhe tërheqjes së provave materiale në këtë zonë janë rrënuar 13 objekte”, tha Veliu.

Tutje Veliu deklaroi se në operacionin e realizuar në Prishtinë u ndaluan tre të dyshuar, ku gjatë kontrollit të shtëpive u gjetën, një set pokeri, katër palë letra të bixhozit, një karikator i zbrazët.

Ai ka paralajmëruar se mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët e ardhshme.

“Po ashtu dhe Gjilan, Viti janë kontrolluar 28 lokacione, ku morën pjesë njësitë policore, njësitë e rendit, inspektorati policor, zyrtarë të tjerë ligjorë. Hetimet vazhdojnë dhe mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vazhdim”, tha Veliu.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të mbledhë sot në takim ministrat e kabinetit të tij qeveritar.

Zyra e Kryeministrisë nuk ka dhënë detaje mbi temat që pritet të diskutohen në këtë mbledhje, e cila fillon nga ora 8.30.

Mbledhja e Qeverisë përkon me vizitën e sotme në Kosovë të emisarit të presidentit Donald Trump për dialogun Richard Grenell si pjesë e një delegacioni shtetëror amerikan, i cili do të vizitojë edhe Serbinë, Greqinë dhe Izraelin, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik.

Kryeministri, Avdullah Hoti ka konfirmuar takimin me delegacionin e Qeverisë amerikane, por më shumë detaje ka thënë se do t’i bëjë të ditur gjatë ditës së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat