Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë takohen me delegacionin amerikan në Beograd

Aktuale

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë takohen me delegacionin amerikan në Beograd

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 12:52
Foto Ilustrim

Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, Anthony Godfrey është mbajtur takimi i përfaqësuesve të odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me delegacionin të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Korporatës, Adam Boelher, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell , ambasadori Godfrey, përfaqësuesit e odave të Kosovës dhe Serbisë, Berat Rukiqi, përkatësisht Marko Çadezh si dhe kryetari i Odës amerikane në Serbi, Zoran Petroviq.

Pas takimit u tha se të dy odat ekonomike, të Kosovës dhe Serbisë, janë pajtuar që të bashkëpunojnë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.

“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për të dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”, tha Çadezh.

Boehler: Normalizimi ekonomik do të thotë investim

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.

“Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.

Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se simbolikat që përdoren në bisedimet politike nga përfaqësuesit politik nuk sjellin vende të reja pune.

“Ne besojmë në fuqinë e sektorit privat. Qeveria nuk kap vende pune, por sektori privat. Politika dhe simbolika në bisedimet politike që e përdorin politikanët, kurrë nuk do t’iu ndihmojë njerëzve të paguajnë qiratë”, u shpreh Grenell.

Delegacioni amerikan ka arritur në Beograd në orët e vona të së hënës.

Presidenca serbe ka paralajmëruar se Boelher dhe Grenell do të takohen me presidentin dhe kryeministren serbe, për të nënshkruar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ekonomik.

Një dokument të tillë, zyrtarët amerikanë kanë nënshkruar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot (21 shtator) ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, ka thënë Boehler në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka konfirmuar se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.

Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat