​Zgjedhjet lokale 2021 vështirë se do të mbahen, shkak buxheti i shkurtuar

Aktuale

​Zgjedhjet lokale 2021 vështirë se do të mbahen, shkak buxheti i shkurtuar

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 17:33
KQZ

Zgjedhjet e parapara lokale për vitin e ardhshëm rrezikojnë të mos mbahen, si shkak i shkurtimeve buxhetore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur në Ministrinë e Financave planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, e që është mbi 7 milionë euro. Ndërsa, ky institucion ka ofruar shumën për rreth 3 milionë euro më pak.

Kështu u tha në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Hamiti tha se projeksioni buxhetor i zvogëluar, rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve lokale të parapara për 2021.

Hamiti: Projeksioni buxhetor i zvogëluar rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve

"Është shqetësuese projeksioni i buxhetit për vitin 2021 është zvogëluar nën masën, e cila rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve. Në projeksionin e pjesës të kodit për zgjedhje është marrë shuma me një krahasim me zgjedhjet nacionale. E dihet që zgjedhjet nacionale janë më të ulëta. Total projeksioni ka rënë për 3 milionë. Unë shoh që duhet të bëjmë arsyetime të plota, sepse në buxhet rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve dhe nuk ka mundësi për mbajtjen e tyre. Sa e kam parë, dhe kemi bërë krahasim me zgjedhjet tjera”, tha Hamiti.

Ndërkohë që KQZ- ka planifikuar buxhet mbi 7 milionë euro për zgjedhjet lokale 2021, për të dyja raundet, ndërsa Ministria e Financave ka planifikuar mbi pesë milionë. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se do t'i drejtohen qeverisë sa i përket shkurtimit të buxhetit.

Daka: Do të kërkojmë shpjegim se a është gabim

“Me siguri qeverisë do t’i drejtohemi me një shkresë, do të kërkojmë një lloj shpjegimi se a është gabim, apo ky shkurtim është bërë qëllimisht”, tha ajo.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Hamiti ka folur edhe për shpenzimet buxhetore në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Sipas tij, projeksionet buxhetore duhet të jenë më të ulëta, meqë shpenzimet komunale nuk janë të mëdha.

Hamiti: Janë shpenzuar 2 milionë e 683 mijë

“Te mallrat dhe shërbimet, dhe te shpenzimet komunale ka një shpenzim shumë të ulët. Është i ulët për shkak se realisht shtyrja e zgjedhjeve që lidhet me zgjedhjet e Podujevës, sepse e dimë që buxheti fillestar ka qenë 6 milionë e 176 mijë, janë shtuar me vendim të qeverisë edhe 393 mijë për zgjedhjet në Podujevë, gjithsej është 6 milionë e 569 mijë buxheti. Janë shpenzuar 2 milionë e 683 mijë, që i bie nën nivelin 40 për qind shpenzime të buxhetit të gjashtëmujorit të parë. Trendi i shpenzimeve për mallra dhe shërbime është 16 për qind, që është i ulët. Dhe në shpenzime komunale është 19,7. Kemi pasur një sugjerim shumë të mirë nga auditori që në projeksionet tjera buxhetore të kemi kujdes te planifikimi i shpenzimeve komunale, pasi shpenzimi është më i ulët se që e planifikojmë”, ka theksuar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar edhe raportin e auditorit të brendshëm. Sylejman Gashi nga Auditori i Brendshëm tha se bazë të këtij raporti nga viti 2014, 2017 e 2019, ka pasur rritje të stafit jo-permanent, ku edhe janë keqpërdorur afro 160 mijë euro.

Gashi: 159 mijë euro është shuma e shpenzuar nga stafi jo permanent pa autorizim të KQZ-së

“159 mijë euro është shuma e shpenzuar nga stafi jo permanent pa autorizim të KQZ-së. Për këtë çështje duhet një aprovim, mirëpo edhe një arsye e madhe, sepse po vazhdohet angazhimi i tyre, edhe një autorizim i KQZ-së. Kjo shumë e mjeteve është pa lejen e zotit të shtëpisë. Pjesa e dytë ka të bëjë me pasojat financiare të rinumërimit të fletëvotime”, u shpreh ai.

Në lidhje me këtë kryetarja e KQZ-së tha se ky është keqpërdorim, dhe u zotua se do të identifikohen ata që kanë tejkaluar autorizimet.

Daka: Do të kërkoj të identifikohen departamentet që tejkaluan autorizimet

“Unë do të kërkoj që të identifikohen departamentet, të cilat i kanë tejkaluar autorizimet. Të gjitha, dhe kjo tashmë e tejkalon shkeljet e detyrës së punës, se kjo është keqpërdorim, sepse dikush ka përfituar që i ka marrë këto paga, dhe kanë qëndruar pa lejen e KQZ-së. KQZ nuk ka qenë e njoftuar se ky staf jo permanent po qëndron më tepër se që është nevojshme dhe po paguhet. Dhe këtu i kemi diku 160 mijë euro, duke mos përfshirë 208 mijë, se aty e kemi një arsyetim, pasi janë angazhuar për rinumërim”, ka deklaruar Daka.

Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar edhe rregulla zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat