​Zemaj paralajmëron rikthim gradual të të gjitha shërbimeve në institucionet shëndetësore

Aktuale

​Zemaj paralajmëron rikthim gradual të të gjitha shërbimeve në institucionet shëndetësore

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 17:57
Armend Zemaj

(E plotësuar) - Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës emergjente me COVID-19 ka zhvilluar sot një takim, nga ku është thënë se gjendja epidemiologjike në vend është stabile.

Pas takimit është bërë e ditur se do të bëhet rikthimi gradual i të gjitha shërbimeve në institucionet shëndetësore, ndërsa u tha se do të vlerësohen edhe masat tjera në kufizimin kohor edhe në gastronomi.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se rënia e numrit të rasteve të reja me koronavirus, tregon se zbatimi i masave antiCOVID ka dhënë rezultate.

Zemaj: Do të bëjmë rikthimin gradual të shërbimeve në institucionet shëndetësore

“Rekomandimet lidhen edhe me aspektin e riorganizimit të mëtutjeshëm të institucioneve tona shëndetësore. Do të bëjmë rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve në institucionet tona shëndetësore, ato të cilat janë në ambulancat specialistike edhe kërkesat për operacione. Kjo është domosdoshmëri, kështu që me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja, qoftë në kufizimin kohor, por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garat ndërkombëtare dhe disa aktivitete kulturore... Do të jap vlerësimin ligjor dhe teknik për bartjen e maskave dhe udhëzuesve të tjerë, dhe protokolleve të tjerë që ndërlidhen me zbatimin e këtyre masave dhe njëherësh do të tregojmë edhe aspektin tonë të fuqisë ligjore për të gjithë ata të cilët nuk i respektojnë këto masa. Ju e dini që të shtunën jam detyruar të marr një vendim që në një shkollë të Kosovës të kalojmë nga mësimi A në mësimin C për shkak të situatës së krijuar të një infeksioni”, tha Zemaj.

Sa i përket lirimit të masave, ministri Zemaj ka bërë të ditur se ka pasur një takim me përfaqësues të gastronomisë, hotelerisë dhe bizneseve të ndryshme, për çka u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Zemaj: Jemi pak konservativë në ecjen apo në lirimin e tepruar

“Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin e situatës, personalisht dhe në emër te MSh jemi pak konservativ në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë që asnjë gabim, i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematikë që të mos lejojmë të na ndodhë gjatë ecjes sonë të përgjithshme. Njëherësh, kisha ftuar edhe përfaqësuesit e gastronomisë, hotelerisë dhe bizneseve të ndryshme, dhe ata shprehën pakënaqësitë dhe nevojën për lirinë e lëvizjes dhe shtimin e orarit. Unë e ftoj Qeverinë e Kosovës, deputetët, që ta votojnë Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike dhe t’iu mundësojmë të gjithë këtyre që sado pak t’ia zbusin humbjet dhe neve të na lehtësojnë ecjen e mëtutjeshme me mbikëqyrjen e masave, të cilat e ruajnë shëndetin publik. Pa këtë koordinim institucional dhe pa këtë front të përbashkët, mendoj që problemet që do t’i bartë Ministria e Shëndetësisë do të jenë tendencioze nga të gjithë ata që mund të sabotojnë këto procese", tha ai.

Zemaj tha se gastronomet kanë paraqitur një plan se si do të operojnë gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, për çka tha se janë duke i vlerësuar me të gjitha akterët. Ai tha se duhet të jenë të kujdesshëm sa i përket gjendjes me COVID-19.

Zemaj: Duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta luftojmë pandeminë

“Evropa është duke u përballur me një valë të re të infeksionit, vendit e rajonit janë dyfish më keq se Republika e Kosovës, por kjo neve duhet të na tregojë qartë që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe bashkërisht të vazhdojmë ta luftojmë pandeminë”, tha Zemaj.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë fatmirësisht nuk është raportuar asnjë raste me përfundim fatal me COVID-19, derisa janë regjistruar 66 raste të reja.

​Zemaj paralajmëron lirim të masave antiCovid

Ka përfunduar takimi i Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me covid-19, ku pas takimit ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se vlerësimet e përgjithshme rreth situatës epidemiologjike janë stabile.

“Vlerësimet e përgjithshme rreth situatës epidemiologjike janë stabile, janë me një ecje të sigurt në menaxhimin e kësaj situate. Pavarësisht numrit të rënies së infeksionit, stabilitetit që e kemi në institucionet tona shëndetësore kjo tregon që lufta e përbashkët me qytetarët është treguesi i qartë që zbatimi i masave të marra nga qeveria e Kosovës, rekomandimet e IKShPK-së dhe të miat kanë treguar rezultate të cilat duhet të përcillen”, tha ai.

Ministri Zemaj tregoi se cilat kanë qenë rekomandimet nga ky takim.

“Rekomandimet lidhen edhe me aspektin e riorganizimit të mëtutjeshëm të institucioneve tona. Do të bëjmë rikthimin gradual të te gjitha shërbimeve në spitalet tona. Kjo është domosdoshmëri. Me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja qoftë në kufizimin kohor por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garant ndërkombëtare. Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin të cilin e kemi të situatës, personalisht dhe në emër te MSh jemi pak konservativ në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë që asnjë gabim i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematik”, tha ai.

Ai u ka bërë thirrje deputetët e Kuvendit që ta votojnë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike që tua lehtësojë humbjen bizneseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat