Paralajmërimi i Gucatit: Specialja e ka pranuar se dosjet janë të saj, do t’i publikoj të gjitha

Aktuale

Paralajmërimi i Gucatit: Specialja e ka pranuar se dosjet janë të saj, do t’i publikoj të gjitha

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 00:40
Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se Specialja e ka pranuar se dosjet janë të saj.

Ai ka theksuar se do t’i publikojë të gjitha ato.

Gucati ka bërë të ditur se nuk kanë dashur t’ia dorëzojnë këto dosje Speciales pa policinë vendore, megjithatë këtë e kanë bërë pas konsultimit me avokatin.

“Po është e vërtetë se z. Nasim Haradinaj dhe z. Hysni Klinaku në dy emisione të tjera televizive kanë thënë se pa policinë vendore ne nuk do t’iu japim dokumentacionin hetuesve ndërkombëtarë. Unë kam qenë jashtë Kosovës dhe kam ardhur urgjent. Në momentin e caktuar kam kontaktuar me strukturat tona dhe kam diskutuar me avokatin që e kemi dhe i kam pyetur. Hetuesit na thonë se këto dokumente janë tonat, nuk janë të Kosovës, këto duhet me i marrë ne, nëse kemi nevojë për asistencë ne do ta thërrasim Policinë e Kosovës por nuk kemi nevojë për asistencë sepse ju na keni pranuar zyre si miq dhe u binda se këta kanë të drejtë me ardhë dhe kanë të drejtë të kërkojnë asistencë prej neve. U binda dhe ia dhashë gjithë dokumentacionin në prezencën e avokatit. Ku është bërë pranim-dorëzimi me nënshkrim të dy palëve”, shprehet Gucati.

Ai thekson se tani kanë dokumentacion ku Specialja e pranon se dosjet janë të saj.

“Gjykata Speciale e ka pranuar se dokumentacioni është i tyre dhe ka dalë nga zyrat e tyre. Sot edhe zyrtarisht e kemi marrë dokumentacionin dhe thotë se këto dokumente janë tonat dhe duhet me i marrë. Sikur të mos ishin tonat, thonë se nuk do t’i kishin marrë. Të kishin qenë të Eulex-it as që kishim ardhë të bisedojmë me ju, ose të kishin qenë vendore, por këto janë tonat dhe duhet me na i dorëzuar. Sot më kanë dhënë dokumentacionin zyrtar që ai është i tyre. Pavarësisht sakrificës që vjen unë do t’i publikoj të gjitha dosjet. Nëse ata nuk i ruajnë dosjet e veta, unë nuk do iu ruaj farë hiq”, ka thënë Gucati.

Ai thotë se janë kundër kësaj Gjykata, pasi, sipas tij ajo është raciste, e njëanshme dhe nuk vlen farë për ta edhe pse i ka dalë mandati më 2 gusht.

Megjithatë, Gucati thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim.

“Unë ju kam thënë se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë e të hulumtojmë rastin se kush është personi që po i bie deri te organizata. Ne sot u kemi thënë se do të bashkëpunojmë vetëm për ta zbuluar personin që po i sjell këtu. Asnjë ide nuk e kemi se kush mund të jetë”, ka thënë ai.

Sipas Gucatit Gjykata Speciale ka bashkëpunim shumë të ngushtë me Serbinë.

“E kam një dosje numër gjashtë ku Dick Marty kërkon ndihmë nga MUP-i serb, t’ia sigurojë dosjet, t’ia sigurojë dëshmitarët e të gjitha për shtëpinë e verdhë. Sot e kemi bërë publike”, ka thënë Gucati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat