​Hoti: Marrëveshja e Washingtonit do ta kthejë Kosovën në një zonë të gjallëruar me mijëra vende të reja të punës

Aktuale

​Hoti: Marrëveshja e Washingtonit do ta kthejë Kosovën në një zonë të gjallëruar me mijëra vende të reja të punës

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 15:20
Avdullah Hoti

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë ka krijuar një momentum të ri, ku Kosova në pesë vitet e ardhshme mund të kthehet në një zonë të gjallëruar me mijëra vende të reja të punës.

Hoti pas një takimi me përfaqësuesit e odave ekonomike të vendit, tha se falë kësaj marrëveshje në Kosovë do të investohen një miliard dollarë.

“Nga kjo marrëveshje janë së paku 1 miliard dollar për investim. Një skemë e veçantë për mbështetje të bizneseve të vogla dhe mesme dhe projekte të ndryshme për partneritetin publiko-privat. Për pesë vite Kosovën mund të kthejmë në një zonë të gjallëruar me mijëra vende pune”, tha Hoti.

Krahas kësaj, kreu i qeverisë i bëri thirrje gjitha grupeve parlamentare të votojnë për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Diskutuam për rimëkëmbje ekonomike, rreth 365 milionë euro të këtij fondi do të jenë për subvencionim të pagave. Në Kuvend është Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike dhe ka elemente të ndryshme dhe është e rëndësishme që bizneset të mbështeten sa më parë. Ky ligj deri në fund të këtij viti u mundëson 700 milionë euro ndihmë bizneseve”, shoi ai.

Të hënë është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas dokumentit të nënshkruar, kjo do të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Marrëveshja e nënshkruar të hënën është në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Ndryshe, delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po udhëhiqet nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Adam Boehler, i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat