Mark Ellis: Rrjedhja e dokumenteve sekrete nga Haga mund ta rrezikojë punën e gjykatës

Aktuale

Mark Ellis: Rrjedhja e dokumenteve sekrete nga Haga mund ta rrezikojë punën e gjykatës

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 09:01
Gjykata Speciale

“Mendoj se është një krizë e vërtetë” - me këto fjalë e komenton rrjedhjen e pretenduar të dokumenteve nga Prokuroria e Specializuar në Hagë Dr. Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare.

“Ky është frikësim i pastër dhe sulm mbi gjyqin, mbi procesin, mbi gjyqin e drejtë. Nëse jeni në një mjedis, ku grupe ose individë ofrojnë informacione për emrat dhe adresat e dëshmitarëve, atëherë i gjithë procesi, në thelb, kolapson. Nuk mund të funksionojë”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, prokuroria është përgjegjëse për t'iu përmbajtur fuqishëm mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve.

“Kjo duhet të ndalojë. Në të kundërtën, rrezikohet i tërë procesi gjyqësor”, thotë ai.

Prokuroria e Specializuar në Hagë - një institucion i Kosovës, i formuar me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare - heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Mbrojtja e dëshmitarëve është pikërisht një nga arsyet përse selia e Prokurorisë është në Hagë dhe jo në Kosovë.

Dorëzimi anonim i dokumenteve në Prishtinë

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo "mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve".

Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga.

Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente.

Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike. Deri më tani, asnjë emër i dëshmitarëve nuk është bërë publik.

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat