​Hoti thotë se ‘Zajednica’ është temë e mbyllur

Aktuale

​Hoti thotë se ‘Zajednica’ është temë e mbyllur

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 10:59

(E plotësuar) - Pas njoftimit mbrëmë se mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri është shtyrë për javën e parë të tetorit për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk ka ndonjë arsye tjetër për këtë vendim dhe se agjendën e qeverisë e cakton vetëm ai.

Kryeministri i Kosovës në një konferencë për media ka folur edhe për marrëveshjen për linjën hekurudhore dhe mini-Shengenin. Ai tha se seanca e nesërme në Kuvend, ku në rend dite do të jetë edhe ligji për rimëkëmbje ekonomike, është e një rëndësie të madhe dhe sipas tij, andaj sipas tij kabineti qeveritar duhet të jetë prezent.

Hoti: Agjendën e qeverisë e caktoj vetëm unë

“Agjendën e qeverisë e caktoj vetëm unë, askush tjetër, nuk ka asnjë arsye tjetër. Nesër është një mbledhje shumë e rëndësishme e Kuvendit të Kosovës ku kabineti qeveritar duhet të jetë prezent, në mesin e shumë pikave është ligji për rimëkëmbje ekonomike, ku janë rreth 400 milionë euro që mund të përfitojnë qytetarët dhe bizneset”, tha ai.

Andaj sipas Hotit, kabineti qeveritar duhet të jetë prezent në seancë për të çuar përpara këtë ligj. Gjithashtu tha se në numrin e marrëveshjeve që pritet t’i nënshkruajnë në mbledhjen e dy qeverive, është edhe ajo për linjën hekurudhore që lidh Prishtinën me Durrësin.

Hoti: Në mbledhjen e dy qeverive do të diskutojmë edhe për linjën hekurudhore

“Linja hekurudhore që e lidh Prishtinën me Durrësin, me portin Adriatik, dhe kur e lidh Prishtinën pastaj e lidh Prishtinën me Selanikun dhe me Stambollin, edhe me Evropën Qendrore, e Beograd, Budapest, edhe përtej saj, kështu duhet të shihet kjo. Një marrëveshje e veçantë është për linjën hekurudhore…Kemi edhe mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së që të çojmë përpara këtë projekt edhe dakordimin e kryeministrit Rama që në numrin e marrëveshjeve që nënshkruajmë të jetë edhe për linjën e hekurudhore, në faza të hershme sigurisht”, tha ai.

Hoti ka bërë të ditur se duhet të bëhet studimi i fizibiliteti dhe opsioni se nga do të vijë kjo linjë hekurudhore.

Ai ndërkaq foli edhe për katër liritë e lëvizjes apo atë që njihet si mini-Shëngeni ballkanik.

Hoti: Kemi marrë zotim se do të bëhemi pjesë e mini-Shëngenit

“Ne kemi marrë një zotim që të bëhemi pjesë e kësaj iniciative rajonale, do të shohim në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen se si Kosova do të bëhet pjesë e kësaj iniciative në baza gjithmonë të barabarta, plotësisht të barabarta sikur çdo vend tjetër, në orientimin që ky është një projekt i përkohshëm, në afatgjatë ne të gjithë tentojmë të bëhemi pjesë e zonës Shengen evropian”, tha Hoti.

***

Kryeministri I Kosovës, Avdullah Hoti nuk e di se kur do të mbahet takimi i radhës me palën serbe në Bruksel, por tha se çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të jetë më temë diskutimi.

Hoti tha se kjo temë është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe nuk do të hapet më në procesin e bisedimeve.

Megjithatë, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur të çojë përpara procesin e dialogut.

Hoti: Tema e asociacionit nuk diskutohet më

“Për asociacionin, siç e kam bërë të qartë, kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, dhe pastaj marrëveshja tjetër e parimeve 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen 2013. Kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut, nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel apo jo, do ta shohim në ditët e ardhshme, por ne jemi të vendosur të çojmë përpara procesin e dialogut”, tha Hoti.

Meqë siç tha ai, është interes strategjik i regjionit dhe gjithë Evropës që sa më shpejt të përmbyllet çështja Kosovë-Serbi.

Hoti edhe njëherë tha se Kosova s’ka pse të bëjë kompromise më në këtë çështje, meqë sipas tij janë bërë mjaftueshëm që prej vitit 2008. Këtu ai ka përmendur edhe vendimet e qeverisë që ai udhëheq, lidhur me taksën dhe masën e reciprocitetit.

Hoti: Kosova i ka kryer kompromiset në vitin 2008

“Kosova i ka kryer kompromiset në vitin 2008 dhe e kam thënë disa herë krejt Kushtetuta e Kosovës dhe aranzhimi ligjor kushtetues i vendit është kompromis, për pavarësinë, dhe integrimin që presim ta kemi së shpejti”, tha ai.

***

Ka disa javë që në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së kanë arritur dosje të njëpasnjëshme nga Specialja.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, nga Qeveria e Kosovës nuk e shohin të nevojshëm një reagim nga ana e tyre.

Kryeministri Avdullah Hoti u pyet sot nga mediat se pse s’pati një reagim nga Qeveria, ai tha se nuk duhet çuditur se tash e tre muaj ka një qeveri normale, që nuk përzihet në punët e drejtësisë.

“Ndoshta çuditeni që e keni këtë çasje, por është normale. Punët e drejtësisë janë të ndara nga punët e përditshme të Qeverisë. Unë s’vlerësoj që është punë e Qeverisë që të reagojë, unë vetëm mund të bëjë thirrje.

***

 Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur sot në një konferencë për media në lidhje me çështjen e Asociacionit.

Ai është pyetur nga gazetarët për raportimet e mediave se takimi i 28 shtatorit me Serbinë  mund të dështojë, pikërisht për shkak se Kosova po refuzon të diskutojë për Asociacionin.

Hoti ka thënë se nuk e di nëse do ta mbahet takimi, dhe se kjo pritet të shihet në ditët e ardhshme, por që sipas tij është në interes të Kosovës që ky proces të ecë përpara.

“Sic e kam bërë të qartë kjo temë nuk diskutohet sepse është përmbyllur më 2015. Pra kjo nuk është temë që diskutohet në dialog  . Nuk e di a do të mbahet takimi, do ta shohim në ditët e ardhshme, mirëpo ne jemi të interesuar që dialogun ta çojmë përpara, sepse është në interes të Kosovës”, ka thënë Hoti para mediave.

Ndryshe,  as Bashkimi Evropian në një përgjigje dhënë dje për median nuk ka treguar nëse Asoaciacioni do të vihet në tavolinën e diskutimit në takimin e radhës Kosovë-Serbi. 

***

Kryeministri Hoti në konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat