Kush është amerikani Tienmu Ma, këshilltari i Kurtit të cilin ministria e Veliut po e përzë nga Kosova

Aktuale

Kush është amerikani Tienmu Ma, këshilltari i Kurtit të cilin ministria e Veliut po e përzë nga Kosova

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 20:20
Tienmu Ma dhe Albin Kurti

Shteti i Kosovës ka vendosur ta përzë këshilltarin e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, amerikanin Tienmu Ma. Këtë vendim e mori sot Ministria e Punëve të Brendshme, e nesër pritet të finalizohet. Sipas ministrisë që drejtohet nga Agim Veliu, Ma nuk i plotësoi kriteret për të marrë lejen e qëndrimit në Kosovë. Ma ishte i afërt me VV’në që prej kohës kur anëtari i VV’së, Sami Kurteshi, ishte avokat i Popullit. Amerikani ishte edhe hartues i raportit të Gylenistëve. Më ishte edhe këshilltar edhe gjatë kohës sa Kurti ishte kryeministër. Pra, kjo nuk është hera e parë që emri i tij lakohet në skenën politike.

Ministria e Punëve të Brendshme në krye me Agim Veliu, ka vendosur që të mos ia vazhdojë lejen e qëndrimit këshilltarit të ish-kryeministrit Albin Kurti, Tienmu Ma.

E pse duhet që MPB’ja të mos i japë leje të qëndrimit një amerikani?

Shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, përmes një përgjigje, thotë se këshilltari i kreut të VV’së, nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë leje të qëndrimit.

“Komisioni ka pru vendim që nuk i ka plotësua kushtet për ta marrë lejeqendrimin, në bazë të rregullave. Vendimi del nesër, ose këto ditë”, ka thënë Gecaj.

Por, kush është amerikani Tienmu Ma?

Emri i Tienmu Ma është i përmendur edhe më parë, rrjedhimisht nuk është i ri për publikun. Madje në prillin e vitit të kaluar, Ma ia kishte “zënë” rrugën edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit refuzonte të dëshmonte para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë gylenistëve , shtetas turq. Arsyeja ishte pikërisht Tienmu Ma. Sipas Thaçit, Komisioni Parlamentar kishte bërë shkelje ligjore në momentin që kishte emëruar Tienmu Ma për të hartuar raportin për gylenistët.

Kjo sepse sipas tij, Ma ishte i afërt me Sami Kuteshin, pjesë e komisionit dhe përbënte konflikt interesi. Thaçi nuk raportoi kurrë më para këtij komisioni për shkak të Tien Mu Ma.

Tien Mu Ma gjithashtu ishte këshilltar ligjor në institucionin e Avokatit të Popullit, udhëheqës i të cilit kishte qenë vet Kurteshi.

Ma ishte gjithashtu edhe këshilltar i kryeministrit Kurti gjatë kohës sa ky i fundit ishte kryeministër vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat