Rrjedhja e dosjeve të Speciales, avokati: Mund të kenë gisht shërbimet e huaja

Aktuale

Rrjedhja e dosjeve të Speciales, avokati: Mund të kenë gisht shërbimet e huaja

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 23:23
Gjykata Speciale

Publikimi në media i dosjeve të Gjykatës Speciale në Kosovë ka shkaktuar debate të forta, pasi këto dokumente sipas juristëve mbajnë vulën konfidenciale.

Edhe juristët janë të ndarë në këtë pjesë, ndërsa thonë se ruajtja e dosjeve sekrete është përgjegjësi e organeve përkatëse, kurse disa të tjerë thonë se ky veprim është i ndaluar dhe se mediat nuk duhet të publikojnë materiale të tilla.

Avokati Skënder Musa foli në “Ilva Now” për këtë pjesë, ku theksoi se publikimi i materialeve në media dëmton në radhë të parë të akuzuarit, por nuk sheh ndonjë përgjegjësi tek vetë mediat.

 “Së pari dua të them se publikimi i dosjes së Prokurorisë Speciale i dëmton në radhë të parë të akuzuarit e mundshëm, gjithashtu rrezikon jetën e dëshmitarëve. Mjetet e informimit mund të publikojnë dhe dokumente sekrete. Në Kosovë mjetet e informimit kanë mbrojte të mirë ligjore dhe nuk mund të të ndiqen penalisht se pse publikojnë diçka, për shkak se atyre iu ka rënë në dorë apo kanë mundur të zbulojnë diçka. Është përgjegjësi e organeve që të ruajnë dokumentet sekrete”, tha ai.

Jeta Krasiniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës nuk ndan të njëjtin mendim me avokatin, por thotë se mediat nuk duhet të publikojnë materiale të tilla.

“Në radhë të parë është një dështim i Gjykatës Speciale për të ruajtur këto dokumente dhe mos t’i nxirrte ato në publik. Duke i konsideruar se këto janë dokumente konfidenciale, ato nuk mund të publikohen dhe duhen të respektohen nga të gjitha aleatët që iu bien në dorë. Rrjedhja e këtyre informacioneve mund të shkaktojë kriza përtej këtij procesi”, tha ajo.

Por, kush mund të jetë “truri” kryesor që ka organizuar publikimin e materialeve konfidenciale, për këtë avokat Skënder Musa dha këtë shpjegim: “Në dokumente e Gjykatës Speciale nuk ka pasur qasje asnjë zyrtar nga Kosova, nuk kanë pasur qasje as avokatët, por as të dyshuarit. Qasje kanë pasur vetëm zyrtarët dhe prokurorët specialë. Rrjedhja e dokumenteve ka mundur të bëhet ose nga zyrtarë të gjykatës, por nuk përjashtohen të kenë qesje ndonjë sigurim (shërbim) i huaj. Ai që i ka shpërndarë dosjet dhe ai që i ka dërguar ato tek zyra e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dashur ta pengojë punën e gjykatës dhe nuk ua kërkon të mirën as atyre që janë të dyshuar. Kredibiliteti i Gjykatës Speciales dëmtohet. E ka humbur edhe atë pak besim që ka pasur tek qytetarët, por edhe tek ata që do ti nënshtrohen kësaj drejtësie’, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat