Miftaraj: Shajmë EULEX-in e Specialen, pasi patriotët tanë s’duan t’i zbulojnë krimet që i ka kryer Serbia

Aktuale

Miftaraj: Shajmë EULEX-in e Specialen, pasi patriotët tanë s’duan t’i zbulojnë krimet që i ka kryer Serbia

Nga: A.Zh Më: 25 shtator 2020 Në ora: 23:16
Arrestimi i Hysni Gucatit nga pjesëtarët e EULEX-it.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Gjykata Speciale do të jetë e pakompromis në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës.

Ai në një postim në Facebook, ka akuzuar klasën politike në pushtet të pasluftës, se e ka pasur mision kapjen e shtetit, e jo hetimet për këto krime.

Sipas Miftarajt, për këtë arsye ende ka prokuror dhe gjykatës që shërimin ende e marrin në Beograd.

Ai ka shtuar se nuk duhet sharë misionet e jashtme të drejtësisë, pasi “patriotët e Kosovës”, nuk po duan t’i zbardhin krimet e luftës në Kosovë, të kryera nga Serbia.

Reagimi i tij në Facebook:

Gjykata Speciale e pakompromis në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Për vetëm 2 vite të funksionimit si duket do të akuzoj më shumë persona se sa ka akuzuar Kosova nga viti 1999.

Shtrohet pyetja, këta që ishin në pushtet qe 21 vite kush i ndali dhe kush po i ndal sot me i hetuar krimet e luftës në Kosovë?

Prej 2014 krejt kompetencat e botës i kemi pas me i hetua dhe ndjek krimet e luftës.

Kur ka qenë ne agjendën e partive politike kjo çështje. KURRË. Përjashtimisht, kur kanë ardhur për vota, ndonjë fjalë kishe duhet me i hetu dhe gjyku krimet e luftës.

Politika në Kosovë e ka pas dhe e ka mision KAPJEN e sistemit të drejtësisë. Me kontrollua me njerëz pa integritet këtë sistem, ku një numër i madh i tyre janë shërbëtor të devotshëm të Serbisë. Jo rastësisht, ka ende prokuror dhe gjykatës që shërimin ende e marrin në Beograd. Ende i kanë dyert e hapura atje.

Derisa shajmë e mallkojmë Unmika, Eulexa, Gjykata Speciale, duhet ta dimë se patriotët tanë në politikë s’po duan me i zbardh krimet e luftës në Kosovë që i ka kry Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat