Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit

Aktuale

Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 12:50

(E plotësuar) - Shumica parlamentare e qeverisë Hoti sërish dështon të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Shumica parlamentare e koalicionit qeverisës sërish ka dështuar të sigurojë votat e shumicës së thjeshtë të 61 deputetëve për të votuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Vetëm 48 deputetë i ka pasur qeveria Hoti për të votuar njërën prej projektligjeve më të rëndësishëm për qytetarët.

Osmani: Vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim

“Vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim, rrjedhimisht nuk ka kuorum të mjaftueshëm”, tha ajo.

***

Kuvendi përsëri dështon të votojë Projektligjin për UÇK-së

Edhe sot ka dështuar të votohet në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së i sponsorizuar nga PDK-ja.

Ky projektligj mori votat e vetëm 35 deputetëve, ndërsa dy partitë LVV dhe LDK u përmbajtën nga votimi.

Osmani: Do të duhet të provojmë sërish në seancën e radhës

“Vetëm 35 deputetë kanë marrë pjesë në këtë votim, rrjedhimisht do të duhet të provojmë sërish në seancën e radhës”, tha ajo.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur me 69 vota për Naim Qelaj Avokat të Popullit.

Ky i fundit pasi të jap betimin e tij para të zgjedhurve të popullit pritet të marrë detyrën.

Avokati i Popullit ka mandat pesë (5) vjeçar.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të provojnë sërish gjatë ditës për të votuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Përkundër që në rend të ditës ishte vetëm zgjedhja e Avokatit të Popullit të zgjedhurit e popullit me shumicë votash vendosën që gjitha projektligjet që kanë mbetur të hapura nga seancat e kaluara të hedhen në votim sërish në seancën e sotme.

Ky propozim erdhi nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“I propozoj seancën që pas votimit të Avokatit të Popullit të përsërisim votimet që kanë mbetur hapur. Të tentojmë që çështjet që janë të hapura t’i mbyllim. Pra kërkoj që pas votimit të avokatit të popullit të hymë në votim për çështjet që kanë mbetur nga seancat e kaluara me prioritet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike”, tha ai.

Ani pse u pajtua që të futen në rend të ditës këto pika, shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi iu drejtua mazhorancë që t’i kenë votat e nevojshme, e jo t’i “mundojë” ata duke mos i pasur numrat në Kuvend.

“Ne edhe atë ditë nuk kemi qenë kundër që të krijohet mundësia që deputetët të votojnë ashtu siç e ndjejnë. Pajtimi jonë për votuar sa herë që mendon grupi parlamentar që përfaqëson mazhorancën këtu edhe mund të bëjmë. Por ndoshta duhet të kërkojmë nga LDK-ja të bëjnë këtë jo për të testuar dhe provuar, e lodhur neve. Por kur i kanë votat të provojnë, po shpresoj që kësaj here i kanë votat”, tha ai, raporton Kp.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së Bedri Hamza kërkoi që të votim të futen edhe projektligjet tjera që kanë mbetura të hapura.

“Nëse kthehen në votim pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara atëherë për me qenë korrekt, pasi nuk mund të themi se ky ligj është më i rëndësishmi se tjetri, pasi secili e ka rëndësinë e vet. Ne kërkojmë që gjitha pikat e papërfunduara të futen në votim”, tha ai.

Me këtë u pajtua edhe Teuta Haxhiu nga AAK.

“Edhe ne jemi të mendimit që gjitha pikat e papërfunduara të hyjnë në votim sot”, tha ajo.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në javën e kaluar ka dështuar tri herë të votohet për shkak se koalicioni qeverisës nuk i ka pasur votat e nevojshme. Kurse dy partitë opozitare LVV dhe PDK kanë qenë të përmbajtura nga votimi për këtë projektligj.

Rexhep Selimi në Kuvend: Mos e testoni, e provoni për të na lodhur

Kërkesën e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, që edhe sot të vihet në votim Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk po e përkrah opozita.

Ështe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili në seancë tha se nëse nuk i keni votat atëherë le të tërhiqen.

“Këtë mos ta bëni për të na lodhur, por kur t’i kanë votat le ta kërkojnë.

Nëse i keni votat provoni, përndryshe tërhiquni. Nëse nuk e keni për test, por e keni për herë të fundit, atëherë shkrepeni më”, tha Selimi.

***

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet Avokati i Popullit.

Këtë pozitë po synon Naim Qelaj i cili në seancën e fundit nuk arriti të marrin votat e nevojshme për të qenë në krye të këtij institucioni.

Kjo është edhe pika e vetme e rendit të ditës në seancën e sotme.

****

Seanca e Kuvendit të Kosovës ishte caktuar që sot të niste në ora 12:00.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar gati gjysmë ore, deputetët nuk janë ulur në vendet e tyre dhe seanca nuk ka nisur.

Në sallë janë parë deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare.

Sot në rend të ditës është edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka dërguar emrat e kandidatëve për Avokat të Popullit – Edona Hajullahu, Naim Qelaj, Xhavit Shala.

***

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon seancën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. I vetmi kandidat për të cilin do të votojnë deputetët është Xhavit Shala.

Të premten në raundin e dytë Xhavit Shala morri 22 vota, kurse, Naim Çelaj 32.

Ky i fundit kaloi në raundin e tretë, për të cilin raund nisen përgatitjet por për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, seanca është shtyrë për sot në orën 12:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat