Miratohet lista e ekspertëve hetimor për procesin e privatizimit

Aktuale

Miratohet lista e ekspertëve hetimor për procesin e privatizimit

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 14:11
Miratohet lista e ekspertëve hetimor për procesin e privatizimit

Komisioni hetimor parlamentar lidhur me privatizimin në Kosovë me shumë zhurmë, ka miratuar listën me katër emra të ekspertëve të jashtëm për hetimin e procesit të privatizimit, edhe pse nuk janë bërë publik emrat e tyre.

Megjithatë për përzgjedhjen e tyre pati përplasje ndërmjet kryesuesit të këtij komisioni, Hajrullah Çeku të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtares Doruntinë Maloku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke akuzuar njëri-tjetrin për bllokimin e punës së këtij komisioni.

Kryetari i këtij komisioni, deputeti Çeku theksoi se ka me insistuar që ta ç ‘bllokojë çdo bllokadë që e bën LDK-ja, në këtë rast deputetja Maloku, për procesin e hetimit të privatizimit.

Çeku: Edhe bllokadat e deputetes Maloku kam me i çarë për me kryer hetimin deri në fund

“Jam duke bërë prej mbledhjes së parë me tendencë me shtyrë përpara këtë punë, por po hasim në pengesa sa të duash. Prej planit të punës, listës së dëshmitarëve që në fund as nuk e votuat, tash tek ekspertët. Nuk është që ka ndodhur një herë, është praktikë që po e përcjellë punën e këtij Komisioni. Po, keni të drejt, unë kam tendencë, por me këtë tendencë unë kam me vazhduar me punuar deri në fund. Edhe bllokadat e juaja kam me vazhduar me tendencën me i çarë për me kryer këtë punë deri në fund”, theksoi Çeku.

Ndërsa, anëtarja e komisionit nga radhët e LDK-së, deputetja Doruntinë Maloku ka thënë se kryesuesi i këtij komisioni, Hajrulla Çeku nuk mund të paraqitet si viktimë për bllokimin e punës së komisionit.

Madje, ajo i ka quajtur deputetët e VV-së, edhe për “gjynah”.

Maloku: Përpjekja për me u dukë vet si puritan e të tjerët si demon, nuk po pi ujë

“Përpjekja për me u dukë vet si puritan e të tjerët si demon, nuk po pi ujë bre, kryetar a po kupton. “Këta me tendencë, këta po në bllokojnë”. Të gjithë kohë duke u viktimizua. Për besë për gjynah po dukeni. Unë mundem me thënë çfarë tendence keni ju që po insistonin gjithë qysh me i fut tre ekspert, por nuk po e them atë… ne po përpiqemi me i çuar përpara propozimet tona që është e drejt legjitime e secilit prej nesh… Nuk jam kundër tre personave që i keni propozuar ju, unë jam më shumë për kandidatin tim, por nuk jam që ti marrim pesë ekspert pasi shumën që e kemi në dispozicion nuk mjafton dhe nuk është e dinjitetshme që t’i paguajmë pesë persona për gjashtë muaj”, tha Maloku.

Por krah deputete së LDK-së i doli kolegu i saj nga AAK-ja, Bekë Berisha, i cili tha se do ta mbështes propozimin e deputetes Maloku.

Berisha: E përkrahi propozimin e deputetes Maloku

“Ju kam paralajmëruar që kemi me ardhur në këtë situatë. Për shkak të evitimin të këtyre problemeve, ua kemi lënë grupeve më të mëdha parlamentare me propozuar nga një. Që i bie, VV një, PDK-ja një, LDK-ja një. Fondi është i vogël për katër ekspert. Dhe unë nuk e di pse po e bëni problem këtë punë. Propozimin e Doruntinës(Maloku) e përkrahi edhe unë, kështu që kalon. Andaj, nuk kemi nevojë me humbur kohë asnjë minutë”, thotë Berisha.

Ndërsa, anëtari tjetër nga VV-ja, deputeti Hekuran Murati tha se lista me tre emra të ekspertëve janë përzgjedh në bazë të aftësive, jo politike.

Prandaj, sipas tij nuk duhet të zvarritet puna e këtij komisioni.

Murati: Ekspertët janë përzgjedhë në bazë të aftësive

“Nuk duhet të zvarritet dhe më tutje ky proces, për ndryshe po e humb kuptimin edhe ky komision hetimor. Prandaj, nëse vazhdojmë me këto zvarritje edhe më gjatë arsyetime sa herë mblidhet komisioni për mos me votuar. Nëse e keni seriozisht vazhdojmë tutje me emrat e propozuar. Nëse ka vërejtje dikush për ndonjë person mundet edhe me pas, mirëpo ata persona janë përzgjedhë në bazë të aftësive të tyre dhe diskutimeve prej grupeve të tjera parlamentare”, tha Murati.

Në fund komisioni vendosi unanimisht të votojë edhe kërkesën e LDK-së për ekspert të jashtëm në këtë komision.

Po ashtu, komisioni vendosi që intervistat me dëshmitarë të fillojnë nga data 12 tetor. Në listën e parë të dëshmitarëve janë: ish- ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu, ish ministër Haki Shatri, ish ministër Ahmet Shala, ish ministër Besim Beqaj, ish-kryetar i Bordit të AKP-së, Blerim Rexha, ish-ministër i MTI-së Bujar Dugolli, ish kryeses i bordit të AKP-së Petrit Gashi, Bajram Zejnullahu, Naser Osmani, ish kryetar i BSPK-së, Haxhi Arifi, Nocolaus Landorsv, ish-shef i UNMIK-ut Joakim Ryker, ish shef i shtyllës së katërt në UNMIK Andrea Capuselo, Maria Shkelzen Lluka, drejtor në AKP Valon Tolaj, ish-drejtor në AKP Ekrem Hajdari, Arben Limani, Mrika Tahiri, ish-drejtor në AKP Avni Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat