​Kosova dhe Italia do të nënshkruajnë marrëveshje në fushën e kulturës

Aktuale

​Kosova dhe Italia do të nënshkruajnë marrëveshje në fushën e kulturës

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 15:57
Foto nga takimi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Italisë në Kosovë Nicola Orlando me të cilin bisedoi për çështje që janë të interesit të përbashkët.

Si temë bosht e takimit ishte marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Republikës së Kosovës dhe Italisë.

Ambasadori Orlando tha se pajtohet që marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Italisë duhet të nënshkruhet sa më parë dhe se ai po mban kontakte me Romën zyrtare që kjo gjë të konkretizohet.

Ai konfirmoi se bashkëpunimi mund të konkretizohet përmes ekspertëve dhe konsulentëve, përmes komunikimeve, video-konferencave dhe vizitave të ndryshme studimore.

Ndërsa, ministrja Dumoshi shprehu besimin se bashkërisht do t’i shtyjnë para shumë projekte në fushën e kulturës dhe trashëgimisë.

“Me konkretizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes i hapet rrugë një bashkëpunimi konkret dhe thellimit të raporteve mes dy vendeve. Aty mund të hyjnë çështje konkret si një kalendar i përbashkët kulturor Kosovë-Itali, ku do të mund të përfshiheshin edhe arbëreshët në këtë bashkëpunim”, tha Dumoshi.

Ndër të tjera, ministrja e njoftoi ambasadorin edhe për pjesë të programit që ka MKRS-ja për zhvillimin e kulturës dhe të trashëgimisë dhe për hapat konkretë që ka ndërmarrë ministria sikurse është pasurimi i fondit të trashëgimisë shpirtërore duke futur asete të reja në kuadër të këtij fondi.

Në takim, palët u pajtuan që hapi i parë është konkretizimi i marrëveshjes me nënshkrimin e saj, si dhe mundësia për bashkëpunim në projektet konkrete në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat