​Brenda 30 ditësh Salih Mustafa do të ftohet për deklarim fajtor ose i pafajshëm

Aktuale

​Brenda 30 ditësh Salih Mustafa do të ftohet për deklarim fajtor ose i pafajshëm

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 17:15
Salih Mustafa

Salih Mustafa gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë nuk është deklaruar rreth akuzave për krime lufte që e rëndojnë atë.

Ai ka thënë se fillimisht do të konsultohet me avokatin e tij, kur gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou e pyeti nëse do të deklarohet fajtor ose i pafajshëm.

Gjyqtari tha se brenda 30 ditësh i akuzuari do të ftohet për t’u deklaruar lidhur me këtë çështje.

Guillou: Brenda 30 ditësh i akuzuari ftohet të deklarohet fajtor ose i pafajshëm

“Tani do t’i jap mundësi të akuzuarit që të vetëdeklarohet në lidhje me aktakuzën, në përputhje me rregullat. Zotëri Mustafa brenda 30 ditësh, nga dita e sotme, ju do të thirreni të pranoni fajësinë ose të vetëdeklaroheni jo fajtor për secilën prej akuzave në aktakuzën e konfirmuar. Nëse dëshironi ju mund të zgjidhni menjëherë të pranoni fajësinë ose të deklaroheni i pafajshëm” ka thënë gjyqtari Guillou.

Por, Mustafa tha se nuk do të deklarohet sot, pasi do të konsultohet me avokatin e tij.

Mustafa: Nuk do të deklarohem sot

(Video)

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë Mustafa shkurt.

Paraprakisht, Mustafës i është lexuar aktakuza e pastaj të drejtat e tij.

Leximi i akuzave nga sekretarja e çështjes

“Në aktakuzën e konfirmuar, prokurori i Specializuar akuzon zoti Salih Mustafën me: 1.krimin e luftës të ndalimit arbitrar i kryer në një kompleks ndalimi në Zhllash, Kosovë, kundër të paktën gjashtë individëve midis afërsisht 1 prillit ‘99 dhe 19 prillit ’99. Pika 2: krimin e luftës të trajtimit mizor i kryer në një kompleks ndalimi në Zllash, në Kosovë, kundër të paktën gjashtë individëve midis 1 prillit ‘99 dhe 19 prillit ‘99. Pika 3: krimin e luftës të torturës i kryer në një kompleks ndalimi në Zllash në Kosovë kundër të paktën gjashtë individëve midis afërsisht 1 prillit ‘99 dhe 19 prillit ‘99, dhe pika 4: krimin e luftës së vrasjes së paligjshme i kryer në një kompleks ndalimi në Zllash në Kosovë kundër një individi, midis afërsisht 19 prillit ‘99 dhe rreth fundit të prillit ‘99. Në lidhje me këto krime ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është penalisht përgjegjës”, tha sekretarja e çështjes derisa lexoi akuzat.

Mustafa ka pohuar që i kupton ato dhe ka konfirmuar se avokati që e përfaqëson sot në seancë do të jetë gjatë gjithë procesit.

Ndërsa mbrojtja e tij e caktuar nga gjykata, Julius Von Boné tha se Mustafës duhej t’i jepej një kopje e dokumentit ligjor të prokurorisë, në gjuhën shqipe.

Von Boné: Klientit i duhet kohë për t’u përshtatur

“Besoj që në këtë do të përfshihet një aktakuzë më e saktë sepse klienti im ka marrë vetëm versionin e redaktuar të aktakuzës, nuk e di në këtë moment nëse këto janë redaktuar për shkak të masave mbrojtëse apo kush është përmendur në versionin e redaktuar, megjithatë kur të jetë e disponueshme nda duhet aktakuza e plotë. Sigurisht të gjitha këto gjëra janë shumë të reja për klientin tim. Ai ka ardhur papritur në një vend të huaj me shumë njerëz që nuk i njeh, e kanë marrë e kanë arrestuar e transferuar dhe i kanë dhënë disa dokumente në duar kështu që do t’i duhet kohë për t’u përshtatur dhe për të parë çfarë është e përshtatshme për t’u bërë në lidhje me kundërshtimin e aktakuzës”, tha mbrojtja.

Gjithashtu, ai tha se mbrojtja nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve që e kundërshtojnë juridiksionin e gjykatës.

Von Boné: Fakti që jemi këtu nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve, të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës, dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, tha ndër të tjera mbrojtja.

Këtu u bë e ditur se seanca për vetëdeklarim do të caktohet më vonë.

Salih Mustafa u arrestua të enjten e kaluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën e tij në qershor të këtij viti. Ai akuzohet për ‘ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme’. Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në prill 1999 në fshatin Zllash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat