Avokati i Salih Mustafës paralajmëron mocione kundër Gjykatës Speciale

Aktuale

Avokati i Salih Mustafës paralajmëron mocione kundër Gjykatës Speciale

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 18:26
Julius Von Bone

Julius Von Boné, avokat i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafës ka bërë një paralajmërim të madh në seancën e parë gjyqësore të Tribunalit Special të Hagës. Ai ka thënë se mund ta sfidojnë Gjykatën Sepciale si institucion të drejtësisë dhe mënyrën e funksionimit të saj.

Në fjalën e tij para gjyqtarit të kësaj seance, Nicolas Guillou, avokati Von Boné ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë që të dorëzojnë mocione, përmes të cilave do të synojnë ta kundërshtojnë juridiksionin dhe ligjshmërinë e Gjykatës Speciale.

Siç ka theksuar ai, fakti që sot bashkë me Mustafën u paraqit në seancën e parë të këtij tribunali, nuk do të thotë se e pranojnë gjykatën si të tillë.

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimt të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo legalitetin, ligjshmërinë e gjykatës. Dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë. Por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, ka thënë avokati Julius Von Boné.

Ai ka shtuar se ish-shefi i Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Salih Mustafa, ende nuk e ka parë të plotë aktakuzën e ngritur kundër tij.

“Klienti im ka marrë vetëm versionin e redaktuar të aktakuzës. Nuk e di pse janë redaktuar apo kush është përmendur në versionin e redaktuar. Kur të jetë e disponueshme na duhet. Sigurisht të gjitha këto janë shumë të reja për klientin tim, do t’i duhet njëfarë kohe për t’u përshtatur”, ka thënë avokati nga Rotterdami.

Salih Mustafa u arrestua javën e kaluar në Kosovë dhe u dërgua në Dhomat e Specializuara në Hagë me katër akuza që rëndojnë mbi të për vepra që pretendohet se janë kryer gjatë luftës, duke përfshirë vrasje dhe tortura.

Anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përfshirë edhe kryetarin e saj, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj që u arrestuan të premten, vazhdimisht kanë deklaruar se nuk e njohin Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si gjykatë etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat