‘Liqeni Trump’, dëshmia më e fuqishme e prezencës faktike të SHBA-vë në Kosovë

Aktuale

‘Liqeni Trump’, dëshmia më e fuqishme e prezencës faktike të SHBA-vë në Kosovë

Nga: N. H Më: 29 shtator 2020 Në ora: 00:31
Avdullah Hoti dhe Richard Grenell

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mirëpritur propozimin e emisarit Richard Grenell, që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Trumpit.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka propozuar që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Trumpit, pas arritjes së marrëveshjes së arritur në Uashington.

Lidhur me këtë, anëtari i LDK-së në Gjermani, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se pranim propozimi lidhur me emërtimin Liqeni Ujmanit si Liqeni i Trumpit nga ana e të shefit të ekzekutivit është një veprim gjenial.

“Njëra nga pikat më nevralgjike të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, Kosovë-Serbi të 4 shtatorit në Uashington dhe nën lidershipin e Presidentit amerikan Donald Trump, ishte pikërisht kompromisi i palëve: Kosovë-Serbi për studimin e fizibilitetit të këtij liqeni nga ana e SHBA-ve. Meqë kjo pikë e marrëveshjes, shpreh qartë besimin e palëve karshi SHBA-ve në proces, atëherë edhe propozimi i ambasadorit Grenell që Ujmani të merr emrin e presidentit amerikan, është edhe përgjigje ndaj këtij besimi”, ka thënë anëtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.

Për anëtarin e LDK-së pranimi i këtij propozimi nga ana e kryeministrit Hoti, është largpamësi që di të peshojë dhe kultivojë traditën nacionale.

“Ideja e ambasadorit Grenell, ka bazë në globalizmin dhe gjeo-politikën amerikane, shprehur konkretisht, në synimin e shtrirjes së ndikimit dhe influencës amerikane në Gadishullin Ilirik dhe me gjerë, dhe qëllimin e mbajtjes larg të ndikimit rus dhe euro-aziatik në Ballkan, interes ky madhor edhe i Kosovës dhe i shqiptarëve. Pranimi me zemërgjerësi i këtij propozimi nga ana e kryeministrit Hoti, është largpamësi e një lideri dhe shtetari që di të peshojë dhe kultivojë traditën nacionale, si dhe të artikulojë drejtë dhe në kohë, për çfarë duhet mbështetur e përgëzuar si kryeministër i vendit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, nënvizon se emërtimi i këtij liqeni me emrin e presidentit Trump, shpreh falënderimin për këtë të fundit, në veçanti në lidhje me marrëveshjen e normalizimit ekonomik, të arritur së fundit në Uashington.

“Emërtimi i Ujmanit me emrin e presidentit Donald Trump, përveç se shpreh falënderimin për SHBA-të dhe në veçanti kontributin e presidentit amerikan në lidhje me marrëveshjen e normalizimit ekonomik, në anë tjetër; shuan edhe apetitet gllabëruese të Serbisë hegjemoniste dhe të qarqeve anti-shqiptare në krahë të Serbisë. Liqeni me emrin e presidentit amerikan, Donald Trump është një garanci e ruajtjes së integritetit territorial, aseteve nacionale dhe interesit shtetëror të Kosovës në njërën anë, si dhe derivon një obligim në kontinuititet të SHBA-ve në ruajtje të një obligimi të konfirmuar. ‘Liqeni Trump’, dëshmia më e fuqishme e prezencës faktike të SHBA-vë në Kosovë dhe në rajon, fakt ky, të cilit duhet t’i gëzohen shqiptarët dhe në veçanti, Republika e Kosovës”, ka potencuar zyrtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat