Haxhiu: VV-ja po mundohet ta politizojë punën e Komisionit hetimor për pandeminë

Aktuale

Haxhiu: VV-ja po mundohet ta politizojë punën e Komisionit hetimor për pandeminë

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 18:41
Bekim Haxhiu

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se puna e Komisionit Hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19, do të jap rezultate.

Ai ka thënë se janë në fazën e intervistimit dhe grumbullimit të fakteve.

Haxhiu ka thënë se ka përpjekje që të politizohet puna e komisionit nga deputet e Vetëvendosjes.

“Dëshmia e prindit të Agon Musliut ishte e rëndësishme sepse vetë ai kundërshtonte të cilësohej si vetëvrasje. Ai na dha argumente që ne nuk i kemi pasur si komision. Prindi i Agon Musliut ka pasur dokumentacion për gjendjen jo të mirë të shëndetit të Agonit, dhe jemi duke pritur xhirimet e kamerave për t’i parë pamjet e prezantimit të dokumenteve në aeroport”, ka thënë ai.

Haxhiu ka thënë se disa dëshmitarë kanë dhënë deklarata lidhur me rastin.

Duke folur për takimin e sotëm me bordin e SHSKUK-së ai ka thënë se janë përballur me protestë të punëtorëve shëndetësorë për arsye se Qeveria nuk ua ka paguar 300 eurot shtesë të cilat ua kishte premtuar.

Haxhiu ka thënë se drejtuesit e SHSKUK ka përgatitur listën se kush do të jetë përfitues i kësaj shumë. Ai ka thënë se 1617 punëtorë shëndetësorë, teknik dhe të administratës nuk janë futur në listën e atyre që do të paguhen.

“Kjo është një qasje e gabueshme e Qeverisë sepse po mundohen të kursejnë buxhet bash aty ku nevojitet. Kjo është diskriminuese, nga heronj i ka kthyer në protestues. Drejtuesit e SHSKUK thanë se fillimisht e kanë përgatitur listën për të gjithë porse Ministria e Shëndetësisë e ka kthyer listën”, ka thënë ai.

Haxhiu ka thënë se bazuar në ligjin anti-covid është paraparë që shteti t’i sigurojë barnat për pacientët të cilët infektohen me koronavirus.

Ai ka thënë se vështirësi ka paraqitur numri i madh i rasteve dhe menaxhimi ka qenë problematik.

“Situatën nuk e kemi për t’u mburrur. I biseduam edhe shkaktarët që kanë mundur të qojnë në rritjen e shpejtë të rasteve. Hapja pa kontroll ishte një nga shkaktarët kryesor që shkaktoi numrin e madh të të infektuarve”, ka thënë ai.

Haxhiu tutje ka shtuar se hapja është dashur të bëhet graduale.

Duke folur për shërbimet tjera përveç atyre të COVID-19, ai ka thënë se situata nuk është mirë.

Sipas tij, shërbimet tjera përveç atyre urgjente, pacientët është dashur t’i marrin në ordinancat private.

Ndërkaq lidhur me testet për COVID-19, ai ka thënë se ka pasur numër të vogël të testimeve për COVID-19, ndonëse sipas tij ka pasur kapacitete të mjaftueshme për testim.

“Ndoshta ka pasur neglizhencë në blerjen e testeve. Ka pasur edhe manipulime me shifra, nuk janë prezantuar të gjitha shifrat. Është pretenduar që ka numër të vogël të rasteve edhe për shkak të qëllimit për të shkuar në zgjedhje”, ka thënë ai.

Ndërkaq për rritjen e çmimeve të medikamenteve ai ka thënë se ministria është rregullatorë. Ai ka thënë se lidhur me morfinën, kompanitë e autorizuara nuk janë ftuar nga MSH-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat