Likaj: Protesta studentore e 1 Tetorit i dha drejtim historisë së lirisë

Aktuale

Likaj: Protesta studentore e 1 Tetorit i dha drejtim historisë së lirisë

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 09:57
Ramë Likaj

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka kujtuar 23 vjetorin e protestave studentore me 1 Tetor 1997.

Likaj derisa ka kujtuar ngjarjen e protestës së Lëvizjes Studentore, thekson se kjo i ka dhënë drejtim edhe historisë së lirisë së vendit.

“Thirrja e Lëvizjes Studentore për protestë më 1 Tetor 1997, mbushi rrugët e kryeqytetit në atë kohë, për të kundërshtuar dëbimin e studentëve dhe mësimdhënësve nga Universiteti i Prishtinës, për të kundërshtuar regjimin që po e vështirësonte përditë e më shumë frymëmarrjen e Kosovës. Si çdoherë, studentët, në krye me rektorin e atëhershëm të UP-së, Prof.Dr. Ejup Statovci dhe mësimdhënësit e administratën e Universitetit, ishin ata që, kësaj radhe do t’i prinin jo vetëm protestës së asaj dite, por do ta nisnin Kosovën në rrugëtimin e sigurt drejt lirisë”, shkruan Likaj.

Tutje ai ka shkruar se “Sot kemi një mision po kaq të rëndësishëm para vetes. Sot, studentët dhe mësimdhënësit universitarë duhet t’ia lënë historisë një tregim tjetër të suksesit, atë të përpjekjeve maksimale për t’i siguruar Kosovës të ardhme të ndritur”.

Postimi i plotë i ministrit Likaj:

Të dashur studentë e mësimdhënës,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po shënojmë sot 23 vjetorin e protestave studentore të 1 Tetorit, kësaj ngjarje të veçantë, që i dha drejtim historisë sonë më të re, historisë së lirisë.

Thirrja e Lëvizjes Studentore për protestë më 1 Tetor 1997, mbushi rrugët e kryeqytetit në atë kohë, për të kundërshtuar dëbimin e studentëve dhe mësimdhënësve nga Universiteti i Prishtinës, për të kundërshtuar regjimin që po e vështirësonte përditë e më shumë frymëmarrjen e Kosovës.

Si çdoherë, studentët, në krye me rektorin e atëhershëm të UP-së, Prof.Dr. Ejup Statovci dhe mësimdhënësit e administratën e Universitetit, ishin ata që, kësaj radhe do t’i prinin jo vetëm protestës së asaj dite, por do ta nisnin Kosovën në rrugëtimin e sigurt drejt lirisë.

Prandaj, sot e gjithmonë, do të kujtojmë ata studentë e mësimdhënës që tërë qenien e tyre intelektuale e njerëzore e përdorën për ngritje të cilësisë së sistemit arsimor, për të qenë konkurrent dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë, themelet e se cilit u ndërtuan mbi gjakun, sakrificën dhe mundin e gjeneratave të tëra.

Sot kemi një mision po kaq të rëndësishëm para vetes. Sot, studentët dhe mësimdhënësit universitarë duhet t’ia lënë historisë një tregim tjetër të suksesit, atë të përpjekjeve maksimale për t’i siguruar Kosovës të ardhme të ndritur!

Paqi shëndet e suksese!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat